Ode për urrejtjen




Qysh të vegjël prindërit na thanë:
duhet ta doni vëllanë.
Në shkollë mësuesit na thanë:
duhet ta doni shokun.
Në kishë na thanë priftërinjtë:
duajeni njëri-tjetrin.
Në libra poetët na flasin
për miqësinë dhe dashurinë.
Gjithë bota për ndjenja të mira flet.

Ndjenjat e mira duket sikur janë
siguri dhe harmoni.
Për të mirën tonë na shqepin në dru
prindërit, mësuesit, ligjet,
ata që kanë uniforma
dhe çizme tjetër ngjyre.

Në të lëntë ndokush në baltë
në emër të ndjenjave të mira,
duhet ta kuptosh e ta duash,
se ka arsye të tjera.
Në të pafshin të rrëzuar,
duan të të ndihmojnë
në emër të ndjenjave të mira.
Vaji yt u shkakton dhembje
dhe u ndrydh shpirtin të gjithëve.

Porse po the atë që mendon,
po the që nuk ke besim,
po dënove zëlart karrierizmin
dhe tradhtinë,
po tregove neveri
ndaj atij që kërkon shpërblim
duke u përkulur e duke lëpirë bythën,
atëherë nuk të duan, atëherë të shohin me frikë.

Unë nuk heq dorë nga urrejtja,
as nga kënaqësia e të thënit të asaj që mendoj,
as nga mllefi, as nga dhembja.

Përktheu: Aurel Plasari