OSHP-ja në Prizren anulon prokurimin për furnizim me pjesë dhe servisim të automjeteve

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka urdhëruar Komunën e Prizrenit që të anulojë një aktivitet të prokurimit për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik.




Në saje të njoftimit të OSHP-së, Komuna e Prizrenit duhet të anulojë «furnizimin me pjesë dhe servisimin e automjeteve, që janë pronë e Komunës së Prizrenit», shkruan sot «Koha Ditore».

Operatori ekonomik «Rex Automobile» ka parashtruar ankesë më 3 shtator në OSHP, duke pretenduar se Komuna e Prizrenit si autoritet kontraktues ka bërë shkelje të disa neneve të Ligjit për Prokurimin Publik.

OSHP-ja në bazë të kësaj ankese ka autorizuar ekspertin shqyrtues që ta analizojë këtë aktivitet të prokurimit. Ndërsa eksperti shqyrtues e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik. «Në përputhje me nenin 114, par.2 të LPP-së, eksperti shqyrtues ka rekomanduar Komunën e Prizrenit që të anulojë prokurimin ‚furnizim me pjesë dhe servisimi i automjeteve pronë e Komunës së Prizrenit», thuhet në njoftimin e OSHP-së. Aty gjithashtu bëhet e ditur se nëse Komuna shpreh interesim të mëtutjeshëm për këtë furnizim, atëherë duhet ta ritenderojë aktivitetin e prokurimit, duke i përmirësuar të gjithë të metat dhe dobësitë në dosjen e tenderit dhe në fazat pasuese të aktivitetit të prokurimit, që janë konstatuar me raportin e ekspertizës.

Raporti i fundit i Auditorit të Përgjithshëm pati konstatuar dobësi sistematike në prokurimin e Komunës së Prizrenit.