Opozita nuk pajtohet se bllokada do t’i shkaktojë dëme Kosovës më shumë se «Zajednica»

Bllokada që opozita po ia bën Kuvendit mund ta rrezikojë Kosovën edhe në proceset integruese. Këtë frikë e ka shprehur ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku.




Ai ka folur për mediat kosovare, duke kërkuar nga të gjithë akterët politikë të mos krijojnë pengesa në procesin integrues të vendit, sepse kjo do të pengonte procesin e integrimeve të Kosovës, raporton KTV.

Por, opozita thotë se më shumë Kosova do të dëmtohet nga marrëveshjet e Brukselit, prandaj nuk i shohin si penguese në procesin e integrimeve veprimet e tyre.

Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes i ka quajtur të pavërteta shpjegimet se Kosova do të integrohet përmes dialogut të Brukselit. Ai thotë se Kosova pesë vjet bëri koncesione e Serbia e ka statusin e kandidatit dhe datën e negociatave me BE-në.

Edhe shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, thotë se asgjë më shumë nuk do ta penalizojë Kosovën nëse këto marrëveshje do të implementohen, transmeton Koha.net.

Pavarësisht se çfarë thotë pushteti, opozita nuk e ka në plan të zmbrapset nga qëndrimet e saj dhe këtë bllokadë ka paralajmëruar se do ta bëjë edhe në seancën e 8 tetorit.