Opozitarët kundër krijimit të qendrave kulturore boshnjake e turke në Prizren

Planifikimi i mjeteve për ndërtimin e qendrave rinore-kulturore boshnjake dhe turke nga Komuna e Prizrenit ka hasur në kundërshtinë e përfaqësuesve të opozitës.




Këta të fundit konsiderojnë se në periudhën kur po bëhen përpjekje të shumta për integrimin e komuniteteve, me këso lloj investimesh krijohen ndarje, që vështirësojnë bashkëjetesën. Mirëpo përfaqësuesit e komuniteteve nuk pajtohen me këto konstatime, duke shprehur bindjen se këto qendra janë të nevojshme për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës së komunitetit boshnjak dhe atij turk, shkruan sot «Koha Ditore».

Haziz Hodaj nga LDK-ja ka pohuar se këto projekte nuk i duhen Prizrenit, që shquhet për karakterin shumetnikë.

Mospajtimin në këtë drejtim ai e pati shprehur edhe në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. Ai pati shtruar pyetjen se përse po krijohen ndarje në kohën e integrimeve.

Memnuna Ajdini nga Vakati boshnjak ka theksuar se me gjithë mospajtimet e kolegëve nga opozita, ndërtimi i qendrave rinore kulturore shkon në drejtim të ruajtjes së identitetit të këtyre komuniteteve.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2016, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka planifikuar nga 50 mijë euro për ndërtimin e një qendre boshnjake dhe një qendre turke, ndërkohë që shuma të njëjta planifikohen të investohen edhe në vitet 2017 dhe 2018.

Në anën tjetër drejtori i DKRS-së, Arhim Ajazi, që vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, ka nënvizuar se Ekzekutivi komunal planifikon ndërtimin e qendrave rinore kulturore boshnjake dhe turke brenda në qytetin e Prizrenit.

«Për ndërtimin e qendrës kulturore turke ende nuk është gjetur lokacioni nga komuniteti turk. Ndërsa ndërtimi i qendrës kulturore boshnjake do të nisë këtë vit dhe do të vazhdojë vitin tjetër. Për këtë vit janë planifikuar 50 mijë euro. Qendra do të jetë e vendosur në lokacionin në Bazhdarhanë dhe vlera e përgjithshme e projektit është 226 mijë euro», ka thënë Ajazi. Sipas tij, në procedurë është marrja e lejes ndërtimore dhe pritet që gur themeli të vendoset në muajin tetor të këtij viti.

Në bazë të rezultateve të regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, në komunën e Prizrenit jetojnë afro 17 mijë pjesëtarë të komunitetit boshnjak dhe mbi 9 mijë pjesëtarë të komunitetit turk.