Operacioni «tërheqja vjeshtore»

Vendimet e para të kabinetit qeveritar tregojnë se në Kosovë mund të vish në pushtet me 100 dredhi, pastaj duhen 1000 dinakëri në dëm të vendit për të qëndruar në pushtet.



Tërheqja e parë
Së paku në 12 muajt e ardhshëm Kosova nuk do të jetë pjesë e Interpolit. Kryeministri i ri i vendit ka vendosur të «shtyjë» kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në organizatën botërore kriminalo-policore Interpol. Për këtë akt fajin nuk e bart vetëm ky kabinet. Edhe ai para tij ka dështuar të sigurojë mbështetjen e duhur që Kosova të jetë pjesë e Interpolit. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës do të mbetet jashtë këmbimit të informacioneve sa i përket operacioneve të rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative. Ndonëse Kosovën e kanë pranuar si shtet të pavarur mbi 110 vende të botës, pra shumica e shteteve anëtare të OKB-së, qeveria nuk është e sigurt nëse të gjitha këto shtete do të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Tërheqja e dytë (e pritshme)
Kryeministri aktual si njëri prej liderëve të dikurshëm të opozitës kishte thënë se marrëveshja për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka vdekur. Është premtuar se demarkacioni i famshëm do të zhbëhet dhe kufiri i ri i Kosovës me Malin e Zi do të jetë në Çakor dhe te Kulla e Zhlepit. Komisioni i deritanishëm për kufirin me Malin e Zi është shkarkuar, ndërkohë që po krijohet një komision i ri, i cili, me ndonjë përjashtim, është edhe më i dobët se ai i deritanishmi. Problemi bëhet edhe më i patejkalueshëm kur të merret parasysh se qeveria e Kosovës nuk po flet me një zë. Ndërsa kryeministri do të matet në opinionin me premtimin e tij se do ta zhvendosë kufirin «aty ku ka qenë përherë», zëvendësi i kryeministrit nga New Yorku jep haberin se Mali i Zi nuk ka fare disponim të flasë për këtë temë. Kujt t’i besohet? Gjasat janë të mëdha që çështja e demarkacionit do të kontrabandohet disi, pa ndryshime thelbësore. Ose do të rrëzohet në parlament, por pa plan se si do të veprohet më tutje. Çmimin për këtë do ta paguajnë qytetarët e Kosovës, të cilët do të mbesin të izoluar edhe për një kohë të pacaktuar.

Tërheqja e tretë
Në fjalimin e tij të parë para parlamentit kandidati për kryeministër e përmendi korrupsionin si një ndër të këqijat më të mëdha të vendit. Pastaj, me zaptimin e zyrës, shefi i qeverisë mori vendim që këshilltarët, shërbëtorët dhe gjeostrategët për matje të fushave dhe livadheve të Kosovës të pajisen me telefona të rinj, të mençur, të shtrenjtë. Kështu shpresohet se do të rritet kapaciteti intelektual i ekipit duke lozur tërë ditën me iPhona të rinj. Kjo është tërheqja e parë nga premtimi për qeverisje ndryshe, me duar të pastra, demek. Tërheqje të tjera do të pasojnë.

Tërheqja e katërt
Nuk dihet nëse një ministër i kabinetit, i cili përfaqëson komunitetin serb, vërtet ka kryer krime apo jo. Dolën disa njerëz para mikrofonave të televizionit dhe thanë se personi në fjalë, i cili menaxhon miliona në fushën e bujqësisë, në vitin 1999 ka kryer krime. E udhës do të ishte që derisa të sqarohen akuzat, ministri të largohej nga posti dhe punën ta kryente zëvendësi i tij. Nëse dëshmohet se nuk ka kryer krime, atëherë do të duhej të arrestoheshin dëshmitarët e rrejshëm (nëse janë të rrejshëm). Kështu do t’u jepej një leksion të gjithëve. Dhe ministri do të mund të kthehej në punë – ose të dilte para trupit gjykues, varësisht nga cilësia e dëshmive. Kështu çështja mbetet pezull. Jo pak njerëz në opinion mund të besojnë se ministri ka kryer krime, por edhe kredibiliteti i dëshmitarëve do të mbetet e pasigurt.

Tërheqja e pestë (e pritshme)
Kosova i ka votat për t’u anëtarësuar në UNESCO. Kështu tha zëvendësi i kryeministrit, por premtimet e tij duhet marrë po aq seriozisht sa besimi dikur naiv i jo pak kosovarëve se shteti afrikan i Malit do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën nëse sundimtarët e tij mashtrohen me disa kolltukë dhe kompjuterë. Njëkohësisht disa diplomatë të Kosovës kanë deklaruar në kushte anonimiteti se Prishtina nuk do të kandidojë fare për anëtarësim në UNESCO nga frika se do të dështojë si në vitin 2015.

Tërheqja e gjashtë
Politikanë të komunitetit serb, të cilët përkrahin qeverinë e Kosovës, udhëtimin e parë e realizuan në Moskë, ku u takuan me prijës të partisë së Vladimir Putinit. Pastaj shefi i Listës Serbe vazhdoi rrugën për në Paris, ku takoi ambasadorin serb në UNESCO dhe mori pjesë në prezantimin e një filmi të një propagandisti serb, në të cilin shteti i Kosovës krahasohet me «Shtetin Islamik». Sikur kjo nuk mjaftoi, shefi i Listës Serbe tha se Kosova është zemër, shpirt dhe qendër e Serbisë. Përballë këtyre provokimeve në Prishtinë nuk u dëgjua asnjë fjalë qortuese nga qeveria e Kosovës. Dhe kjo tërheqje ishte e pritshme, sepse qeveria është e varur nga votat e Listës Serbe. Kështu kundërshtimi i shtetit të Kosovës po shndërrohet në pjesë përbërëse të politikës së qeverisë së Kosovës. Kaq absurde është politika në Prishtinë tani për tani. Por, me rëndësi që këshilltarët, shërbëtorët dhe gjeostrategët në ditët në vijim do të pajisen me telefona të rinj e të mençur. Nëse i takoni ndokund në qytet e keni për borxh t’u ndihmoni si të punojnë me aparatet e reja telefonike dhe të shkarkojnë aplikacionin «tërheqja vjeshtore».