Operatorët turistikë kërkojnë më shumë siguri, pas ngjarjeve të fundit në Vlorë

Për operatorët turistikë, dy atentatet e të martës dhe tre të vrarë në muajin e fundit, e bëjnë Vlorën të duket më pak e sigurt për turistët, edhe pse policia lokale thotë se ka reaguar shpejt.

Qyteti bregdetar i Vlorës. Foto: Ivana Dervishi / /BIRN



Tre persona u vranë ndërsa një makinë u hodh në erë në më pak se një muaj në Vlorë. Operatorët turistikë të qytetit e shohin situatën e rendit me shqetësim dhe kërkojnë nga policia t’i kushtojë më shumë vemendje asaj, pasi sipas tyre, kjo ndikon në numrin e vizitorëve që qyteti ka dhe që është një prej burimeve kryesore ekonomike.

Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistik për Jugun, Vasil Bedinaj i tha BIRN-it se është thuajse e pamundur të pretendosh që pushuesit të vijnë pa hezitim në Vlorë. «Situata sa i përket rendit dhe sigurisë publike, duhet të mbahet nën kontroll, jemi në sezon turistik dhe çdo lajm kronike ndikon në turizëm. Rastet e fundit tregojnë më së miri se  situata e rendit në Vlorë kërkon më shumë vëmendje”, tha Bedinaj.

Ndërkohë Drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Gentjan Shehaj tha gjithëçka mund të bëjë policia në këtë raste është reagimi në kohë. «Ne si drejtori e policisë së Qarkut të Vlorës kemi për detyrë të parandalojmë dhe reagojmë në kohë. Në të dyja ngjarjet reagimi i uniformave blu ka qënë i menjëhershëm. Në ngjarjen e parë arritëm në një kohë shumë të shkurtët të vëmë në pranga autorin dhe për shpërthimin me eksploziv në automjet po punojmë», tha Shehaj.

Të martën e kaluar dy ngjarje pasuan njëra -tjëtrën. Në një atentat u vra në banesën e tij, në lagjen «Partizani» pranë rrugës drejt Spitalit Rajonal, 40-vjeçari nga Tropoja, Fatjon Sinanaj. Në të njëjtën ditë automjeti tip Ford Autoveturë me targë AA 987 KP u hodh në erë. Automjeti, i cili ishte i parkuar në një rrugë dytësore pranë bashkisë së qytetit, në pronësi të shtetasit Elton Ismailaj, 42 vjeç. Por ngjarjet e së martës, pasuan vrasjen e dyfishtë të 25 Majit, ku në një atentat u vranë Roland Saliu dhe Mirvjen Hyseni.

Sipas Vasil Bedinaj këto ngjarje të cilat ndodhin në ambiente publike, në rrugë të frekuentuara dhe orare ku ka shumë popullim, dëmtojnë imazhin e qytetit  «apo dhe reduktimi i pushuesve vendas apo të huaj vështirëson sektorin i cili i gjeneron qytetit pjesën më të madhe të të ardhurave». Bedinaj nuk fajëson policinë pasi i sheh ngjarjet si «kryesisht larje hesapesh», por kërkon «nga institucionet përkatëse, konkretisht policisë, të thelloj bashkëpunimin me të gjithë aktorët lokal për të pasur një rezultat pozitiv të menaxhimit të qytetit, por edhe sa i përket ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike».

Bedinaj thotë se nuk mjafton të rriten kapacitetet apo të ndërtohet infrastrukturë, pasi «kemi nevojë të kemi një qytet që ofron siguri për jetën e pushuesve, turistëve vendas apo të huaj».

Drejtori i Policisë së Qarkut sidoqoftë beson se efektivët që ai drejton ngjallin besim.

«Ndërkohë për qytetarët është e rëndësishme të shikojnë një polici të përkushtuar në shërbim të tyrë. Gatishmëria e uniformave blu rrëzon çdo frikë te qytetarët, të cilët duhet të jenë të sigurt se policia është e gjitha në gatishmëri dhe në shërbim të tyre. Nuk jemi në kohëra që mund të ketë destabilitet», tha ai.

Ndërkhë Viktor Avdia, i cili punon në sektorin e turizmit si guidë turistike mendon që faji është te mediat. «Këto lajme duhet të publikohen rrallë, pasi ato e ulin në zero interesin e të huajve për të vizituar qytetin», thotë Avdia. Megjithatë ai e pranon se kur mungon siguria e jetës nuk vlen asnjë potencial turistik. «Nëse ngjarja e mbrëmshme do të ndodhte para një grupi me turist do të sillte një imazh të errët te çdo i huaj», thotë ai.

Mirela Koçi, drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal (Auleda) beson se ngjarjet janë sporadike dhe të ngjashme me ato që ndodhin edhe në vende të tjera dhe kërkon që të mos amplifikohen nga media. «…përjashtuar rastet kur organet e rendit nuk kanë kryer detyrën e tyre, kjo pasi dëmtojnë jo vetëm imazhin e qytetit, por shtojnë pasigurinë në rradhët e qytetarëve», thotë Koçi.

(https://www.reporter.al/operatoret-turistike-kerkojne-me-shume-siguri-pas-ngjarjeve-te-fundit-ne-vlore/)