Ora e përrallave me «eksperten» e islamit Saïda Keller-Messahli

Një tekst mbi islamin në Ballkan në kuadër të një raporti të Fondit austriak për Integrim «shkëlqen» me stereotipa dhe gabime. Autorja Saïda Keller-Messahli, një tuniziane me shtetësi zvicerane, sërish dëshmon injorancën e saj.

Saïda Keller-Messahli.



Kush lexon dhe dëgjon paraqitjet publike të Saïda Keller-Messahlit duhet të shqetësohet. Sipas saj bota perëndimore është në rrezik të madh nga islami, batalione të burrave me mjekër po bëhen gati për të shkatërruar civilizimin europian, ata janë gjithkund në mesin tonë, në qytete dhe nëpër xhamitë e tyre të financuara nga Arabia Saudite dhe nga shtetet e tjera të Gjirit Persik.

Saïda Keller-Messahli, një tuniziane me shtetësi zvicerane, në opinionin zviceran njihet si eksperte e islamit. Në të vërtetë kualifikimi eksperte në rastin e saj duhet të shkruhet përherë në thonjëza. Akuzat e saj dramatike, paushalle dhe shpeshherë të bazuara në gjysmëfakte ose fare pa fakte tërheqin vëmendjen e jo pak mediave në Zvicër. Ajo intervistohet, nderohet me çmime, lavdërohet sidomos nga qarqet islamofobe.

Tani Saïda Keller-Messahli ka shkruar një tekst mbi islamin në Ballkan në kuadër të një raporti të Fondit austriak për Integrim. Keller-Messahli është romaniste me profesion, njohuritë e saj për historinë e Ballkanit janë sipërfaqësore, për të mos thënë tërësisht të pakualifikuara.

Disa shembuj.

Ajo shkruan se për serbët Beteja e Kosovës e vitit 1389 është një truamë nacionale, e cila nga qarqet nacionaliste lartësohet si «fitore negative». Në të vërtetë çdo historian serioz Betejën e Kosovës e sheh në kontekst pak më të gjerë. Kjo beteje nuk është «serbe», por luftë e një aleance të popujve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane. Për dallim nga shumica e historianëve serbë, të cilët thonë se pushtimi i Kosovës nga osmanët ndodhi definitivisht në vitin 1389, historiani Oliver Jens Schmitt mendon se tek pas Betejës së Dytë të Kosovës (më 1448) u vulos përfundimisht fati i këtij rajoni. Despoti serb nuk e kishte përkrahur ushtrinë katolike dhe këtë e pagoi me humbjen e Kosovës (1455) dhe me fundosjen e gjithë principatës serbe.

Sipas Saïda Keller-Messahli «eksodi i vitit 1690» i serbëve nga Kosova pati, mes tjerash, për pasojë që osmanët kolonizuan Kosovën me dhjetëra-mijëra familje shqiptare. Fakte serioze për këtë ajo nuk ka, përveç nëse është shërbyer nga literatura nacionaliste dhe propagandistike serbe. Në këtë vijë argumentimi ajo thotë se pas eksodit serb në Kosovë pothuaj nuk mbetën pjesëtarë të grupit etnik serb. E si u shfaqën atëherë serbët sërish në Kosovë në shekullin e ’19 dhe të ’20 mbetet enigmë. Detaje të tilla «ekspertes» së islamit nga Zvicra nuk i interesojnë.

«Zhvillimi demografik në atë kohë e shpjegon se përse Kosova edhe sot banohet nga shumica shqiptare – dhe për këtë shkak ish-krahina serbe edhe pas njohjes ndërkombëtare ende ka potencial të madh për trazira, aq më tepër që minoriteti i atjeshëm dhe Serbia me gjasë kurrë nuk do ta pranojnë Kosovën si shtet të pavarur». Për Serbinë mbetet të shihet, ndërsa pjesa më e madhe e pakicës serbe është adaptuar me realitetin e ri të Kosovës së pavarur, sepse po të ishte ndryshe nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe nuk do të dërgonte ministra në qeverinë e Kosovës.

Teksti i Saïda Keller-Messahli përmban edhe gabime të tjera dhe, siç shkroi historiani Florian Bieber nga Universiteti i Grazit, stereotipa nga një autore pa ekspertizë dhe pothuaj pa burime shkencore. Ta zëmë Saïda Keller-Messahli shkruan se masakrat e palës serbe ndaj myslimanëve në Bosnjë në vitet ’90 ishin pasojë e krimeve të divizionit pronazist Hanxhar të myslimanëve të Bosnjës në Luftën e Dytë Botërore. Kjo qasje, sipas Bieber, është përvetësim jokritik i perspektivës nacionaliste serbe. Rrjedhimisht, «ekspertja» nga Zvicra nuk përmend dëbimin e myslimanëve nga serbët në shekullin e ‘19.

Duke tentuar të dëshmojë se plani për ta shndërruar Bosnjën në shtet islamik është i ngahershëm, Saïda Keller-Messahli shkruan se Deklarata Islamike e Alija Izetbegoviqit e vitit 1983 kërkonte një gjë të tillë. E vërteta është se manifesti i Izetbegoviqit nuk kërkon që Bosnja të bëhet shtet islamik.

Në stilin e saj autorja vazhdon me manipulime dhe konstatime kuturu, duke shkruar se lufta civile në Bosnjë u karakterizua nga masakrat e papërshkrueshme të ndërsjella. Ky konstatim duket sikur të jetë kopjuar nga shtypi nacionalist serb. Sipas kësaj logjike të gjithë kanë kryer krime dhe pastaj myslimanët e Bosnjës, konkretisht lideri i tyre Izetbegoviq «i solli në Bosnjë» rreth 6 mijë muxhahedinë nga bota arabe, Afganistani, Pakistani dhe vendet e tjera. E vërteta është se jo më shumë se disa qindra fanatikë fetarë, sidomos të tillë me përvojë në luftën e Çeçenisë, erdhën në Bosnjë për t’i përkrahur «vëllezërit e një feje», por shumë shpejt pas luftës ranë në konflikt me qytetarë boshnjakë, të cilët kundërshtonin versionin e tyre agresiv të islamit. Çfarë hesht Saïda Keller-Messahli është fakti se pala serbe në Bosnjë ka zhvilluar një luftë pushtuese. Siç vëren profesori Bieber 82 për qind e viktimave në mesin e civilëve janë myslimanë të Bosnjës (dhe 62 për qind të gjitha viktimave të luftës).

Në tekstin e Saïda Keller-Messahli mungon prezantimi i debateve pjesërisht të ashpra mes pjesëve të mëdha të shoqërive me shumicë myslimane në Ballkan dhe fanatikëve fetarë, lufta relativisht e suksesshme e autoriteteve të sigurisë në luftimin e ekstremistëve, variantet e ndryshme të islamit, roli i bektashinjve etj. Sikur të ishte ndalur te faktet «ekspertja» do të kishte vështirësi të frynte tezat e saj mbi rrezikun e madh që e pret botën perëndimore nga islamistët e Ballkanit. Nuk mund të mohohet se shoqëritë ballkanike me popullsi myslimane po ballafaqohen prej vitesh me fenomenin e ekstremizmit fetar. Nuk mund të mohohet se ka plot imamë të papërgjegjshëm dhe provokatorë me agjenda islamiko-politike. Nuk mund të mohohet se për shkak të shkatërrimit të sistemeve arsimore dhe varfërisë së madhe në Ballkan disa njerëz kërkojnë shpëtim te interpretimi rigjid i fesë. Nuk mund të mohohet se nga ky fenomeni i radikalizimit po infektohet edhe diaspora, sidomos ajo pjesë që ka mbetur e paintegruar. Megjithatë, as Ballkani, as Europa Perëndimore nuk gjenden para kapitullimit përballë ekstremistëve fetarë. Elementi sekular mbetet ende i fuqishëm dhe autoritetet e sigurisë kanë qenë mjaft të suksesshme në neutralizimin e fanatikëve. Gjithsesi, rreziku i atentateve nuk është shmangur dhe të tilla mund të ketë edhe në të ardhmen, por paralajmërimin e këtij rreziku me tone dramatike Saïda Keller-Messahli e ka shndërruar në njëfarë biznesi përmes Forumit të saj për islamin përparimtar.