OSHP-ja ia kthen mbrapsht Suharekës një tender

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka urdhëruar Komunën e Suharekës që ta kthejë në rivlerësim një aktivitet të prokurimit për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik.




Në saje të njoftimit të OSHP-së, të publikuar ditë më parë, Komuna e Suharekës duhet të rivlerësojë tenderin për ndërtimin e trotuareve dhe rrugës «Yll Bytyqi» – Semetisht, meqë ankesa e një operatori ekonomik është aprovuar si e bazuar nga paneli shqyrtues i Prokurimit.

«Anulohet vendimi i autoritetit kontraktues, Komuna e Suharekës, lidhur me procedurën e prokurimit ‘Ndërtimi i trotuareve dhe rrugës ‘Yll Bytyqi’ – Semetisht’ dhe lënda kthehet në rivlerësim konform nenit 72 të Ligjit për Prokurimin Publik. Autoriteti kontraktues të verifikojë të gjitha kontratat dhe referencat me qarkullime bankare për projektet e kontestuara», thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ky organ po ashtu ka urdhëruar Komunën e Suharekës që në afat prej 10 ditësh ta njoftojë panelin shqyrtues me rezultatet e komisionit rivlerësues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.