Opozita përshkallëzon bllokimin me gaz, dënohet nga shumë anë

Opozitës i është dashur të përdorë gazin lotsjellës për ta vazhduar bllokimin e Kuvendit të Kosovës, të enjten, por ky përshkallëzim i situatës është dënuar nga shumë anë, duke i siguruar edhe një përkrahje ndërkombëtare shtesë koalicionit qeverisës, shkruan sot Koha Ditore.




Bllokada në Kuvendin e Kosovës gati sa nuk ka përshkallëzuar në përplasje kur brenda në sallë opozita ka hedhur gazë lotsjellës, për të pamundësuar vazhdimin e seancës. Seanca është ndërprerë sërish, por vetëm pasi koalicioni PDK-LDK ia ka dalë që nën presionin e filikaqave opozitare, vezëve dhe ujit që hidhej drejt tyre – t’i miratojë në parim gjashtë projektligje.

Opozita ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, se deshi të nxiste konflikt mes deputetëve, kur lejoi vazhdimin e seancës në ato rrethana. Por vetë Veseli ka akuzuar opozitën se tenton me çdo kusht të imponojë bllokimin me të vetmin synim marrjen e pushtetit.

Skenat kaotike të së enjtes në Kuvend janë dënuar nga presidentja, Qeveria dhe nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë.

Lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore në detaje për: Prej qetësisë së mëngjesit, deri në gazin lotsjellës të mesditës; Opozita arsyeton veten, thotë se «nuk do të kursejë asnjë mjet»; Pozita: Opozita nuk e ka hallin te marrëveshjet, por e do pushtetin me forcë. Lexoni po ashtu për: Opozita zbulon muralet e Kuvendit; SHBA: Armët nuk kanë vend në Parlament; O’Connell: Jam i tmerruar; Presidentja dhe Qeveria dënojnë dhunën; KMLDNJ: Seanca e Kuvendit në kushte të jashtëzakonshme!; Kuvendi mblidhet sërish javën tjetër, kërkohet forcimi i masave të kontrollit.