Optimizëm!

Shikim përtej gardhit tonë ballkanik: cilat janë temat e rëndësishme të gazetës «Süddeutsche Zeitung» në numrin e fundit të këtij viti? Cilat ëndrra mund të bëhen realitet dhe përse Karl Marxi rrallëherë ka qenë më i popullarizuar se tani?

Foto: Shutterstock



Në fund të dhjetorit bëhet bilanci. Është koha e reflektimit. Çfarë e ka mundur botën (perëndimore) gjatë vitit? Trumpi dhe profili i tij në Twitter. Sulmet terroriste. Debatet për refugjatët. Kriza mes trashaluqit të Koresë së Veriut dhe SHBA-ve. Prosperiteti ekonomik i Kinës. Lufta në Siri. Prapë refugjatët: ata nga Afrika që ëndërrojnë një jetë më të mirë në Perëndim dhe presin në bregdetin e Libisë për të marrë rrugën detare drejt Italisë, pastaj… Pastaj: ku është e shkruar. Diku në Europë. Më së shumti në Gjermani. Bilanci i këtij viti zor se mund të jetë pozitiv. Mirë. Ndonjë luftë e madhe nuk shpërtheu, por bota mbetet e pasigurt. Loja me muskuj e Rusisë do të vazhdojë. Trumpi nuk do ta mbyllë profilin e tij në Twitter. Digjitalizimi i jetës sonë do të vazhdojë.

Por ka edhe zhvillime të tjera që na presin në vitin 2018. Për këtë nganjëherë është mirë të shikojmë përtej gardhit tonë. Në numrin e fundit të këtij viti, i cili botohet nesër, gazeta prestigjioze gjermane «Süddeutsche Zeitung» shkruan se më 2018 firmat private për herë të parë e kanë ndërmend t’i çojnë turistët në gjithësi. Në të ardhmen njerëzit do të mund të rezervojnë pushtimet jo vetëm në Sarandë, por edhe në qiell, në hava. Tre miliarderë po punojnë për t’i bërë realitet planet e tyre të guximshme. Ata janë: Jeff Bezos, shef i Amazon, Richard Branson, themelues i Virgin Group, Elon Musk, shef i Space X dhe Tesla.

Në vitin 2018 do të bëhen 200 vjet nga lindja e Karl Marxit. Kjo është një arsye që «Süddeutsche Zeitung» të botojë një tekst të gjatë, një faqe të plotë, faqen e faqeve – faqen 3. «Karl Marxi rrallëherë ka qenë më i popullarizuar se tani, para datëlindjes së ‘200 në vitin 2018. Është kështu, mes tjerash, edhe për shkak se ky filozof ka qenë edhe shkrimtar i madh. Një xhiro pranë tij nëpër përditshmërinë kapitaliste». Qe 250 vjet njerëzit pyesin se çfarë do të ndodhë pas 100 vitesh. Për këtë temë shkruan historiani Lucian Hölscher. Ai thotë se përkundër copëzimit të ardhmërisë në shumë ardhmëri, ne edhe sot nuk ia dalim dot po nuk patëm vizione. Autorja Jagoda Mariniq (kroate me origjinë) shkruan në kolumnen e saj mbi helmin e kundërshtimeve që ka depërtuar në komunitet. «Në vitin e ardhshëm na duhen më shumë hapësira për <mua dhe ty> dhe për <ne> – dhe një kulturë të re të bisedës mes njerëzve».

Në vitin 2018 (në gjashtë muajt e parë) Bullgaria do të marrë kryesimin e BE-së. Nuk është vend model, por i angazhuar. Një ese i gjatë merret me këtë temë: si mund të bëhem njeri i mirë? Kështu e pyesin veten shumë njerëz në fund të vitit. Autori i esesë thotë: duhet t’ia filloni.

Dhe fillimi nuk është i nevojshëm vetëm në Gjermani. Deri në pranverë ky vend do të ketë një qeveri të re – ose do të shkojë në zgjedhje. Epoka e Angela Merkelit po perëndon, dalëngadalë. Shumë njerëz në Ballkan, e posaçërisht në viset tona shqiptare nga Mitrovica në Strugë e tutje në Sarandë, tani me naivitet do të pyesin: e nëse shkon Merkel, çka do të bëhet me neve, a do të na përkrahë Gjermania të «hyjmë në Europë». E çuditshme: pakkush pyet a do të anëtarësohemi një ditë në Europë. Me hyrje shumë njerëz nënkuptojnë pranimin në BE pa i plotësuar kushtet. Anëtarësimi nënkupton plotësimin e qindra e qindra kushteve, është rrugë e mundimshme dhe për këtë duhet një mobilizim gjithëkombëtar.

Kur i sheh shumicën e politikanëve që drejtojnë punët publike në viset tona, s’kemi arsye të jemi optimist. Është një hendek i madh mes shefave të kopallave dhe kritereve të Kopenhagës, të cilat duhet plotësuar për t’u bërë pjesë e BE-së. Që të duket pak dritë në fund të tunelit në vitin 2018 partitë politike në Prishtinë dhe në Tiranë duhet t’ia fillojnë – t’ia fillojnë të merren me zgjidhjen e problemeve të grumbulluara. Rreziku është i madh që edhe vitin 2018 në Kosovë do ta humbim me konfrontime të brendshme politike dhe me lojëra speciale për t’i ikur drejtësisë speciale euro-amerikane. Edhe në Shqipëri polarizimi do të vazhdojë, sepse më shumë kapacitet nuk ka klasa e atjeshme politike. Megjithatë, ndoshta në pranverë ndodhë mrekullia dhe BE hap negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Ky do të jetë lajm i mirë dhe asgjë më shumë. Sepse puna e madhe tek fillon. Ka gjasa që Maqedonia me qeverinë e re socialdemokrate të përparojë më shpejtë në drejtim të BE-së. Ka paralajmërime se kryeministri Zoran Zaev do t’i japë fund zierjes së çorbës nacionaliste me figura heleno-antike – me qëllim të provokimit të Greqisë. Po u zgjidh çështja e emrit, atëherë Maqedonia mund të bëhet pjesë e NATO-s dhe do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Këtij lajmi duhet t’i gëzohemi të gjithë. Sepse së paku gjysmë milioni shqiptarë të Maqedonisë do të nisen drejt BE-së. Lirinë e lëvizjes ata e gëzojnë qe disa vite. Së paku diku në Ballkan ka shqiptarë optimistë, përkundër të gjitha vështirësive.
E.R.