Opozita në Maqedoni kërkon rivotim, pushteti paralajmëron trazira

Partitë opozitare paralajmërojnë ankesa për manipulime të procesit zgjedhor në visa vendvotime. Vërejtje kanë edhe organizatat joqeveritare monitoruese të zgjedhjeve. LSDM dhe Besa pretendojnë se u është vjedhur nga një mandat nga VMRO-DPMNE dhe BDI. Nga partia e ish kryeministrit Gruevski, paralajmërojnë se në rast të ndryshimit të rezultatit në vend mund të ketë trazira.




Zgjedhjet e së dielës, edhe pse i ulën sadopak tensionet, nuk duket të kenë zgjidhur përfundimisht krizën politike në Maqedoni. As rezultatet e shpalluara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, me çrast me një dallim të ngushtë fituese u shpallën VMRO dhe BDI, nuk janë përfundimtare. Partitë opozitare dhe shoqëria civile, monitorues të zgjedhjeve, kanë denoncuar një sërë rastesh si në procesin e votimit, ashtu edhe në atë e numërimit. Ka dyshime për gabime ose mospërputhje të procesverbaleve dhe rezultateve elektronike, si dhe dyshime për manipulime në vetë ditën e zgjedhjeve.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp të martën tha se Gruevski nuk guxon ta formojë Qeverinë. Sipas tij, rezultatet nuk janë përfundimtare, ngase do të ankohen për shkak parregullsive. Kjo, sipas tij, do ta ndryshojë numrin final të mandateve të ndara. Zaev pretendon se ata dhe VMRO do të kenë nga 50 deputetë. «Shumica e qytetarëve votuan për jetë, liri dhe Maqedoni demokratike. Ata votuan për ndryshime. Kemi arritur rezultat për të cilin do të shkruhen në libra. Kemi mposhtur regjim me laps. Regjimi nuk guxon të formojë qeveri. «I porosisim partitë që fituan mandate të mos guxojnë ta shkelin vullnetin për ndryshime. Gruevski nuk guxon të formojë qeveri në Maqedoni», tha Zoran Zaev. Nga partia e tij kanë njoftuar poashtu se do të dorëzojnë edhe ankesa konkrete në Komisionin Shtetëror të zgjedhjeve.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti thonë se fitorja e tyre në zgjedhjet e 11 dhjetorit ka qenë e pastër dhe pa asnjë problem, ndërsa ankesat e Zaevit i vlerësojnë si tentim për t’ua vjedhur fitoren. Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE paralajmëroi se çdo tentim për ndryshim të rezultatit mund të shkaktojë trazira dhe revoltë tek qytetarët. «Qytetarët e Maqedonisë janë popull; populli votoi, populli nuk e ka ndërmend t’i lejojë Zaevit dhe bashkëpunëtorëve të tij t’ua vejdhë vullnetin e shprehur në mënyrë demokratike. Zoran Zaev dhe ata rreth tij duhet ta dinë se luajnë me durimin e njeriut të durueshëm, luajnë me mllefin e personit të durueshëm. Ky popull dëshmoi durim, por nëse dikush dëshiron t’ua vjedhë fitoren, ai durim shumë lehtë mund të kalojë në mllef», tha Gjorçev.

Ndryshime pritet të ketë edhe në bllokun politik shqiptar. Edhe partia opozitare Lëvizja Besa ka dorëzuar ankesa në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Kjo parti pretendon se është dëmtuar për dy deputetë në njësinë e dytë dhe të gjashtë zgjedhore, për shkak të shumë parregullsive që kanë zbuluar. Besa pretendon se ka zbuluar mospërputhje të rezultateve elektronike me ato të shënuara në procesverbale. «Janë vendvotime të rrethinës së Likovës, kemi në Haraçinë e në Tetovë, për të cilat konkretisht dhe taksativisht do të dorëzojmë parashtesa… Jemi dëmtuar me mbi 1’000 vota në të gjitha njësitë zgjedhore. Ne konstatojmë se këto keqpërdorime flagrante që kanë ndodhur, patjetër që do të përsëriten», deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa.

Vërejtjet e organizatave monitoruese të zgjedhjeve janë edhe më të shumta se të vetë partive. Qendra për Liri «Civil», organizatë joqeveritare që ka monitoruar zgjedhjet, ka kërkuar sot përsëritjen e votimeve në 30 vendvotime, si dhe rishqyrtim të të gjitha votave të shpallura si të pavlefshme, pasi thonë se monitoruesit e tyre kanë parë vota të vlefshme duke u shpallur të pavlefshme nga anëtarët e komisioneve zgjedhore. Xhabir Derralla, drejtues i kësaj organizate thotë se kanë zbuluar edhe anomali në listën e votuesve dhe keqpërdorime të detyrës edhe nga anëtarë të komisioneve vendore zgjedhore. «Fantomë dhe persona të vdekur kanë votuar, ndërsa qytetarët e gjallë s’kanë mundur të votojnë. «Civil» ka zbuluar presione të mëdha, kushtëzime, mbushje kutish, votim familjar dhe në grup, keqpërdorim të të miturve dhe blerje të votuesve në të gjitha zonat e vendit. Të punësuarit në institucionet e shtetit e kanë thyer heshtjen parazgjedhore dhe u duk sikur nuk ka heshtje parazgjedhore.

Një pjesë e raporteve të vëzhguesve të «Civil» kanë zbuluar raste të veprimit partiak të disa anëtarëve të komisioneve zgjedhore. «Janë zbuluar raste kur anëtarë të komisioneve zgjedhore u kanë sugjeruar qytetarëve për cilën parti të votojnë», deklaroi Deralla. Sipas informatave të para jozyrtare, nga ankesat e LSDM-së dhe Lëvizjes Besa, pretendohet ndryshim i rezultatit që do të ndryshojë edhe konfiguraconin e koalicioneve të mundshme. Nëse Lëvizja Besa i mer një mandat VMRO-DPMNE-së, atëherë kjo parti bie në kuotën e 50 deputetëve. Ndërkaq LSDM pretendon se një deputet i është vjedhur në njësinë e gjashtë; nëse e kthen këtë mandat, atëherë kjo parti ngritet nga 49 në 50 deputetë dhe barazohet me partinë e Nikolla Gruevskit. Por, ngritja e LSDM-së do të dëmtojë partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, e cila do të ulet nga 10 në 9 mandate. Kështu do të pamundësohej edhe vazhdimësia e koalicionit VMRO-BDI, ato do të ngelnin me 59 deputetë, ndërsa partitë opozitare bashkë do të kishin 61.