Opozita bllokon seancën e Kuvendit, pozita thërret ndërprerjen e saj

Kuvendi ka shkuar në një pauzë gjysmë orësh, në përpjekje për t’u krijuar kushte që ajo të mbahet.




Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, që duhej të niste sot nga ora dhjetë, është bllokuar nga deputetët e opozitës – të Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën. Rreth foltores që në fillim ishin vendosur përfaqësues të këtyre subjekteve.

Ndërkohë kryesuesi i seancës, Kadri Veseli, ia la në dispozicion mikrofonin deputetit të Vetëvendosje, Glauk Konjufcës.

Kryetari i GP të LVV-së, Glauk Konjufca nga mikrofoni i kryetarit të Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk mund të ketë seancë të rregullt derisa të mos vjen Isa Mustafa dhe të tërheq nënshkrimin në marrëveshjen e Zajednicës, raporton Koha.net. Ai ka rikujtuar gjakun e derdhur për shtet, shkeljen e të cilit askush nuk ka mandat ta shkel.

Kryekuvendari Vesli ka ftuar edhe përfaqësuesit e pozitës të deklarohen se si të procedohet.

Falënderoj Veselin për qëndrimin dinjitoz, ka thënë Adem Grabovci i PDK-së. Qëndrimet e GP janë të qarta, ne nuk kemi qenë kundër debatit, ne kemi qenë gjithmonë për debat që të diskutojmë çështje bashkë. Këtë që po bëjnë opozita është mohim i të drejtës së parlamentaret. Pakica po bllokon shumicën. Duhet të lejohet të paraqiten qëndrimet nga të dy palët dhe jo në mënyrë të dhunshme t’i dëmtohen interesat e vendit, shtetit. Ai ka thirrur për arsye dhe që të mos i zhgënjemë miqtë tanë. Duke shprehur për situatën Grabovci ka kërkuar ndërprerjen e seancës, sepse bllokimi i parlamentit është bllokim i gjithë shtetit të Kosovës. Për Zajednicën jemi të gjithë të gatshëm të flasim.

Nga radhët e LDK-së, foli deputeti Arben Gashi. Ai kërkoi të krijohen kushte që seanca të vazhdojë. Duhet ta dimë se çka po dëshiron opozita. Kuvendi duhet të marrëvendim për krijimin e kushteve për zhvillimin e seancës. Gashit nuk i kishte pëlqyer fare se pse Konjufca foli nga mikrofoni i kryetarit të Kuvendit Veseli.

Deputetët tani janë në një pauzë gjysmë orësh, të dhënë nga kryetari Veseli.

Nuk dihet nëse do të vazhdojë seanca, ose si do të mund të vazhdojë, kur opozita ka thënë se do ta mbajë të bllokuar.