Pa lidership, pa para – BE-ja ia ka kthyer shpinën Ballkanit në kohën e krizës së refugjatëve

Krerët e rajonit u mblodhën javën e kaluar në Vjenë për një të ashtuquajtur samit të madh të organizuar prej Austrisë dhe Gjermanisë, në të cilin shpresohej se do të kishte kishte hartim të një doracaku solid dhe ndarje shumash të majme parash. Rezultati nuk solli asgjë të madhe: veç premtimit për pak miliona euro dhe fjalë të ngrohta solidariteti.




Numri i personave që po kalojnë përgjatë rajonit të Ballkanit në rrugën drejt Perëndimit është rritur në mënyrë të hatashme. Vjet vetëm tetë mijë persona kishin kaluar Maqedoninë dhe Serbinë rrugës për në Hungari dhe gjetiu. Sivjet deri në korrik, shifra ka arritur në 70 mijë me rreth dy mijë persona që kalojnë në ditë prej Serbisë në Hungari në javët e fundit.

Tani kur dielli përcëllues i verës së Ballkanit nis t’ia lëshojë anën vjeshtës, po shtohet ankthi në rajon për atë se çfarë do të ndodhë me këta njerëz teksa dimri po afrohet.

Krerët e rajonit u mblodhën javën e kaluar në Vjenë për një të ashtuquajtur samit të madh të organizuar prej Austrisë dhe Gjermanisë, në të cilin shpresohej se do të kishte kishte hartim të një doracak solid dhe ndarje shuma të majme parash. Rezultati nuk solli asgjë të madhe: veç premtimit për pak miliona euro dhe fjalë të ngrohta solidariteti. Nuk është habi që kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ktheu me frustrim. «Tre milionë euro janë vetëm një e dhjeta e asaj që do të shpenzojmë për angazhimin e ushtrisë, policisë dhe kapaciteteve të tjera tona», është ankuar ai këtë javë.

Deri tani, serbët e rëndomtë janë treguar miqësorë me numrin e madh të njerëzve që po ecin këmbë, me autobusë e trena prej kufirit jugor me Maqedoninë deri në atë verior me Hungarinë. Ndalesa për marshimet kundër emigrantëve, marshime që ishin planifikuar prej grupeve djathtiste, duket se ka marrë përkrahje popullore. Beogradasit më shumë duket se shprehin keqardhje se armiqësi ndaj personave të shumtë që qëndrojnë nëpër parqe. Vendi është në krizë ekonomike dhe FMN-ja kundërshton përpjekjet për rritjen e pagave. Por askush nuk është kundër shpenzimit të parave për të menaxhuar e kontrolluar kalimin e refugjatëve.

Por ky humor i serbëve mund të mos zgjasë pafundësisht. Autoritetet serbe nuk dëshirojnë të ndërtojnë shumë qendre pranimi nëse emigrantët vendosin të qëndrojnë. Por me afrimin e acarit – planifikohen edhe tri qendra të reja – nuk do të mund të strehohen mijëra refugjatë që nuk do të mund të bëjnë gjumë në qiell të hapur.

Rreziku tjetër është frika e ngeljes së refugjatëve në kufirin verior për shkak të rrethojës gjembore të Hungarisë. Me numrin e refugjatëve që vazhdojnë të qëndrojnë në qytetin Horgos, që po shndërrohet në një «Calais të ri», atëherë cila do të jetë rruga që ata do të ndjekin, mbase nëpërmjet Kroacisë a Sllovenisë? Askush nuk e di dhe në mungesë të një strategjie koherente evropiane, secili shtet po mundohet ta menaxhojë situatën sipas kuteve të veta.

Bullgaria po ndërton një rrethojë me gjemba në kufi me Turqinë, qysh po bën edhe Hungaria në kufi me Serbinë. Maqedonia, një vend tjetër në rrugën e gjatë të refugjatëve, në fillim është munduar të bartë refugjatët që të kalojnë nëpër vend. Me shpresë se do të kënaqte Brukselin, vendi vendosi të hiqte kufizimet për emigrantët, duke ua lejuar atyre 72 orë për të kaluar në Serbi. Pastaj i ra pishman, duke mbyllur kufirin me Greqinë, me policinë speciale që rrahu valët e refugjatëve. Pastaj hoqi dorë prej kësj ideje dhe ua hapi përsëri kufirin refugjatëve.

Është acaruese se si ka ardhur puna te ky konfuzion që duket i pashmangshëm. Të gjitha vendet që shtrihen përgjatë rrugës së emigrantëve nëpër Ballkan – Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja – janë shtete kandidate të BE-së ose po luftojnë fort për të marrë këtë status. Të gjitha janë pjesë e kërkesave që u kërkohen t’i plotësojnë për fushën e migracionit, por askush në Bruksel, Vjenë a Berlin nuk duket i interesuar të çojë përpara një plan koherent, e lëre më të ndajë para.

Në Beograd dhe Shkup ka njëfarë shprese të zbehtë se deri në dimër nuk do të ketë valë kaq të madhe të njerëzve që ia mësyjnë rrugës së Ballkanit. Nëse jo, atëherë do të ketë alamet krizë. Atëherë nuk do të bëjnë punë as fjalët e përgëzimit “shpirtin evropian” kur flitet për këtë temë.

«Guardian»