Ode detare

Foto: Shutterstock



I vetëm, mbi portin e heshtur, këtë mëngjes
Shikoj drejt të Papërcaktueshmes
E kjo gjë më jep ndjesi gëzimi.
Kur dalloj se si një skaf afrohet nga e panjohura.
Një skaf i vogël, klasik në mënyrën e vet
Së bashku me mëngjesin vjen në port
Le pas vetes gjithçka
Mes varkave dhe anijeve të tjerë
Gjallëron hapësirën
Shpirti im gjendet e lëviz
Tek ky skaf,
Që është referencë e distancës dhe mëngjesit
Dhe e sensit detar
Një dhimbje e ëmbël
Ngjitet brenda meje
Sikur të zë deti
Jo thjesht në trup,
Por dhe në shpirt!
E shikoj këtë skaf me një liri të madhe ndjesimi,
Diçka fluturuese rrotullohet tek unë
Se ky skaf sjell në sytë e mi
Misterin e gëzueshëm
Të gjithçkaje që vjen dhe niset
Duke sjellë kujtesat
E tërë porteve të vetmuar
Që janë një tjetër mënyrë të qeni
E të njëjtit njerëzim në të tëra pikat
Se çdo akustim i anijeve
Dhe çdo nisje e tyre në lundrim
E ndjej se është
Në pavetëdije një simbolikë
Me nënkuptime metafizike
Që më turbullon
Për një kohë
Kur kam qenë më parë.
Ah çdo port është nostalgji gurësh!
Kur niset anija
Kuptojmë se është hapur hapësira
Mes portit dhe anijes
E na kap një ankth,
Një mjegull trishtimi
Shndrit Diellin e shqetësimeve
Krejt si një dritare
Që pasqyron agimin
E që ngjan si një kujtim
I një tjetër personi,
Që ishte fshehtas
Edhe vetja ime!
Ah kushedi
S’do të jetë më ajo kohë
Që përpara meje qe nisur
Nga një port, që s’e ka lënë
Trupin e anijes
Në diagonalen e mëngjesit
Drejt një porti tjetër.
Kushedi, kushedi
S’e ka lënë anijen
Përpara oqeanit të botës së jashtme
E tani ajo shkëlqen
Mbi mua që jam port i saj gjysmë i shkretë
Port i një qyteti gjysmë të gjetur,
Qytet i madh tregtar
I zhvilluar dhe paralitik
Dhe i mundur për të qenë
Jashtë hapësirës dhe Kohës.
Detare është jeta!
Gjithçka është jetë detare!
E përvëlon gjakun tim
Kjo këndellje e madhe
E unë fantazoj pandërprerë
Veç udhëtime të pafundme!
Ah brigjet e largëta
Të rrafshuara nga horizonti
Ah kapitenet e anijeve, ishujt, plazhet e rërës,
Vetmitë detare si momente të veçantë në Paqësor,
Për të cilin kam magjepsje
Për faktin se është më i madhi i oqeaneve
Dhe kështu bota dhe shija e gjërave
Bëhet një shkretim brenda meje!
O, përmasat më njerëzore e disangjyrëshe të Atlantikut, Oqeani Indian, më i mistershmi,
Mesdheu i butë, klasik e pa mistere,
Bërë posaçërisht për përplasjen e dallgëve
Përballë tempujve me statuja antike!
O të gjitha detet,
Të gjitha ngushticat, të gjitha gjiret,
Dua t’i shtrëngoj
Në gjoksin tim
T’i ndjej në thelb
E pastaj të vdes!
Në hapësirat e paane
Ku ujërat më thërrasin
Tërë zërat e njerëzve
Janë një zë i vetëm trupor
Tërë epokat detare
Të ndjera në të shkuarën,
Mua më thërrasin!
Do të doja të isha kafsha,
Që përçon tërë gjestet e njerëzve,
Një kafshë që kafshon
Që ha pemët,
Që pi gjak e kuvertat e drunjta,
Që përtyp velat, lopatat, timonët,
Pra një dragua deti,
I përbindshëm,
Që ushqehet me krime!
Ç’simfoni sensacionesh hermetike e të ngjashme
Ç’orkestrim i gjakut tim
I turmave kriminale
I zhurmave torturuese të orgjive,
I rrymave të nxehtë të shpirtit!
Ç’mjegullim i pluhurit djegës
Që turbullon qartësinë time
E të gjitha këto m’i bën
T’i ëndërroj brenda lëkurës!
Anija me imagjinimin e një spirance
Gjysmë të zhytur
E me ankthin – lopatë e copëtuar
Dhe trupi i nervave të mia të lagure
Që thahet në një plazh, plot Diell!
Çdo avullim i largët
Është një anije me vela nga afër
Çdo anije e largët tani
Është edhe ajo që qe në të shkuarën
Tërë detarët e padukshëm të anijeve
Janë detarët e dukshëm
Të kohës së anijeve të vjetra
Të epokës së ngadaltë të veliereve
Të lundrimeve të rrezikshme
Të epokës së drurit dhe pëlhurës
Të udhëtimeve në muzgjet e erërave.
E mua më mbërthen deliri i gjërave detare
Më hyjnor më bën trupin Porti dhe atmosfera e tij
E thellohem në ëndrrat e njerëzve.
Rripat e transmetimit të mekanizmave
Metonikë të anijes e vënë në lëvizje Shpirtin tim $
Për rritjen e shpejtësisë
Ju mjete lundrimi – lodrat e mia të vjetra të ëndërrimit Bëjeni jashtë meje
Jetën time të brendshme!
Skafi, velat, rrobat e timonit, litarët,
Elikat, flamujt, kavot, kaldajat, valrnlat,
Derdhini brenda meje si një tërësi jetike
A si një përmbajtje konfuze
E një arke të boshatisur përdhe!
Jeni ju thesari im,
Jeni dhe enigma e overisë sime të ardhshme,
Jeni ju frytet e pemës time të imagjinatës,
Tema e këngëve të mia,
Jeni gjaku në venat e intelektit tim
Jeni çarku që më kap së jashtmi
Si një instrument i estetikës!
Sillmëni metafora
Sillmëni imazhe, literatura,
Sepse Vërtetësisht, Seriozisht, Letërsisht
Ndjenjat e mia
Janë anija me portet në ajër Piratet, anijet,
Ora detare ku mbërthehen viktimat
Tmerri i të kapurve, robërve
I kthyer në çmenduri
Ora detare është sinteza e krimeve, terrorit,
Anijeve, deteve, qiellit, erërave
Gjerësive e gjatësive gjeografike
E të gjithë këto janë një ulërimë
Një totalitet i trupit tim
Totalitet i vuajtjes
I tërë qenies time të plagosur
Me mishin irreal të shpuar të shpirtit.
Jam i tëri në të gjitha krimet!
I tëri në gjithësinë e elementeve
Që përmbajnë sulmet ndaj anijeve,
Në masakrat dhe përdhunimet
Në çdo gjë që ndodh në vendin e plaçkitjeve
Në atë që u bë më pas
Në tragjeditë e gjakut!
Jam i tëri pirati që rimerr tërë piraterinë, që në krijimin e saj
Sinteza prej mishi e kocke
I tërë piratëve të botës.
Dikur në të vjetrën e të qetën shtëpi buzë lumit
Dritaret e dhomës sime, e asaj të ngrënies
Shihnin përtej ca shtëpive
Mbi lumin që është pranë mbi Togo.
Dhe tani Togo është i njëjti,
Por në një tjetër pikë.
Nëse do më duhej të shfaqesha në të njëjtat dritare
Do të ishte njësoj si të mos shfaqesha në të njëjtat dritare.
Se koha e dikurshme
Është shpërndarë si tymi i një anije
Të zhdukur mes ujërave!
Një butësi e pashpjegueshme
Një brerje mallëngjimi gjer në dënesë
Për të gjitha viktimat
Që kur ishe fëmijë
E kam provuar
Kur imagjinoja veten si një pirat të vjetër.
Dridhesha nga emocionet
Sepse i ëndërroja si viktimat e mia
Por asgjë s’ka ndodhur realisht
Qe veç një përkëdhelje e ngatërruar
Si një qelq i verbër,
Gjersa kthjelltësia
Thurte këngët e vjetra të shpirtit tim të dhembshur
Ah, si vallë kam mundur
T’i mendoj e t’i fantazoj këto gjëra?
Sa larg jam tani
Nga vetja që isha dikur!
Ç’histeri sensacionesh
Dhe tani veç një gjendje pos të kundërtave
Në mëngjesin biond që po ngrihet
Ndijimi im zgjedh vetëm imazhe,
Që akordojnë me këto përplasje
Emocionesh dhe ujërash
A të valëzave të butë
Të ujërave buzë portit.
Ja valët që kalojnë njëra pas tjetrës
Malet si largësi, një e kaltër japoneze,
Shtëpitë e Almadës
Që ruajnë ende
Ëmbëlsinë e foshnjërinë e mëngjeseve.
Një pulëbardhë kalon
Dhe dashuria ime shumëfishohet.
Gjatë gjithë kësaj kohe
S’jam përkujdesur për asgjë
S’kam bërë asgjë
Për gjatë gjithë kësaj kohe
S’i largova sytë nga ëndrra e largët
Nga shtëpia ime pranë lumit
Nga fëmijëria ime pranë lumit
Nga dritaret e dhomës time mbi lumë.
Sa e mrekullueshme jeta detare moderne!
Gjithçka e pastruar, me makineri dhe shëndet
Gjithçka e pajisur shkëlqyeshëm
Dhe kaq shpërfillshëm organizuar
Tërë pjesët e makinerive
Dhe vetë anijet që s’numërohen dot
Në botën e tregtisë, të eksportit e të importit
Të habit ky kombinim i mrekullueshëm
Ku gjithçka rrjedh
Prej vetë ligjit të natyrës
Ku asnjë element
S’është pengesë për tjetrin!
Ja dhe shpjegimi pse s’ka humbur poezia!
Për më tepër edhe sot shumë vetë
Kanë makina për poezitë e tyre
Që janë një lloj i ri i jetës komerciale
Qoftë dhe mondane, sentimentale
Që epoka e makinave ka sjellë mbi shpirtrat! Të udhëtosh tani është po aq bukur sa dikur
Dhe një anije është e bukur
Qoftë edhe vetëm se është thjesht një anije.
Udhëtimi është akoma udhëtim
Dhe largësitë janë po ato,
Po aq tunduese, falë Zotit!
Këtë çast dua të jem
Në trupin e anijes që po del nga porti,
Është një Tremn steamer anglez,
Anije shumë e pistë,
E ngjashme me anijet franceze
Me një aromë shpuese
Të një proletari detesh.
E nisja e sotme qe lajmëruar
Që dje në faqet e fundit të gazetave.
Shpirti im zbutet
Duke parë sërish skafin e thjeshtë e natyral
Ngjan të ketë një tjetërlloj ëndrre
Ngjan si të ishte një person i ndjeshëm
Që i bindet
Çfarëdolloj detyrimesh.
Anija angleze ikën,
Por dhe ky skaf do të ikë,
Për ku?
Për Kardif?
Për Liverpul?
Për Londër?
Nuk ka fare rëndësi!
Bën detyrën e tij, siç bëjmë ne tonën
Ç’jetë e kuptimshme!
Udhë e mbarë!
Udhë e mbarë!
Udhëtim të mbarë o miku im i rastit,
Që më bëre nderin
Të lëngoj ndërmjet trupit tënd,
Ethet dhe trishtimet e ëndrrave të mia!
Duke më kthyer në jetë
Për të të vështruar ty
Si shkon e ku po shkon
Udhë e mbarë! Kjo është jeta!

Përktheu: Moikom ZEQO