Nxirrni alltitë dhe vazhdoni dallditë

Të shtënat me armë janë traditë e popujve të përparuar. Zemërimi i disa qytetarëve pas të shtënave në rrethinën e Malishevës është i pavend dhe ndërhyrje në jetën private. Mos i ngucni njerëzit: janë të lumtur dhe hapin zjarr në hava. Është epoka e tyre.

Foto: Shutterstock



Ka një shqetësim në opinion pas një kronike të KTV-së ku shihen disa «të fortë» të Kosovës duke shtënë me armë gjatë një ahengu shoqëroro-politik që qenka organizuar në shtëpinë e komandant Çelikut në Banjë të Malishevës. Pikësëpari duhet të qortohen gazetarët që merren me këso temash. Pastaj duhet burgosur të gjithë ata qytetarë që po bëhen merak pas kësaj orgjie me fishekë.

Të shtënat me armë janë traditë e popujve të përparuar. Zemërimi i disa qytetarëve pas të shtënave atje diku nga Malisheva është i pavend dhe ndërhyrje në jetën private të pjesëmarrësve në banket. Nxirrni alltitë dhe vazhdoni dallditë. Është epoka juaj, burra, çlirimtarë, komandantë, patriotë, trima. Me liri, drejtësi e mirëqenie të përgjithshme nënkuptohet edhe e drejta për të therur qengja dhe për të gjuajtur me armë. Të gjuash me armë në një aheng është parakusht për rritjen e oreksit. Një plumb në hava, një kofshë më shumë. Dy plumba në hava, tri birra më shumë. Tre plumba më shumë, gjashtë gota raki më shumë. Pesë plumba më shumë, dhjetë trileqe e njëzet copa bakllavë më tepër.

Asgjë nuk ka ndodhur. Gjak s’qenka derdhur. Gëzimi, me sa duket, paska qenë i madh. Këto gjëra i ka liria. Sidomos liria e jonë. Para disa vitesh në një fshat në Turqi dhëndri në ditën e dasmës nxori një pushkë automatike dhe filloi të gjuajë në ajër, pastaj humbi kontrollin dhe e ktheu armën nga mysafirët. Bilanci ishte impozant: të vrarë mbetën babai dhe dy teze të dhëndrit. Ç’të bësh: tradita kushton, nganjëherë. Këta në Malishevë qenkan treguar shumë paqësorë. Sipas traditës fisnike pagane dhe iliro-trako-pellazge paskan shtënë në hava, më së shumti me atë rast mund të kenë trembur ndonjë zog, nuk vranë asnjë teze dhe asnjë dele. Festa, siç dihet, s’bëhet pa armë. Jastëku i burrit është alltia.

Poshtë organizatat e shteteve primitive perëndimore që prej vitesh zhvillojnë fushata kundër përdorimit të armëve. Përse ju të UNDP-së, ju amerikanë e britanikë, gjermanë e zviceranë, austriakë e holandezë, suedezë e danezë përziheni në traditat tona? Përse harxhoni para për të luftuar zakonet tona? Përse? Një mijë herë përse? Kush jeni ju të organizatës «Saferworld» që bashkë me disa ojëqëistë lokalë organizoni të ashtuquajtura javë kundër armëmbajtjes dhe përdorimit të armëve? Kush jeni ju që thoni se «qëllimi i kësaj fushate është sensibilizimi i qytetarëve për pasojat (përfshirë ato tragjike) nga përdorimi i armëve (të shtënave), dhe sensibilizimi i institucioneve për zbatim efikas të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Armë»? Turp të keni! Ju që aksionet tuaja i quani «Koha për veprim». Kjo nuk është kohë për veprim, por kohë për argëtim. Për të shtëna pa lëvizur nga vendi, për të shtëna nga sofra e mbushur me ushqime të shijshme, pak djathë i butë, pak mish, pak ëmbëlsira. Sepse liria këto të mira i ka.

Do të ishte krejtësisht e pavend nëse, helbete, policia e Kosovës do të merrte ndonjë masë ndaj kësaj «feste familjare». Familja është e shenjtë në viset tona ilirike. Do të ishte skandal po t’i dilte gjumi ndonjë prokurori e të niste hetimet për këtë rast. Jo, jo, jo! Nxirrni alltitë dhe vazhdoni dallditë. Është epoka juaj. Liria juaj. Kosova juaj. Ju merrni vota, nganjëherë nuk keni nevojë as për vota. Ju keni pushtetin. Ju e keni çliruar Kosovën. Ju e keni zhvilluar. Ju e keni përparuar. Ju do ta integroni në Europë. Pa juve ky vend nuk bën asnjë hap përpara.

Ka ardhur koha që populli të jetë në krye të detyrës. T’ju sigurojë këtyre patriotëve të natës sa më shumë municion, sa më shumë armë, sa më shumë qengja, sa më shumë keca, sa më shumë mjaltë në këtë vend të hedhur në baltë. Festa le të vazhdojë dhe populli të ulë kokën e të jetë i lumtur me këtë liri.