Nxënësit sfidojnë sistemin arsimor të ndarë sipas etnive në Bosnjë

Njihuni me nxënësit dhe mësuesit që luftojnë kundër sistemit arsimor të ndarë thellësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe izolimin që ai sjell.

Nxënës të të gjitha klasave me veshje serbe, kroate apo boshnjake duke performuar kërcime tradicionale serbe, kroate dhe boshnjake në rrugën kryesore në Jajce. Foto: Katherine Heroux



Faruk Bubriq, një 18 vjeçar në vitin e tij të fundit të shkollës së mesme, e kalon pjesën më të madhe të kohës duke luajtur me lojëra elektronike ose duke dalë me miqtë e tij.

Koha e tij në sistemin arsimor në qytetin e Jajcës pothuajse ka mbaruar dhe ai po pret të studiojë filozofi në universitetin e Sarajevës këtë vit.

Ai ndoqi një shkollë fillore myslimane (boshnjake) në qytet dhe u diplomua në maj nga një shkollë e mesme me etni të përziera. Megjithatë, hapja e një shkolle të re boshnjake në qytet duket se do të forcojë më tej ndasitë etnike në një shtet tashmë të ndarë thellësisht.

Bubriq dhe shokët e tij të klasës po protestojnë kundër hapjes së shkollës së re – dhe ndarjes etnike që do të sjellë kjo në arsimin në Jajce. Aktualisht, shkolla e tij është e përzier, por ndjek kurrikulën mësimore kroate.

«Etnia nuk më prek, kryesisht sepse ajo s’më intereson aspak. Në thelb ne jemi njësoj. Nuk shoh ndonjë kufi midis boshnjakëve, kroatëve apo serbëve», thotë Bubriq, duke mbledhur shpatullat.

Pas luftërave të viteve 1990 që shënuan rënien e ish-Jugosllavisë, Bosnja u nda në dy entitete më vete: Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Srpska e mbizotëruar nga serbët. Jajce është në federatë, por është pranë kufirit me Republikën Srpska.

Ndërsa shumica e brezit të Bubriqit ndihen njësoj si ai, rasti mbetet i rrallë pasi shumica e sistemit arsimor të vendit tashmë është i ndarë sipas vijave etnike. Problemet lindin në zonat e përziera ku nuk ka një etni mbizotëruese.

Këto probleme shfaqen shpesh në sistemin arsimor, sepse sipas legjislacionit në nivel shtetëror, nxënësit kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën e tyre dhe të mësojnë letërsi, histori, gjeografi, muzikë dhe art sipas një kurrikule të hartuar posaçërisht për grupin e tyre etnik.

Nëse nuk ka një grup etnik mbizotërues, shkollat zakonisht krijojnë një model «dy shkolla nën një çati», në të cilën nxënësit boshnjakë dhe kroatë ndjekin të njëjtat shkolla, por mbahen të ndarë nga njëri-tjetri dhe mësojnë me tekste shkollore të ndryshme, ose krijojnë shkolla krejtësisht më vete për të ndarë grupet etnike.

Amela Kavazbasiq, një nga mësueset e shkollës së mesme të Bubriqit, thotë s arsyeja për këtë ndarje është e rrënjosur në politikë.

«Gjuha është një çështje politike dhe ekziston një element identiteti kombëtar që e bën kurrikulën mësimore një çështje të madhe».

Në ish-Jugosllavi, gjuha e përdorur nga boshnjakët, kroatët dhe serbët konsiderohej si e njëjtë. Megjithatë, kjo ndryshoi pas luftërave dhe shpërbërjes së ish-republikave jugosllave në shtete të pavarura, pasi gjuha përdorej si mjet për të përcaktuar etni të ndryshme dhe emrat u ndryshuan.

«Po njerëzit që nuk janë pjesë e asnjë grupi dominues dhe nuk duan të mësojnë sipas kurrikulave mësimore kombëtare apo etnike? Kjo nuk është zgjidhje. Është vërtet idiotësi të thuash se kjo është drejtësi. Unë nuk e shoh këtë si një lloj drejtësie. Kjo të detyron të vendosësh, si për shembull mes dy të kundërtave, gjë që është vërtet padrejtësi», thotë Kavazbasiq, duke lëvizur duart për të treguar atë që do të thotë.

«Nëse e zbatojmë kushtetutën, atëherë serbët kanë të drejtë të marrin kurrikulën e tyre, por ata nuk e kanë këtë opsion dhe askush nuk mendon për këtë. Ata janë pakicë në Jajce, kështu që nuk kanë ndonjë të drejtë».

Kavazbasiq së bashku me kolegët e saj mësues organizuan një anketim për studentët, prindërit dhe mësuesit në Jajce ku i pyetën ata për mendimet e tyre në lidhje me vendimin e ministrisë.

Pjesëmarrësit mund të zgjidhnin të mbanin shkollën aktuale sipas kurrikulës kroate, sistemit të propozuar me shkollën e re boshnjake ose një opsioni të tretë ku krijohet një kurrikulum mësimor i ri i integruar.

Shumica e njerëzve votuan për opsionin e tretë.

Kurrikula mësimore e një shkolle «duhet të jetë diçka në të cilën të marrin pjesë të gjithë dhe diçka nga e cila preken të gjithë. Duhet të jetë vendi ku mund të zgjidhni atë që dëshironi të studioni», thotë Bubriq pa asnjë hezitim.

Nxënësit në Jajce nuk po heqin dorë nga kërkesa e tyre për të qëndruar të bashkuar në shkollë. Në një konferencë të organizuar nga Qendra e Dialogut Nansen në Sarajevë, e mbajtur në Jajce nga data 6 deri më 8 maj dhe e quajtur Të Ndërtojmë së Bashku, nxënësit diskutuan ndër të tjera edhe nevojat dhe pritshmëritë e tyre.

Rreth 100 nxënës të të gjitha përkatësive etnike nga i gjithë vendi morën pjesë në konferencën në mbështetje të nxënësve nga Jajca.

«Politikanët s’e marrin seriozisht arsimim. Kur ju shoh ju, shoh njerëz që mund të sjellin ndryshim», tha Nikolas Rimaq, një nxënës protestues në Jajce.

Ndërsa autoritetet po përpiqen të ndajnë sistemin arsimor në Jajce kundër dëshirave të nxënësve, në Mostar, një qytet i përzier kroato-boshnjak, nxënësit janë bashkuar në një shkollë, por me dy kurrikula të ndryshme mësimore.

Rinia e bashkuar «më e vështirë për t’u manipuluar»

Një pamje e gjimnazit të Mostarit (ndërtesa portokalli në qendër) nga kulla e kambanores së Kishës Katolike. Foto: Katherine Heroux

Në vitin 2004, Mostari shkriu një shkollë boshnjake dhe një kroate për të krijuar gjimnazin në Mostar, një përpjekje jo e përsosur për të integruar nxënësit.

Anika Çoviq, drejtoresha e shkollës, nuk i referohet shkollës së saj si «dy shkolla nën një çati», por si «një subjekt i ligjshëm me dy programe më vete». Nxënësit bëjnë bashkë orë IT dhe frëngjishteje, kanë një këshill të përbashkët studentor, aktivitete dhe programe mësimore, por studiojnë gjithashtu kurrikulat e tyre etnike.

Kjo shkollë ndodhet në të njëjtën ndërtesë me United World College, UWC, një shkollë ndërkombëtare që synon të kapërcejë ndasitë. Shkolla në Mostar është një nga 17 shkollat në të gjithë globin që drejtohet nga lëvizja UWC.

Kjo lëvizje u themelua në vitin 1962 me qëllim kapërcimin e ndasive të Luftës së Ftohtë duke përzgjedhur nxënës me bursa nga e gjithë bota për të jetuar dhe mësuar së bashku. Nga 200 nxënësit që ndjekin shkollën, 60 janë nga mbarë Bosnja.

UWC Mostar është një mënyrë «që nxënësit nga Bosnja të mësojnë shumë për kulturat e tjera … për të gjithë është një mundësi që ta shohin vendin e tyre nga një tjetër këndvështrim», thotë drejtoresha Valentina Mindoleviq. Ky është një shembull i suksesshëm integrimi dhe minimizimi ndasish.

Ky është në kontrast i qartë jo vetëm me gjimnazin e ndarë përgjysmë që ndan hapësirat e tij, por edhe me dëshirat e shumicës së liderëve etnikë boshnjakë. Ndërsa në gjimnaz kishte mbështetje dhe midis politikanëve vendas në Mostar, nuk po bëhet asgjë për t’i dhënë fund ndasive në sistemin arsimor në të gjithë Bosnjën.

«Pra, politikanët tani duan të marrin kontrollin. Është shumë më pak e mundshme t’i manipulosh të rinjtë nëse ata janë bashkë», thotë Kavazbasiq.

Nxënësit në Jajce, Mostar dhe në mbarë Bosnjën kanë gjetur mbështetje nga organizata të ndryshme joqeveritare.

Humanizmi në Veprim, një OJQ me qendër në Sarajevë, drejton një program të quajtur Inkurajimi i Vlerave Demokratike dhe Qytetaria Aktive Midis të Rinjve, EDVACAY. Ky program synon studentët në vitin e parë dhe të dytë të universitetit nga e gjithë Bosnja për trajnim qytetar dhe akademik.

«Ne gjatë një viti marrim fëmijët që s’kanë asnjë përvojë në qeverisjen lokale, asnjë përvojë me komunitetin lokal apo subjektet e tjera juridike dhe i kthejnë ata në aktivistë të flaktë», thotë Jasmin Hasiq, drejtoreshë ekzekutive e Humanizmi në Veprim.

Sipas Hasiq, programi u krijua «sepse fëmijët mbeten të ndarë, ka shkolla të ndryshme, ata nuk e dinë se çfarë po ndodh në komunitete të ndryshme».

Sistemit arsimor aktual i mungon diversiteti, nëpërmjet nxënësve, administratës dhe kurrikulës mësimore, por arsimi joformal lejon zhvillimin e mendimit kritik dhe është një «mundësi që të rinjtë të eksplorojnë diçka përtej asaj që është në tekstet e tyre shkollore», thotë koordinatorja e projektit EDVACAY Maida Omercehajiq.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë, YIHR, është një OJQ me bazë në Sarajevë që i ndihmon të rinjtë të përballen me të kaluarën, sidomos me luftën më të fundit. Ata ofrojnë një kamp veror ku i mësojnë të rinjtë e moshës 18 deri 30 vjeç për drejtësinë tranzicionale, integrimin në BE dhe reformën kushtetuese.

«E dua atë shkollë sepse në fund mund të shoh gjithmonë ndryshimin. Nuk e keni në letër, por mund ta shikoni atë, keni diçka që është e rëndësishme», thotë Beti Çolak, një pjesëmarrëse e kaluar e shkollës verore dhe ish-punonjëse në e zyrës së YIHR në Sarajevë.

Ajo mban ende kontakt me miqtë që bëri gjatë kohës që kaloi atje.

«Shumica e njerëzve që mbarojnë shkollën mbeten aktivistë», thekson ajo, mes telefonatave të shumta, mesazheve dhe vizitave nga miqtë e saj.

Programe si Humanizmi në Veprim dhe YIHR po i lejojnë studentët të ndërveprojnë me njëri-tjetrin nga e gjithë Bosnja ndërkohë që mësojnë si të kenë impakt dhe të ndryshojnë shoqërinë dhe sistemin e tyre politik.

Të rinjtë po rriten në një vend ku mësohen se ndasia është normale, por qytetet si Jajce dhe OJQ si Humanizmi në Veprim dhe YIHR po ngrihen kundër kësaj dhe kërkojnë një kurrikulë të përbashkët mësimore.

Kavazbasiq thotë se ajo do të vazhdojë të luftojë për integrimin dhe beson se të tjerët duhet ta ndjekin këtë shembull.

«Mendoj se është detyra jonë, nëse ne jemi njerëz që e kemi përzemër paqen, jetën, tolerancën dhe vlerat e mira njerëzore që i nevojiten kujtdo, që të ngrihemi kundër këtij sistemi arsimor të ndarë. Mendoj se ky është një nga problemet më të mëdha në shoqërinë tonë».

(https://www.reporter.al/nxenesit-sfidojne-sistemin-arsimor-te-ndare-sipas-etnive-ne-bosnje/)