Ora e parë e gjuhës shqipe do të mbahet në tetor në Izmir

Turqia ka lejuar që gjuha shqipe të mësohet në shkollat e mesme të ulëta. Mësimi i parë ne shqip pritet të mbahet në tetor në qytetin e Izmirit.

Foto: Shutterstock



Kryetari i Qendrës turke për Hulumtime Strategjike të Ballkanit (BASAM), Rifat Sait, thotë se vendimi për përfshirjen si lëndë zgjedhore të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në shkollat e mesme të ulëta, është mirëpritur nga qytetarët me origjinë nga Ballkani në Turqi, njofton Anadolu Agency (AA). Sait rikujtoi se gjuha shqipe dhe ajo boshnjake janë futur në programin shkollor si lëndë zgjedhore. Sipas tij ky vendim është pritur pozitivisht nga emigrantët e Ballkanit në Turqi.

Pas përcaktimit së gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake si lëndë zgjedhore për mijëra nxënës të 150 shkollave në Turqi, Sait bëri të ditur se Ministria e Arsimit të Turqisë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me Rektoratin e Universitetit të Trakyas, për përgatitjen e materialeve mësimore. «Ministri i Arsimit Ismet Yilmaz dhe zëvendësministri Orhan Erdem treguan përpjekje të mëdha që gjuha shqipe dhe ajo boshnjake të vendosen si lëndë zgjedhore. Ne si komunitet i Ballkanit i falënderojmë shumë. Në Izmir jeton një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë nga Ballkani. Ne u takuam edhe me ministrin e Arsimit, Ismet Yilmaz, i cili tha se ai do të marrë pjesë dhe shpresojmë se gjatë muajit tetor me pjesëmarrjen e ministrave të Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe me një organizim të bukur në Izmir do të mbahet mësimi i parë në gjuhën shqipe».