Pa minare, por me gjysmëhënë prej bakri

Imami Bekim Alimi ka arritur qëllimin e tij: të shtunën në qytetin e Wilit në Zvicër do të hapet një xhami e re, e cila ka gjasa të bëhet objekt reprezentativ i myslimanëve. Alimi çmohet nga autoritetet zvicerane si ndërmjetësues kulturash, por mediat ia përmendin edhe kontaktet e tij me imamë të dyshimtë.

Xhamia e re ofron vend për lutje për 400 besimtarë. Foto: Keystone



Prej afër 24 mijë banorëve të qytetit të Wilit në Zvicrën lindore, 14 për qind deklarohen si myslimanë. Një pjesë e konsiderueshme janë shqiptarë. Prej vitesh ky komunitet, i prirë nga imami Bekim Alimi, ka bërë përpjekje të ndërtojë një xhami dhe kështu të braktis faltoren aktuale pranë hekurudhës. Të shtunën Alimi do të hap portat e xhamisë së re. Në ceremoni janë të ftuar besimtarë, politikanë lokalë, dinjitarë fetarë. Ndërtesa e rrumbullakët e arkitektit Mujdin Fazlija mund të bëhet një qendër reprezentative e myslimanëve jo vetëm të Wilit, shkruan gazeta zvicerane «Tages Anzeiger». Hapësira trekatëshe për lutje (me një pjesë të ndarë për gratë dhe me tribunë për shikues kureshtarë) ofron vend për 400 lutës. Me kupolën e gjerë, pllakat shumëngjyrëshe dhe me një citat me shkronja të arta nga surja 24, vargu 35, i Kuranit xhamia ka një pamje orientale.

Buxheti i paraparë për ndërtimin e xhamisë është 5 milionë franga. Mediat zvicerane vazhdimisht kanë shtruar pyetjen se prej nga janë tubuar gjithë këto para, por imami Alimi ka nënvizuar se ato janë kontribute të besimtarëve dhe se asnjë investitor i huaj nuk ka dhuruar para. Po ashtu, sipas tij, para nuk kanë rrjedhur as nga Arabia Saudite, as nga Egjipti apo Turqia.

Kur para 4 vitesh Alimi dhe përkrahësit e tij dorëzuan kërkesën për lejen e ndërtimit të xhamisë, popullsia lokale reagoi me 300 ankesa. Qyteti i Wilit i hodhi poshtë të gjitha. Njëjtë vepruan edhe autoritetet juridike. Më parë xhamitë e drejtuara nga shqiptarët në Wil, Wangen bei Olten dhe Langenthal kishin kërkuar leje për ndërtimin e minareve. Kundër kësaj ideje reagoi Partia Popullore e Zvicrës, e cila inicioi një referendum kundër minareve dhe mori mbështetjen e popullit. Që nga viti 2009 në Zvicër minaret janë të ndaluara. Edhe xhamia e re në Wil nuk ka minare, por mbi kupolë është vendosur një bazament i lartë tri metra me një gjysmëhënë prej bakri – me leje të komunës së Wilit, siç nënvizon Alimi.

Imami 42-vjeçar, i lindur në Tetovë dhe i shkolluar në Kajro, vepron në Wil që nga viti 1999. Në media është portretuar si ndërmjetësues kulturash, si përkrahës i integrimit të të huajve, si teolog. Por kur vitin e kaluar u ftua të marrë pjesë me përfaqësues të feve të tjera për të hapur tunelin e ri të Gotthardit, një kryevepër e inxhinierisë zvicerane, Alimi u thumbua nga mediat për shkak të, siç thuhej, kontakteve me imamë të dyshimtë nga Maqedonia dhe Kosova. Ai u akuzua për afërsi me Imberja Hajrullahun, i cili në profilin e tij në Facebook poston përmbajtje antisemite dhe salafiste. Si dëshmi për afërsinë jokritike të Alimit u përmend një fotografi e tij me Hajrullahun në aeroportin e Zürichut. Këtë fotografi Hajrullahu e kishte postuar në profilin e tij në Facebook.

Në vitin 2010 Alimi ishte pjesë e një tubimi në Bülach afër Zürichut, ku mori pjesë edhe Shefqet Krasniqi, ish-imami kontrovers nga Prishtina. Edhe një fotografi e Alimit me Nicolas Blancho, president i Këshillit Islamik të Zvicrës, një organizate tejet të dyshimtë islamike, u ka shërbyer mediave zvicerane për t’i shtruar disa pyetje të pakëndshme imamit Alimi. Ai ka hedhur poshtë çdo afërsi ideologjike me këta imamë. Tani, me hapjen e xhamisë, Alimi do të jetë edhe më shumë në fokus të mediave. (-lli)