Organizatat kulturore ankohen për çmimet e qirasë së Sallës së Kuqe në Prishtinë

Për koncertin me të cilin do të shënojë 15-vjetorin e themelimit mbrëmjen e së mërkurës, kori i grave «Lira» është dashur të paguajë mbi 100 euro për hapësirën e Sallës së Kuqe.

Kjo është hera e parë që kori, i cili funksionon në kuadër të organizatës joqeveritare me të njëjtin emër, ka paguar për të koncertuar në këtë vend, shkruan sot «Koha Ditore». Me 118 euro, organizatorët kanë fituar të drejtën që ta shfrytëzojnë për 60 minuta sallën në të cilën viteve të fundit janë mbajtur shumica e koncerteve të muzikës klasike në vend.

Pagesat për shfrytëzim të kësaj hapësire së fundi kanë nisur të aplikohen për të gjitha institucionet që kërkojnë ta shfrytëzojnë atë. Ndërmarrja «Pallati i Rinisë dhe i Sporteve» nën administrimin e Agjencisë Kosovare e Privatizimit, ka nisur zbatimin e një rregulloreje të brendshme sa u përket çmimeve për lëshimin e hapësirave me qira, të aprovuara nga ish-bordi drejtues i ndërmarrjes.

Për organizatorët e festivaleve dhe pjesëtarët e komunitetit artistik që shfrytëzojnë Sallën e Kuqe për aktivitetet e tyre pagesat për hapësirën janë një ngarkesë shtesë që e vështirësojnë edhe më shumë veprimtarinë e tyre. Një prej institucioneve që realizon pothuajse të gjitha koncertet e veta në Sallën e Kuqe është Filarmonia e Kosovës. Së fundi ky institucion ka paguar mbi 200 euro për një koncert.

Në janar gazeta kishte raportuar se aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës «Adem Jashari» është duke shqyrtuar mundësinë që të investojë për rinovimin e Sallës së Kuqe. Qëllimi është që kjo sallë të përshtatet për koncertet e Filarmonisë së Kosovës.

Bordi menaxhues i Aeroportit që menaxhohet nga konsorciumi «Limak and Aeroports de Lyon» kishte vizituar sallën bashkë me arkitektët e tyre. Ideja për këtë projekt qe përkrahur edhe nga Bordi i Pallatit të Rinisë, i cili ka dhënë leje për intervenim, por me kusht që Sallës së Kuqe të mos i ndryshohet destinimi. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë vendim.