Odiseja e refugjatëve eritreas

Pas Sirisë, Eritrea e ka kuotën më të lartë të azileve të pranuara në UE. Pesë gra eritrease rrëfejnë për frikën dhe shpresat e tyre.

Foto: Hikrcn/ Shutterstock.com



Terhas Tesfalem ma hap derën. Ajo është duke folur në telefon dhe me një lëvizje dore më fton të hyj brenda. Menjëherë ndeshem me një valë arome të fortë kuzhine. Tehras më shpie në dhomën e ndenjës dhe më sinjalizon të pres. Unë pres.

Me frikë në palcë

Gjendem në një banesë të vogël me tri dhoma e gjysmë në Schwyz. Në vatër zien gjella e drekës. Gjatë gjithë bisedës atë nuk e vëren askush. Kohë pas kohe vijnë edhe katër refugjate eritrease. Ato duken të frikësuara dhe më zhbirojnë me sy derisa e vendos mbi tavolinë aparatin fotografik dhe diktafonin. «Jam gazetare», u them. Ata buzëqeshin me emocion dhe e hedhin shkimin kah televizori, ku luan një seria turk. «E ndjekim serialin. Në drekë e japin gjithmonë reprizën e serisë që e kemi huqur mbrëmë», thotë Luul Mebrit. «Më ndihmon ta heq mendjen nga frika», përfundon Winta Baraki.

Frika është një gjendje që kohës së fundit e përcakton jetën e këtyre pesë grave. Ato kanë frikë të mos i kthejnë përsëri, kanë frikë se mos i humbin të gjitha, kanë frikë për familjet që i kanë lënë prapa. «Çdo ditë lexojmë se si shumë njerëz e humbin jetën arratisë për në Evropë. Kjo na rrëmben edhe ne. Dëshirojmë që ta kuptojmë çfarë heqin këta njerëz», lajmërohet Yohanna Tegisti. Motra e saj, Yifter, ka vetëm tre muaj në Zvicër. Më hyri një frikë e tmerrshme kur kuptova që ajo e ka marrë gjithë këtë udhë të gjatë», shton Yohanna, duke e kapur me dashuri për krahu motrën e vet.

Gratë më rrëfejnë që rruga nga Eritrea për në Evropë kalon nëpër disa etapa. Shumë prej tyre u është dashur më shumë se një vit për të arritur në Zvicër. «Është një rrugë e gjatë dhe e rrezikshme. Shumë prej refugjatëve as nuk arrijnë të dalin nga Afrika. Trafikantët t’i marrin të gjitha nëse mundin dhe të lënë vetëm, pa asnjë gjë», rrëfen me zë të ulët Luul. Tehras e përshkruan pastaj gjendjen e mjerueshme në Eritrea. Shefi i qeverisë dhe shtetit, Isaias Afwerki, i cili është në pushtet nga viti 1993 po e shfrytëzon vendin dhe njerëzit. Politikën eritrease e karakterizon korrupsioni. Afwerki po qeveris sikur të ishte ende në luftën e shkurreve. «Në këtë vend nuk ka asnjë perspektivë. Qeveria na i merr burrat në shërbimin ushtarak pa afat. Gratë dhe fëmijët ngelin vetëm, lihen për rebelët», rrëfen Terhas, që vetë i ka lënë burrin dhe fëmijët prapa. Kur ma tregon një fotografi të djalit të saj trevjeçar, nga sytë i rrjedhin lot. «Nuk e di çka do të bëhet me të. Gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë në jetë ishte ta lë atë», vazhdon 28-vjeçarja më tutje. Banoret tjera e ngushëllojnë me fjalë në tigrinjisht, gjuhën kombëtare të Eristresë. Sipas të dhënave të rrjetit të OKB-së, në gjithë botën janë 252’000 eritreas të regjistruar si refugjatë. Nga 5,2 milionë banorë, i bie që vendin e kanë braktisur pesë për qind e popullsisë.

Perspektivat në Zvicër?

«Nganjëherë e shohim mirë që këtu nuk jemi të mirëseardhur. Njerëzit na trajtojnë të gjithëve njëlloj, të gjithë na fusin në një thes», rrëfen 26-vjeçarja Winta, e cila ka gati dy vjet në Zvicër. Para së gjithash, është e vështirë të fitojnë një leje qëndrimi. Kushti për ta arritur këtë është një vend pune fiks. Winta ka pasur fat, ajo momentalisht është duke e ndjekur një praktikë në një azil pleqsh. Ajo shpreson për një vend shkollimi fiks aty.

Shpresë. Një fjalë që i ndërron shprehjet e eritreaseve si me të shtypur të një suste. Luul shpreson që një ditë të mund të ngjitet përsëri në profesionin e saj si mësuese. «Unë jam e vetëdijshme që në Zvicër kërkohet më shumë se në Eritre për ta ushtruar këtë profesion», flet ajo me nostalgji. Ndërsa dëshira e Tehras është të studiojë për mjekësi. «E di që nuk është realiste, por kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Në Eritre nuk munda ta përmbush. Përse të mos mund të ëndërroj këtu për atë?», thotë duke vënë buzën në gaz Tehras. Kurse motrat Yohanna dhe Yifter dëshirojnë një kthim shëndosh në vendlindje. «Ne i kemi lënë atje prindërit dhe motrat e vëllezërit. Na dhemb shumë që nuk i kemi afër. Shpresojmë që situata në Eritre do të përmirësohet dhe do të mund të kthehemi në shtëpi te të dashurit tanë», flet Yohanna për veten dhe motrën e saj.

«Ne po e shijojmë njëherë jetën këtu. Kemi zbuluar shumë gjëra që nuk i kemi njohur në Eritre», vazhdon ajo. Gratë janë në përgjithësi shumë të kënaqura me Zvicrën. «Jemi duke u përkrahur shumë nga komuna dhe kantoni. Ata po na mundësojnë disa kurse të gjuhës dhe na ndihmojnë të gjejmë punë dhe banesë. Më shumë përkrahje nuk mund të kërkojmë», shprehet me mirënjohje Winta. Tenxherja spërkat përpjetë. Të pesë gratë ngrihen njëra pas tjetrës si me komandë dhe e shtrojnë drekën. Pasdite kanë kursin e gjuhës, ku bashkë me refugjatë të tjerë mësojnë fjalë dhe gramatikën e gjermanishtes.

«Ajo është një gjuhë e vështirë për ne, por më me dëshirë mësoj pa fund fjalë, se sa të vdes në Eritre», e përmbledh Luul muhabetin. Unë tërhiqem paksa mbrapa nga tavolina dhe shoh pesë gratë e guximshme dhe të forta, të cilat e kanë marrë vetë në dorë jetën e tyre dhe po e bëjnë më të mirën e mundur. Banesën e lëshoj e impresionuar dhe e prekur, e lë edhe aromën e panjohur dhe futem në diellin e pasdites.