Nxënësit zviceranë duhet të mësojnë programimin

Ish shefi i bankës kombëtare, Philipp Hildebrand, pret që nxënësit në shkolla përveç leximit të mësojnë edhe programimin.

Foto: ks

Top menaxheri kërkon një ofensivë arsimore: Në shkollat zvicerane të mësohet programimi. Ky është trendi nga i cili nuk varen më vetëm ndërmarrjet, por edhe shtetet. Këtë ai e ka kërkuar në fjalimin e tij në Swiss Economic Forum, transmeton «20 Minuten». Sipas tij, planprogrami shkollor zviceran ka ngelur në kohën e revolucionit të parë industrial, ndërkohë që për t’u pajisur për revolucionin e katërt industrial lypset më tepër.

Për Philipp Hildebrand programimi është i krahasueshëm me shkrimin, ndërsa shërbimi me aplikacionet është e barabartë me leximin. Ai ka kujtuar tempon e shpejtë të zhvillimit të teknologjisë dhe se momentalisht po e përjetojmë revolucionin më të madh teknik të të gjitha kohërave. Dhe, Zvicra në këto zhvillime duhet të jetë një ndër të parat. Në këtë drejtim, sipas tij, po spikat Kina – ajo është në avantazh.

Ndonëse përveç kritikës për sistemin shkollor, ai ka pasur edhe fjalë të mira për Zvicrën: Modeli ekonomik zviceran është një histori suksesi. Vendi është dëshmuar si një port i sigurt dhe i hapur. Ekonomia zvicerane po rritet prej dhjetë vitesh më shumë se sa mesatarja e vendeve të OECD-së. Dhe një arsye e rëndësishme për këtë është eksporti i lartë. Hisja e tij prej 60 për qind në bruto-produktin e brendshëm në raport ndërkombëtar është një standard i lartë dhe më i lartë se te kampioni i eksporteve – Gjermania. Prandaj, sipas tij, është rritur edhe mirëqenia e Zvicrës. ks