Ora 24:00 do të përcaktojë saktë të ardhmen e Brezovicës

Ora 24:00 e kësaj të marte do të përcaktojë saktë të ardhmen e Brezovicës. Pavarësisht se u tha se afati kalon të martën në mesditë, burimet e KTV-së brenda procesit kanë thënë se fjala ka qenë për orën 24, atëherë kur edhe përfundon data 31.




Këto burime institucionale kanë thënë të mos kenë marrë asnjë informacion nga konsorciumi, raporton KTV.

Ashtu sikur opinioni, edhe ata janë ende në pritje të marrjes së një lajmi nga konsorciumi francez.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nëse francezët sjellin garancionin financiar, atëherë komisioni i formuar nga kjo ministri brenda 10 ditësh do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin dhe pastaj të merret vendimi final.

E njëjta ka thënë se institucionet kanë planin B për këtë aset, por për ta realizuar atë duhet të miratohet Ligji për Investimet Strategjike që i mundëson qeverisë që të përzgjedhë investitorin strategjik për investime, por që investitori duhet të ketë 60% të shumës së investimit.

Edhe në rastin e Brezovicës, Bajrami ka deklaruar se kanë kontaktuar kompani me renome ndërkombëtare të fushës së skijimit.