OShP-ja në 2015-n ka pranuar vetëm dy ankesa për proceset e prokurimit për katër komunat veriore

Për të gjitha aktivitetet e prokurimit që janë zhvilluar në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), në periudhën e kaluar të këtij viti, janë deponuar vetëm dy ankesa, shkruan sot Koha Ditore.




Ndërkohë që në ueb faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) janë 245 njoftime për aktivitete të prokurimit që gjatë vitit 2015 janë zhvilluar në këto komuna.

Sipas përfaqësuesve të disa organizatave joqeveritare që merren me monitorim të proceseve të prokurimit, mungesa e ankesave ndodh për shkak se udhëheqësit e komunave veriore nëpërmjet presionit e bëjnë një ndalesë të tillë, siç kanë thënë ata, nëpërmjet kërcënimeve.

Ndërkohë që për drejtoreshën e administratës komunale të Mitrovicës Veriore, Ardijana Hodzic, transparenca në proceset e prokurimit është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në mungesë të ankesave për proceset e prokurimit në Mitrovicën e Veriut.

Sipas të dhënave të OShP-së, në vitin 2015 ka pasur vetëm dy ankesa për një aktivitet të prokurimit të zhvilluar në Komunën e Leposaviqit.