Opozita pa alternativë

Në vend të argumenteve, janë thyer vezët këtë javë në Kuvend. Ato u hodhën nga deputetët opozitarë në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa që në nisje të raportimit të tij për katër marrëveshjet e fundit me Serbinë.




Opozitarët i ikën ballafaqimit të argumenteve në këtë seancë plenare, e cila u shty për një ditë tjetër, shkaku që, pas aksionit kundër Mustafës, ata penguan fizikisht edhe zhvillimin e punimeve të mëtejme. Një seancë e ndërprenë edhe javën e shkuar, shkruan sot Koha Ditore.

Dhe, këtyre veprimeve dhe arsenalit të vezëve i kanë paraprirë edhe aksione të tjera, sikur gjuajtja në dy raste të ndara në drejtim të eskortës së kryeministrit, tentativa për të zhvilluar edhe aksione proteste në shtëpinë e tij në fshatin Prapashticë të Prishtinës, e edhe shfryrja e gomave të dhjetëra veturave qeveritare.

Paralelisht veprimeve, opozita përdor një diskurs të ri, të orientuar edhe në fyerje. Shembull i kësaj është edhe rasti kur Ramush Haradinaj e quajti «peder», një term përçmues për meshkujt me orientim homoseksual, kreun e delegacionin kosovar që i udhëhoqi negociatat për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.

Veprimet janë dënuar nga institucionet shtetërore, ndërsa kanë marrë notë negative edhe nga shumë diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Radikalizmi i opozitës shihet si pafuqi e saj për të konkurruar me ide në skenën politike, e njëkohësisht mungesë e alternativave kundrejt politikave qeveritare.

Vëzhgues të zhvillimeve politike thonë se do t’i kushtojë kjo më së shumti vetë opozitës. Po kështu, edhe se viktimizimi i kryeministrit mund ta mobilizojë rreth tij një pjesë të heshtur të elektoratit. Një alarm që japin, është edhe ai se armiqësia mund të bartet edhe në publik.