OJQ «Koha» akuzon Komunën e Klinës për ndarje jo të drejtë të buxhetit komunal

Organizata joqeveritare «Koha», e cila monitoron punën e Kuvendit Komunal të Klinës, nëpërmjet një komunikate ka akuzuar pushtetin lokal për miratimin e buxhetit në mënyrë joproporcionale.




«Destinimi i afro 1.5 milionë eurove për rregullimin e rrugëve në qytet (shtrimi me kubëza) bie në kundërshtim të thellë me politikat zhvillimore dhe shërbimet esenciale që do duhej të planifikonte dhe ofronte Komuna e Klinës. Këtu do të duhej cekur që vetëm në sektorin e bujqësisë, për tre vjetët e ardhshëm janë paraparë mjete financiare prej 70.000.00 eurosh për vit, shumë kjo tejet e ulët kur krahasohet me projektin për shtrimin e rrugëve me kubëza në qytet», thuhet në komunikatën e kësaj organizate, shkruan sot «Koha Ditore». Sipas saj, kjo ndarje jo e drejtë e buxhetit komunal më së miri reflektohet në sektorin e shërbimeve të shëndetësisë, i cili nuk ka buxhet.

«OJQ ‘Koha’ vlerëson që një pjesë e buxhetit komunal për tre vjetët e ardhshëm është ndarë pa ndonjë vlerësim të duhur të nevojave të qytetarëve të Klinës, pa pasur si synim zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e kësaj komune», thuhet në komunikatë.