Opozita rikthehet në Kuvend për t’i bllokuar seancat

Opozita ka vendosur të largohet edhe më shumë nga Kuvendi, duke e përqendruar gjithë aktivitetin e vet jashtë institucioneve. Pas vendimit për mospjesëmarrje në mbledhjet e Kryesisë dhe bllokimit të seancave, nga e hëna tri partitë opozitare do ta bojkotojnë edhe punën e komisioneve funksionale brenda Kuvendit. Por, kurdo që thirret seanca ata do t’i përgjigjen, me qëllimin e vetëm – për të mos lejuar zhvillimin e saj.




Në faqen zyrtare të Kuvendit për të hënën është caktuar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, ku mes tjerash do të raportojë Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, shkruan sot «Koha Ditore».

Por, kryetari i këtij Komisionit, Haxhi Shala, që vjen nga radhët e Nismës për Kosovën, si dhe dy anëtarët e tjerë të opozitës Rrustem Berisha i AAK-së dhe Aida Dërguti nga «Vetëvendosje» nuk do të marrin pjesë.

«Siç e dini, opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit dhe që nga dita e nesërme (e hënë) është marrë vendim që të bojkotohen edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare», ka thënë shefja e Grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami.