Oficerët gjermanë në Prizren: Ka ardhur koha të largohemi nga këtu

Pas gati 20 vitesh KFOR-i gjerman do të largohet nga Prizreni. Një gur me një qiri përkujton 27 ushtarët gjermanë që humbën jetën duke shërbyer në Kosovë. Mbi 200 punëtorë lokalë duhet të kërkojnë një vend të ri pune, njofton radioja publike gjermane. Një bilanc i së kaluarës – dhe një shikim në të ardhmen.

Foto: ZDF



Hyrja e ushtarëve gjermanë në Prizren në fillim të qershorit të vitit 1999 u shënua me një ngjarje dramatike. Pasi një shofer serb kishte refuzuar të ndalet, ai u qëllua me armë automatike nga ushtarët gjermanë. Befas opinioni gjerman vërejti se stacionimi i trupave në Kosovë nuk ishte një shëtitje në luginat e Ballkanit, por ballafaqim me një situatë potencialisht të rrezikshme.

Atëbotë gjermanët stacionuan në Prizren dhe rrethinë 5000 ushtarë, bashkë me ta ishin edhe ushtarët nga Holanda, Austria, Zvicra, Turqia dhe vende të tjera. Falë angazhimit në sektorin civil, Bundeswehri gjerman (kështu quhet ushtria gjermane) shpejt u bë më i popullarizuar se prijësit lokalë arrogantë të UÇK-së. Në një shkrim të gazetës së përjavshme «Die Zeit» të botuar në gusht 1999 thuhej se italianët ishin mbyllur në kazerma dhe tenda në perëndimin e shkatërruar të Kosovës, britanikët duhej të pastronin ahurin në Prishtinë e rrethinë, ku po shtriheshin figurat e dyshimta të shërbimit sekret dhe kontrabandist nga Shqipëria dhe ku beteja për pushtet zhvillohej me bomba, francezët, të cilët «në Kosovë konsiderohen miq të serbëve», kontrollonin qytetin e ndarë të Mitrovicës, ndërsa amerikanët në juglindje pothuaj çdo gjë ia linin në duar CIA.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

«Die Zeit» njoftonte se në vakumin e pushtetit po depërtonte gjithnjë e më shumë UÇK. «Në vendbanime të vogla disa anëtarë të Lidhjes Demokratike – partisë së presidentit Rugova – nuk guxojnë ta shoqërojnë vëzhguesin perëndimor deri te vetura. Të shtëna gjatë natës në kopshtet e opozitarëve i përkasin metodave <populloro-demokratike> të frikësimit. Në programin e drejtpërdrejtë të Radio Prizrenit së fundi telefonoi një fëmijë: <Dua ta përshëndes presidentin Rugova>. Menjëherë zëri i tij u ndalë, dhe moderatori shpjegoi: <Ai nuk është president>. Redaktori, i afërt me LDK-në, u ftua në bisedë informative nga UÇK».

Në 20 vitet e fundit ushtarët gjermanë, por edhe popullsia lokale kanë pasur rastin të dëgjojnë Radio Andernachun, radion e ushtrisë gjermane për misionet në botën e jashtme. Nga janari i vitit të ardhshëm kampi gjerman do të mbyllë portat dhe bashkë me të do të shuhet edhe zëri i radios. Hapësira prej 40 hektarësh do t’i dorëzohet Kombeve të Bashkuara. Këtu pritet të hapet një park inovacionesh dhe arsimimi. Kësisoj do të marrë fund një epokë gjermane në Prizren dhe një tjetër do të fillojë.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Aktualisht në Prizren janë të stacionuar 300 ushtarë gjermanë. Një gur me një qiri përkujton 27 ushtarët gjermanë që humbën jetën duke shërbyer në Kosovë nga viti 1999. Mbi 200 kosovarë nga Prizreni dhe rrethina punojnë në kampin gjerman, para së gjithash në mensë dhe pastrim. Ata dalëngadalë duhet të bëhen gati për t’u larguar dhe kërkuar një punë të re. Aktualisht në kampin gjerman gjithçka po çmontohet, paloset dhe bëhet gati për transport në Gjermani. Vetëm 80 ushtarë gjermanë do të vazhdojnë të shërbejnë në shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë, raporton radioja publike gjermane «Deutschlandfunk».

Oficerët gjermanë në Prizren thonë se ka ardhur koha të largohen. Gjendja e sigurisë tani ka ndryshuar, ndonëse, siç thotë një oficer, problemet politike mbesin, ato janë të njëjta tashmë prej më shumë se 15 vitesh. Si shembull oficeri përmend krimin e organizuar, korrupsionin, elitat e vjetra të pushtetit. Gjysma e materialit të kampit tashmë është hequr nga Prizreni. Gjysma tjetër do të hiqet deri në fund të vitit.