NYT paralajmëron kundër autokracisë së Vuçiqit në Serbi

Gazeta prestigjioze amerikane New York Times tha se fitorja e zgjedhjeve nga Aleksandër Vuçiq në Serbi «kërcënon lirinë e medies» dhe shton tendencën e përdorimit të liderëve «të fortë» si forcë stabiliteti.

Aleksandër Vuçiq duke festuar fitoren në selinë e partisë së tij. Foto: Beta/Darko Vojinoviq.



Teksa senatori amerikan John McCain mbërriti në Beograd të hënën për t’u takuar me liderët serbë, ku marrëdhëniet Serbi-Kosovë do të jenë në fokus, një nga mediet më me ndikim të Amerikës, New York Times, u shpreh ashpër për triumfin e kryeministrit Aleksandër Vuçiq në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke thënë se Serbia «i është afruar autokracisë».

Në një artikull të nënshkruar nga «redaksia» – që përfaqëson opinionin e gazetës më tepër se sa një person të vetëm – NYT tha se zgjedhja e Vuçiqit ishte «ogur i keq për demokracinë serbe», pasi ai tashmë ka «cunguar rëndë lirinë e shtypit dhe ka margjinalizuar opozitën politike».

Zgjedhjet u «karakterizuan nga akuza të frikësimit të votuesve dhe nga një dominim thuajse total i medieve serbe nga Z. Vuçiq dhe partia e tij [Progresive Serbe]», shtoi gazeta.

Gazeta vazhdoi duke paralajmëruar kundër një tendence nga disa liderë perëndimorë për t’i parë politikanët si Vuçiqi «si një forcë stabiliteti», duke shtuar se «arritja e një kontrolli të tillë nga Vuçiqi do të ishte një tradhti ndaj vlerave thelbësore të Bashkimit Europian».

Konsolidimi i pushtetit nga Vuçiqi në Serbi vjen në një kohë të rritjes së shqetësimeve rreth autoritarizmit në Europën Lindore, në Hungari dhe Poloni veçanërisht, dhe në Turqi, ku pritet që javën e ardhshme të mbahet një referendum për të rritur fuqitë e presidentit turk Erdogan.

Në një kohë të shtimit të tensionit mes SHBA-së dhe Rusisë për Sirinë, lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Kremlinin gjithashtu janë në analizë të imtësishme në Uashington.

(https://www.reporter.al/nyt-paralajmeron-kunder-autokracise-se-vucic-ne-serbi/)