Opozita refuzon çfarëdo bisede për vazhdimin e seancës

As pas pesëmbëdhjetë minutave të pauzës së deklaruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, me shpresë se gjatë kësaj kohe do të mblidheshin përfaqësuesit e grupeve parlamentare për të arritur një konsensus për vazhdimin e seancës, nuk u arrit ndonjë marrëveshje.




Tani deputetët po konsumojnë edhe një pauzë tridhjetë minutash, të shpallur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, raporton Koha.net.

Deputetët e opozitës vazhduan të qëndronin rreth foltores, ndërsa thirrjet e përsëritura të drejtuesit të seancës, Kadri Veselit, shkuan huq, meqë deputetët e Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën nuk pranuan të ulen për të biseduar, e as për të marrë fjalën në Kuvend për të shfaqur pikëpamjet rreth marrëveshjeve të Brukselit, për të cilat duhej të raportonte kryeministri Isa Mustafa.