Obama flet për lajmet e rrejshme që po rrezikojnë demokracinë

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka folur dy herë në Berlin për krizën e lajmeve dhe publikimin e rrëfimeve të pakonfirmuara në faqe të ndryshme në «Facebook». Kritikat e tij të shprehura në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kanë ardhur pas analizave e studimeve amerikane për ndikimin e madh të portaleve joserioze në fushatën presidenciale. Obamën e ka përkrahur edhe Merkel, analizon «New York Times».

Barack Obama. Foto: Shutterstock

Në paraqitjen më të fuqishme publike pas zgjedhjeve, presidenti Barack Obama ka kritikuar ashpër të enjten përhapjen e lajmeve të rrejshme në internet dhe ka thënë se presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do ta kryesojë gjatë Shtëpinë e Bardhë nëse nuk e merr seriozisht detyrën e të zotit të saj.

Obama i ka shprehur këto komente gjatë konferencës për media në Berlin për krah të kancelares gjermane, Angela Merkel, një prej aleatëve më të ngushtë të tij në kontinent, duke u cilësuar «veteranë» të skenës politike ndërkombëtare. Merkel ka pasur paraqitje të rrallë emocionuese. «Është e zorshme të thuhet lamtumirë», ka deklaruar ajo.

Por në vend se të fliste gjerë e gjatë për turneun e fundit nëpër Europë, Obama ka shfrytëzuar këtë rast që të bëjë sulm kundër rrëfimeve të rrejshme mediatike, si ato që janë përhapur nëpër «Facebook» dhe nëpër platformat e tjera sociale. Obama ka deklaruar dy herë gjatë konferencës së gjatë prej një orësh se lajmet e rrejshme përbëjnë kërcënim për demokracinë.

Zoti Obama ka paralajmëruar Trumpin për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të detyrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

«Kërkesat e jashtëzakonshme që i shtrohen Shteteve të Bashkuara jo vetëm prej popullit amerikan, por edhe prej njerëzve anembanë botës, ju detyrojnë të përqendroheni», ka deklaruar Obama, duke folur për punën që e pret Trumpin në presidencë. «Kjo kërkon seriozitet».

«Dhe nëse nuk e merrni seriozisht detyrën, atëherë mbase nuk do t’ju shkojë gjatë», ka deklaruar presidenti amerikan në largim.

Por më i përkushtuar Obama ishte kur foli për informacionet e pavërtetuara nëpërmjet mediat sociale dhe në televizion, saqë ka harruar se cila ishte pyetja që i ishte kërkuar përgjigje.

«Sepse në kohën kur ka kaq shumë dezinformata dhe janë të fabrikuara mirë dhe duket njëjtë kur shihni edhe në faqen e Facebookut ose kur ndizni televizorin», ka deklaruar Obama. «Nëse gjithçka duket e njëjtë dhe nuk bëhen kurrfarë prerjesh, atëherë nuk do të dimë çfarë të mbrojmë».

«U zhyta në këtë dhe harrova ku e lashë», ka shtuar Obama me humor në fund, teksa ka dashur t’i kthehej përgjigjes për të cilën ishte pyetur.

Mark Zuckerberg, shef ekzekutiv i «Facebookut», ka deklaruar së fundi se lajmet e rrejshme në rrjetin social janë të rralla dhe ka hedhur poshtë pretendimet se raportet e tilla mund të kenë ndikuar që zgjedhjet të duken «goxha të çmendura».

Por zyrtarë me poste ekzekutive dhe nëpunës në «Facebook» kanë pyetur nëse ose si rrjeti social ndikoi opinionin e amerikanëve, është bërë e ditur pas disa intervistave që janë zhvilluar së fundi me punëtorë aktualë dhe të dikurshëm të «Facebookut».

Por lajmet e rrejshme që janë shfaqur së fundi në mediat sociale duket se kanë pasur shtrirje të madhe dhe janë lexuar më shumë se shkrimet prej portaleve e gazetave autoritative, thuhet në një analizë bërë aktivitetit të «Facebookut» prej «BuzzFeed».

Tre muaj para ditës së zgjedhjeve amerikane, shumica e shkrimeve kryesore të prodhuara prej webfaqeve me qasje humori dhe «blogjet militante» kanë gjeneruar më shumë angazhim – «likes», «shares» dhe «comments» – në «Facebook» se sa shkrimet artikujt prej mediumeve të fuqishme, thuhet në analizë.

«Facebook» dhe «Google», që gjithashtu janë përballur me kritika të shumta për shpërndarjen e rrëfimeve të rrejshme në platformat e tyre, kanë bërë të ditur gjatë javës se do të marrin parasysh kritikat.

Në Berlin, Obama ka theksuar për herë të dytë rrezikun e mundshëm prej raporteve të rrejshme mediatike.

«Në Shtetet e Bashkuara, nëse 43 për qind e votuesve të regjistruar nuk dalin në zgjedhje, atëherë i bie se është dobësuar demokracia», ka deklaruar Obama në përgjigjen lidhur me zgjedhjet e fundit.

«Nëse nuk tregohemi seriozë me faktet dhe çfarë është e vërtetë e çka jo, e sidomos në epokën e mediave sociale kur shumëkush merr informacionin në celularë, nëse nuk bëjmë ndarje ndërmjet argumenteve serioze dhe propagandës, atëherë kemi probleme».

Zonja Merkel ka shprehur vërejtjet e saj për kaosin e lidhur me sistemin e digjitalizimit, duke e krahasuar epokën e tanishme me kaosin social që kishte ndodhur gjatë kohës së revolucionit industrial.

Gjermanët kanë treguar ambivalencë të madhe ndaj mediave sociale, duke ngritur shqetësimet se kompanitë globale po dështojnë të respektojnë ligjet strikte të vendit që mbrojnë privatësinë personale. «Facebook» është kritikuar ashpër nga qeveria gjermane për lejimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes në postime që do të konsideroheshin ilegale nëpër mediat tradicionale.