«Orient Expressi» i shqiptarëve

Ndonjë medie shqiptare e ka filluar një fushatë për promovimin e Nikola Gruevskit kryeministër të Maqedonisë. Për këtë ajo nuk druan të shërbehet me të pavërteta dhe mashtrime.

Foto: Giovanni Vale / Shutterstock



Është e pamundur të mos e vëresh: Gazeta Express prej disa ditësh po lobon për një koalicion të shqiptarëve në Maqedoni me VMRO-në! Ajo duket gati më e mobilizuar se për temën e trenit të famshëm serb. Në fillim ishte një editorial i shefit të gazetës. Punë e tij, mendim i tij. Por, pastaj erdhi një intervistë epike, gjoja me shkrim, me vetë Nikola Gruevskin, në të cilën ai rrëfehet shtruar dhe papengueshëm për veten dhe për botën. Në manir të teorive konspirative, ai e identifikon Xhorxh Sorosin si shkaktarin e të gjitha pakënaqësive në Maqedoni. Më vonë spikati një analizë për një kryqëzatë kundër Sorosit në SHBA e në Maqedoni. Vijnë lajme për përkrahjen që i jep gjoja Merkel një qeverie me Gruevskin. Dhe, ndoshta jo i fundit ishte një dekalog që porosit shqiptarët se pse duhet të shkojnë me Gruevskin.

Nuk është lobim. Është tamam fushatë. Është një përkushtim aq atipik që një medie, aq më tepër në Kosovë, të angazhohet kaq fort për Gruevskin, sa nuk mund të jesh indiferent. Ky pasion bëhet aq më i dyshimtë, kur ke parasysh se ligjërimi i gazetës për Gruevskin ndërtohet kaq hapur në të pavërteta dhe në teza që nganjëherë marrin trajtat e shantazhit. Fushata duket sikur nuk e ka për qëllim pozicionimin më të mirë të shqiptarëve në Maqedoni, as promovimin e Ali Ahmetit. Meraku i këtij diskursi është Nikola Gruevski.

Në dekalogun e mësipërm, të cilin Express, në fakt, e huazon nga një medie anonime, Citynews, thuhet se Zaev, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, i ka blerë 70 mijë vota të shqiptarëve. Kjo është një akuzë e padëgjuar deri më tani, privatisht, si publikisht. Po sikur të mos e kriminalizosh këtë votë duhet ta pranosh të vërtetën, e cila e rrënon gjithë diskursin e medies: 50 mijë deri 70 mijë shqiptarë në Maqedoni kanë votuar për Zoran Zaevin, jo se janë të magjepsur nga ai, por duke dashur t’i japin një leksion të mirë Ali Ahmetit. T’i dëshmojnë atij se sa të zhgënjyer janë ata me partneritetin e tij me Gruevskin dhe se e refuzojnë atë.

Dhe, shqiptarët e refuzojnë Gruevskin për shkak të raportit të tij të vështirë me ata. Ndër veprat e para të këtij kryeministri ishte aksioni spektakular policor në një fshat shqiptar në malësinë e Tetovës në fund të 2007-tës, në vigjilje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e rrezikuar këtë projekt shqiptar dhe perëndimor. Fshatarët e ngratë dhe të këputur të Brodecit dergjen ende burgjeve të Maqedonisë, ndonjëri ka ndërruar jetë nëpër ato kazamate, pa kaluar ndonjë gjykim fer. (Ky aksion ia hëngri kokën politikisht partisë së Arbën Xhaferit, e cila atëbotë ishte në koalicion me Gruevskin.) Listës së aksioneve të shumta të dhunshme të forcave së sigurisë së Maqedonisë në vendbanimet shqiptare iu shtuan edhe shumë të tjera në qeverisjen e Gruevskit. Shqiptarët e Maqedonisë nuk do t’ia harrojnë kurrë këtij kryeministri spektaklin e Monstrës dhe kurdisjen e Kumanovës. Këto janë vetëm një dimension i zullumeve të tij mbi shqiptarët dhe jo shpifje të Xhorxh Sorosit.

Një argument sensitiv, me të cilin përpiqet të turbullohet opinioni shqiptar është ai se VMRO ishte në krahun e shqiptarëve gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe se kjo parti e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por, atëbotë e kishim një aktor tjetër në skenën politike të Maqedonisë dhe lider të VMRO-së, Lubço Georgievskin. Nikola Gruevski, me kushëririn e tij promotor, babai i të cilit ka qenë ministër i Brendshëm i socialdemokratëve, e dëbuan kreun e partisë së vet dhe e riorientuan VMRO-në nga një parti probullgare, çfarë kanë qenë tradicionalisht, në një parti proserbe. Ndërkohë që Bullgaria e njohu pavarësinë e Kosovës pothuajse në valën e parë të njohjeve pas shpalljes së saj, Maqedonia nën qeverisjen e Gruevskit i ka rezistuar njohjes gati një vit dhe e ka bërë atë vetëm pas vizitës së ministrit të Mbrojtjes së SHBA-ve personalisht në Maqedoni.

Është një manipulim i paskrupullt ta prezantosh VMRO-në si ithtare të integrimit të Maqedonisë në NATO e të vetmin aktor të aftë për ta zgjidhur ngërçin e emrit me Greqinë. Dhe të aludosh se kush është kundër saj, është kundër Perëndimit. Analizat sugjerojnë se kjo parti e mban NATO-n larg nga vendi, në dobi të një politike ruse, e cila angazhohet kundër zgjerimit të Aleancës. Maqedonia është një xhep brenda territorit të NATO-s. Në anën tjetër, raportet me Greqinë janë stërkequr mu nga kjo parti. Ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare sugjeronte më shumë takt në raport me Greqinë, Gruevski jo vetëm që e quajti aeroportin e Shkupit me emrin e Aleksandrit të Madh, në fund e ngriti në Shkup një përmendore të stërmadhe të tij, si karshillëk ndaj Greqisë. Autostradës për në Greqia ai ia dhuroi emrin e Filipit II.

Realisht nuk është e qartë as kujt i drejtohet tamam ky rebesh mesazhesh pro Gruevskit. Por, as nuk merret vesh kush i porosit ato. Të jetë kaq e preokupuar vetë media shqiptare për fatin e Nikola Gruevskit? Në cilin tren ka hipur Expressi? Ai gjithsesi po shpie kah orienti…