Oj Kosovë, oj dasma ime!

Gjatë muajve të verës Kosova shndërrohet në një hapësirë që ekziston dhe vizitohet vetëm për t’u martuar dhe për t’u «rehatuar».




Korrik! 33 gradë celsius! Dyndje fluturimesh dhe veturash nga Evropa Perëndimore për në Kosovë. Aeroporti i Prishtinës është shndërruar në një arenë hibride mes salloneve të kanagjeqeve, parkingjeve dhe sallave për fotografi. Ata që aterrojnë dhe ata që presin duken sikur do të nisen direkt e në dasmë. Take të larta, shminka me tepri, flokë të tejzgjatura.

Kështu fillon pelegrinazhi veror i diasporës. Në Kosovë, për dasma! Gumëzhitje e makinave ditën nga boritë për nuset, natën nga boritë për pikë të qejfit. Mbipopullim i bareve, furrave të bukës dhe (sidomos) qendrave tregtare. Skizofreni në sektorin e shërbimeve, posaçërisht hoteleri, restorante dhe sallone të bukurisë. Dasmë, për çdo ditë të lume. Dy herë në ditë! I njëjti restorant, e njëjta muzikë, e njëjta sofër me burra duke kënduar këngë patriotike. E njëjta modë, i njëjti grim prej geishash që kushton njëlloj sa në Luzern e Bruksel, të njëjtat kanaçe të pijeve energjike nëpër tavolina. Ky është rituali dymujor.

Gjatë rrugës njoftohem me një 16-vjeçare nga një qytet i Kosovës. Në shoqërinë e dy prindërve ajo është nisur nga Gjermania për në Kosovë, këtë herë jo thjeshtë për pushim, por për fejesë. Do të fejohet me një djalë me të cilin kishte «shkru shumë në what’s app». Krenar dhe i lumtur babai i saj po më shpjegonte se vajza «shqyqr e gjet një shqiptar e nuk dështoi». «I kam thënë në fillim, e gjen gjerman rruga e mbarë t’koftë. Po n’shpi timen vend mo s’ke». Është legjitime të ndjehesh i lumtur (ndoshta edhe krenar) për faktin se fëmija yt do të lidhë jetën me një njeri të «grupit» të njëjtë. Për prindër të tjerë lumturi e krenari do të ishte sikur fëmija i tyre të lidhte jetën me dikë të denjë për të. Për mua nuk ishte aspak e këndshme, e aq më pak krenari, të shihja një 16-vjeçare të veshur si punëtore seksi dhe që synim kryesor në jetë pas fejesës e kishte të punonte në «Zara». Por, lumturitë dhe krenaritë janë subjektive, në fund të fundit.

Vajza e kishte kryer misionin e vet – atë me të cilën ngarkohet secili shqiptar i Kosovës që në lindje – martesë me shqiptar. Të tjerat janë detaje! Ajo çfarë më bëri përshtypje e thënë nga goja e një njeriu që kishte 30 vite ne Gjermani ishte fakti se për të do të ishte dështim dhe shthurje e familjes në rast se e bija do të kishte «gjetur» një jo-shqiptar për burrë. Ndërkohë më shumë se gjysma e familjeve në Bruksel janë familje të përziera, ku fëmijët rriten me të paktën tre gjuhë të huaja.

Këtë narrativë e dëgjoj shumë shpesh nga prindër në diasporë, shpesh edhe të afërm të mi. Ideja se mund t’ua kufizosh gjeografikisht e etnikisht personat të cilëve fëmijët do të mund t’ua pëlqejnë xhinset, flokët, stilin si tinejxherë sa më frikëson aq më duket edhe e paarritshme. Një qasje e tillë i bën fëmijët shqiptarë që rriten në diasporë ta ndajnë me thikë jetën materiale në Gjermani dhe atë shpirtërore në Kosovë. Kësisoj shokët e shoqet gjermanë, belgë, zviceranë nuk janë subjekt njerëzor me të cilët mund të ndodhë të krijosh lloj-lloj lidhjesh – qoftë edhe intime, martesore etj. Ata duhet të bëhen të padukshëm gjersa ti rritesh, edukohesh, bëhesh i pavarur. Ata janë trupa dhe shpirtra të abstrahuar. Ndjenjat për ta janë të papranueshme. Pavarësisht se duke u rritur në të njëjtin ambient mund të ndodhë të kuptohesh shumë më mirë më ta se me shqiptarë të Kosovës të rekomanduar nga farefisi apo të begenisur në «what’s app».

Gjatë muajve të verës Kosova shndërrohet në një hapësirë që ekziston dhe vizitohet vetëm për t’u martuar dhe për t’u «rehatuar». Jo Kosovën vetëm si arenë dasme, por Kosovën edhe si subjektin hegjemonik për ku mendohet martesa. Martesa me shqiptar! Mundësisht vetëm me shqiptar të Kosovës! Ende më mirë me një shqiptar të rajonit/qytetit tënd (lexo: qytetit ku ndoshta ende jetojnë gjyshërit e tu). Në shqiptari dhe në Kosovë përfundon lidhja, dashuria dhe jeta bashkëshortore. Gjithçka e kësaj natyre që materializohet jashtë këtyre kufijve etnik e gjeografik bëhet përzierje. Në të kuptuarit tonë shovinist fjala «përzierje» në këtë kontekst nënkupton ndotje, kontaminim. Ky është pelegrinazhi më kokëfortë i diasporës kosovare. Edhe më i fortë se ai për dërgimin thjeshtë të parave, për humanitet me «fukarenjtë» e Kosovës, apo edhe për dashurinë për mëmëdhe. Nuk ka rëndësi ku ke lindur, ku je shkolluar, ku jeton. Vetëm në Kosovë ka kuptim martesa, gruaja dhe sidomos – burri.

Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë