Operacioni «Varreza»: Si u përpoq shërbimi sekret turk që kidnapojë në Zvicër një biznesmen

Gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» ka zbuluar një skandal të madh në të cilin - sipas të gjitha gjasave - është involvuar shërbimi sekret turk (MIT) dhe Ambasada e Turqisë në Bernë. Agjentët e Ankarasë janë përpjekur të kidnapojnë një shtetas zviceran dhe turk në territorin e Zvicrës. Rrëmbimi ishte përgatitur mes varreve afër Zürichut dhe një personi i ishte ofruar një shumë e madhe parash.

Selia e Shërbimit Sekret të Zvicrës në Bernë.



Njerëzit te varrezat shkojnë ose për të varrosur dikë ose për të përkujtuar të afërmit e tyre. Por në një ditë gushti të vitit 2016 nën një lis te varrezat e një fshati afër Zürichut u tubuan katër veta për të planifikuar rrëmbimin e një njeriu. Pra, këta njerëz po thurnin plane për të kryer një krim. Siç njofton gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» tre agjentë turq, sipas të gjitha gjasave pjesëtarë të shërbimit sekret turk MIT, e ftuan një bashkëkombës për një takim te varrezat e lokalitetit zviceran. Bashkëkombësi, të cilin e përditshmja e Zürichut e quan Emre, është prind. Ai jeton prej kohësh në rrethinën e Zürichut dhe është shtetas zviceran dhe turk. Përfaqësuesit e shtetit turk e lusin Emren të bëhet patriot dhe të veprojë kundër një turku tjetër, një biznesmeni, i cili, sipas agjentëve, po punonte kundër Turqisë. Biznesmeni akuzohej se përkrahte puçistët në Turqi, të cilët në korrik 2016 kishin tentuar të rrëzojnë nga pushteti presidentin Rexhep Taip Erdoan.

Agjentët e dyshuar të MIT kërkojnë nga Emre të mbledhë informata për biznesmenin, pastaj ata do të kërkonin që Emre të angazhohet drejtpërdrejtë në kidnapimin e tij. «Tages Anzeiger» shkruan se për herë të fundit nazistët kidnapuan në vitin 1935 gazetarin Berthold Jacob nga Baseli. Tani diçka të tillë provuan turqit.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Problemi i agjentëve turq ishte ky: ndërsa ata po tentonin që mes varrezave t’ia mbushnin mendjen Emres për të kidnapuar biznesmenin, në prapavijë krejt ngjarjen po e observonte shërbimi sekret zviceran. Agjentët zviceranë ia dolën që krejt planin e turqve për kidnapim të një njeriu në territorin e Zvicrës ta dokumentojnë mirë. Andaj qeveria e Zvicrës autorizoi Prokurorinë Federale të nisë hetimet. Zakonisht aferat e shërbimeve sekrete zgjidhen në mënyrë diskrete: agjentët huaj të zbuluar deportohen në vendin e tyre. Para disa vitesh, për shembull, Zvicra kishte zbuluar një agjent izraelit duke montuar mjete përgjimi në bodrumin e një aktivisti të organizatës ekstremiste palestineze Hamas. Pas arrestimit agjenti ishte dëbuar menjëherë në Izrael. Në rastin e turqve Zvicra ka vendosur të veprojë ndryshe, sepse bëhet fjalë për përgatitje të një krimi: kidnapim të një shtetasi zviceran nga një shërbim i huaj, në këtë rast nga MIT-i turk. Në aksionin e përgatitjes së rrëmbimit, sipas «Tages Anzeiger», kanë qenë të involvuar edhe dy diplomatë të Ambasadës së Turqisë në Bernë.

Në fotografitë që i kanë shkrepur agjentët zviceranë janë identifikuar dy burra. I pari është Hakan Kamil Yerge, sekretar i dytë i Ambasadës në Bernë, i cili më vonë u tërhoq nga posti. Personi tjetër quhej Haci Mehmet Gani, i cili më 2012 ishte dërguar si atashe për shtyp në Ambasadën e Turqisë në Bernë. Sipas informatave të gazetës zvicerane Haci Mehmet Gani ishte, në të vërtetë, agjent i shërbimit turk. Posti i atasheut për shtyp ishte vetëm maskë. Gani flet dobët anglisht dhe asnjë nga gjuhët zyrtare të Zvicrës. Kur ishte emëruar në Bernë, gazetat turke kishin pyetur se si mund të krijojë kontakte ky zyrtar me mediat zvicerane. Duket se detyrë e tij ka qenë të observojë komunitetin turk në Zvicër, të zhvillojë takime me mbështetës të presidentit Rexhep Taip Erdoan dhe të përgatisë kidnapimin e një biznesmeni të dyshuar për lidhje me lëvizjen Gylen.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Gjatë punës në Zvicër Haci Mehmet Gani ishte njoftuar me Emren dhe kishte kuptuar se ai ka probleme të mëdha financiare. Andaj agjentët turq kishin bërë planin t’i ofrojnë Emres para të majme që ky pastaj t’ia hedh biznesmenit disa pika në ushqim dhe për pasojë ai do të humbte vetëdijen dhe do të kidnapohej. Në takimin e tretë mes agjentëve turq dhe Emres, i cili u zhvillua te një garazhe e veturave të përdorura, pasoi oferta djallëzore: agjentët i ofruan një çantë me para, disa dengje me nga 500 euro. Njëri nga agjentët i tregoi Emres një shishe të vogël me të ashtuquajturat «pika të nokautit», të cilat po i konsumove ta marrin vetëdijen brenda pak minutash. Emre frikësohet dhe nuk pranon të bëhet pjesë e planit. Ai humb pa gjurmë. Kur agjentët turq e kërkojnë në shtëpinë e tij, gruaja e Emres i përzë. Në pranverë të vitit 2017 Emre merr një ftesë nga Prokuroria Federale e Zvicrës për një bisedë. Sipas një burimi Emre më parë kishte njoftuar Ambasadën e Turqisë në Bernë se e ka ndërmend të flasë hapur me autoritetet zvicerane, të cilat tashmë po hetojnë kundër spiunazhit politik dhe dyshimit për përgatitje të kidnapimit nga një shtet i huaj, në këtë rast Turqia.

Diplomatët Yerge dhe Gani me gjasë nuk do të merren në pyetje. Ata gëzojnë imunitet diplomatik dhe që të dy janë tërhequr nga Zvicra. Rreziku për biznesmenin nuk është shmangur ende. Policia e Zürichut është duke e ruajtur atë. (dp)

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA