Objekti i ish-Bankës së Lubjanës bëhet pronë e Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të «Banka Themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë», të cilat ndodhen në zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës.




Në këtë objekt, sipas një vendimi të mëhershëm, do të akomodohet Avokati i Popullit, transmeton Koha.net.

Pas shqyrtimit, Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Programin për Komunitete, i cili ka për qëllim ndarjen e subvencioneve dhe transfereve nga buxheti me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të drejtave të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar edhe këto raportet:

• Raporti i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
• Raportin tremujor të implementimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për periudhën janar-mars 2016;
• Raportet për zbatimin e Kornizës Strategjike për Reformën e Administratës Publike.

Lidhur me Raportin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa tha se në Qeveri është marrë vendim që të përmbyllet puna e Komisionit.