Oficeri shqiptar i Ushtrisë së Zvicrës dhe pasojat fatale të një «budallallëku»

Një shqiptar me shtetësi zvicerane dhe me gradën lejtënant-kolonel është gjobitur për shkak se ka falsifikuar një urdhër të ushtrisë me qëllim që të udhëtonte pa pagesë me tren.

Njësi e Ushtrisë së Zvicrës.

Kur në shtator të vitit të kaluar ishte zhvilluar gjykimi në instancën e parë, gjykatësja kishte thënë se rasti që po trajtonte ishte ndër më absurdët në jetën e saj profesionale. Gjatë shqyrtimit të lëndës në instancën e dytë të hënën, avoktaja e të akuzuarit tha se bëhej fjalë për një «budallallëk». Gjykata e Lartë e Zürichut nuk e pranoi këtë argument dhe konfirmoi vendimin e shkallës së parë: 4800 franga gjobë dhe 6000 franga shpenzime të procesit duhet t’i paguajë një oficer shqiptar i Ushtrisë së Zvicrës për falsifikim dokumenti.

Çfarë kishte bërë ai? Gjykata ka konstatuar se shqiptari, i cili në Ushtrinë e Zvicrës mban gradën lejtënant-kolonel, ia kishte lëshuar vetes një urdhër ushtarak për kohën prej 30 prillit deri më 25 maj 2012. Ky urdhër atij i mundësonte të udhëtonte falas dhe në klasin e parë në të gjitha linjat e hekurudhave zvicerane. Dy ditë pas skadimit të afatit të urdhrit fiktiv ushtarak, më 27 maj 2012, i dënuari ishte ndalur në një tren nga një ekip i kontrollit të biletave. Meqë s’kishte biletë të vlefshme, oficeri kishte thënë se dispononte me një urdhër ushtarak, i cili i jepte të drejtë të udhëtonte gratis. Kontrollorit i kishte rënë në sy se afati i urdhrit ushtarak kishte skaduar dy ditë më herët. Pasagjeri ishte dënuar me një gjobë për shkak të udhëtimit pa biletë të vlefshme dhe më vonë ishte njoftuar se kundër tij ishte dorëzuar edhe një padi për shkak të flasifikimit të dokumentit.

Gjykata nuk arriti të shpjegojë se çfarë motivi e kishte shtyrë oficerin për të falsifikaur dokumentin. I dënuari punon në një bankë të madhe, ka një rrogë gjashtëshifrore dhe është rritur në një pjesë të Zürichut, që njihet si «bregdeti i artë» për shkak numrit të madh të milionerëve.

Gjobën i dënuari me gjasë nuk ka asnjë problem ta paguajë, fundja fiton mjaft nga puna e tij, por vepra e tij do të jetë e regjistruar në regjistrin e delikteve dhe kjo për të mund të ketë pasoja në karrierë. Para gjyqit ai tha se punëdhënësi mund ta largojë menjëherë nga puna. Duke qenë se zyrtarisht është i cilësuar si delikuent, ai mund të ketë vështirësi të gjejë një vend pune. (-lli)