OJQ-të në Maqedoni përballen me inspektime pas kërcënimeve politike

Numri i inspektimeve ndaj organizatave joqeveritare në Maqedoni pritet të rritet pas akuzave që lideri i VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, i bëri shoqërisë civile të financuar nga jashtë.

Shkupi i ri - sipas përfytyrimeve të Nikola Gruevskit dhe arkitektëve të tij. Foto: Shutterstock



Zyra Publike e të Ardhurave (UJP) konfirmoi të martën se po përgatitej të dërgonte inspektime financiare te Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia dhe 20 organizata të tjera joqeveritare, por hodhi poshtë akuzat se këto veprime ishin motivuar nga kërcënimi i partisë në qeveri për të luftuar grupet e sektorit të shoqërisë civile të financuara nga ndërkombëtarët, të cilat sipas saj punonin për interesa të huaja. «UJP kryen vazhdimisht kontrolle te të gjithë taksapaguesit bazuar në juridiksionin ligjor, pavarësisht ngjarjeve politike që ndodhin në vend», tha UJP në një deklaratë për shtyp. Zyra shtoi se shtimi i inspektimeve ishte marrë në përgjigje të kërkesës nga një tjetër institucion shtetëror në nëntor, duke sugjeruar se parashikimi i veprimit tejkalonte datën e zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Megjithatë, grupet e shoqërisë civile dyshojnë për presion politik, pasi ish-kryeminisri Nikola Gruevski bëri thirrje për «de-Soros-izim të vendit» – një referencë për financierin miliarder George Soros, i cili themeloi rrjetin ndërkombëtar të grantdhënies Fondacioni Shoqëria e Hapur. «Lajmërimi se inspektimet do të ndodhin pas zgjedhjeve thekson presionin e orkestruar kundër organizatave të shoqërisë civile në Maqedoni në një çast delikat të krizës politike», tha Fani Karanfilovska, kreu i Fondacionit Shoqëria  e Hapur Maqedonia (FOOM). «Është shumë rastësi për të thënë se ishte një inspektim rutinë. Kjo nuk  ka ndodhur më parë dhe vjen në të njëjtin çast kur kryeministri Gruevski kërkoi de-Soros-izim të Maqedonisë», tha Bojan Mariçiq, kreu i Qendrës Maqedonase për Trajnim Europian, një OJQ që do të inspektohet. «Organizatat që po inspektohen, rastësisht, janë të gjitha në një farë mënyre në partneritet me FOOM», shtoi ai.

Inspektimet vijnë vetëm disa ditë pasi Gruevski kërcënoi grupet e shoqërisë civile që financohen ose dyshohen për financim nga Soros. Duke lexuar një deklaratë të partisë e cila akuzonte komisionin zgjedhor të Maqedonisë dhe ambasadorët e huaj se po përpiqen të vjedhin fitoren e tij zgjedhore, Gruevski tha të shtunën se partia e tij zotohet të luftojë për atë që ata mendojnë se do të jetë një «sektori civil i pavarur dhe jashtë kontrollit të askujt». Ai tha se autoritetet do të «fillojnë të rregullojnë fushën e financimit të fondacioneve dhe OJQ-ve, duke marrë shembull nga demokracitë më të zhvilluara në botë». Duke folur në një panel diskutimi të hënën, Zaneta Trajkovska nga Instituti për Studime Komunikimi me bazë në Shkup, dënoi kërcënimin e Gruevskit për përndjekje të OJQ-ve. «Këto janë fjalë shumë të rrezikshme, fjalë të jotolerancës dhe gjuhës së urrejtjes. Pyes veten, si do të bindim shtetasit në BE, se duam të bëhemi një vend anëtar dhe që i kemi vlera të tilla», pyeti Trajkovska.

Gruevski e mbajti fjalimin përpara selisë së Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërkohë që mendohet se po shqyrtoheshin ankesat e opozitës, në sfond të pasigurisë për numrin e deputetëve që do të marrin partia në pushtet dhe opozita. Gjykata Administrative do të japë vendimin përfundimtar për ankesat në fund të të martës. Vendimi pritet të ndikojë në vendet që do të fitojnë partitë kryesore dhe shanset që do kenë ato për të krijuar një qeveri.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/ojq-te-ne-maqedoni-perballen-me-inspektime-pas-kercenimeve-politike/)