NZZ: Në 18 vitet e fundit PDK e ka mbuluar Kosovën me një rrjet paralizues të varësive

Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan se përbërja e qeverisë së Kosovës është aventuriere - dhe e varur nga Beogradi.

Ilustrimi: Shutterstock



Tre muaj pas zgjedhjeve Kosova ka një shumicë për të krijuar qeverinë, por përbërja e kabinetit të ri duket aventuriere: një koalicion mes ish-komandantëve të UÇK-së dhe një biznesmeni merr me vete edhe partinë e pakicës serbe, të kontrolluar nga Beogradi, shkruan gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ).

Kjo e përditshme thekson se nëse zgjidhet kryeministër, Haradinaj nuk do ta ketë lehtë. Në Kuvendin me 120 anëtarë ai kontrollon vetëm 63 vende. Sipas NZZ me këtë koalicion të pazakonshëm janë shtuar shpesat që Kosova të braktisë sistemin e sundimit të partive dhe të patronazhit. Para së gjithash PDK, partia më e fuqishme nga radhët e ish-UÇK-së, në 18 vitet e fundit (që nga përfundimi i luftës) ka mbuluar Kosovën me një rrjet paralizues të varësive. Ky rrjet tani po zgjerohet. Fitues janë ata që falë lojalitetit nxjerrin ndonjë dobi të vogël apo të madhe, humbës të gjithë të tjerët që duhet të jetojnë në një sistem, i cili nuk shpërblen punën, por lidhjet.

Sipas NZZ Lëvizja Vetëvendosje ishte angazhuar për shpërbërjen e këtij sistemi dhe me një agjendë të diferencuar ekonomike ishte bërë partia e dytë për nga fuqia. Ajo do ta vazhdojë politikën e saj militante opozitare.

Haradinaj, i cili ka qenë njëherë gjatë 100 ditëve kryeministër, është ballafaquar me akuza për krime të luftës. Gazeta shkruan se për shkak të frikësimit të dokumentuar dhe zhdukjes së paqartë të dëshmitarëve procesi kundër Haradinaj u përsërit, por edhe kësaj radhe përfundoi me lirimin e tij. Gazeta zvicerane përkujton se para disa muajsh kryetari serb Aleksandar Vuçiq kishte thënë se nëse Haradinaj zgjidhet kryeministër, kjo do të jetë «shumë problematike».

Por, duket se tani është krejt ndryshe. Votat e serbëve janë të nevojshme në mënyrë që të ketë sukses koalicioni i komandantëve. Pala serbe ka vendosur të marrë pjesë në qeverinë e re pas konsultimeve të hapura me Beogradin dhe pasi i janë premtuar poste ministrore. Gazeta zvicerane citon publicistin Veton Surroi, i cili thotë se në këtë konstelacion Beogradi në të ardhmen drejtpërdrejtë do të përzihet në politikën kosovare dhe do të jetë në gjendje ta rrëzojë qeverinë në rast nevoje.

NZZ shkruan se në lojë mbetet edhe një kartë e papritur. Gjatë vjeshtës Gjykata Speciale në Hagë do t’i dërgojë aktakuzat e para kundër kuadrove të UÇK-së për shkak të krimeve të luftës. Vetëm pak eksponentë të këtij koalicioni të komandantëve mund të jenë të sigurt se nuk do ta marrin një letër nga Haga. (dp)