Nxënësit pajisen me kartela mjekësore në Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur të mërkurën se të gjithë nxënësit e kësaj Komune do të pajisen me kartela të mjekut. Ai ka thënë se për të gjithë do të ketë dosje mjekësore.




«Qëllimi i këtij projekti është që familjet të kenë një pasqyrë më të mirë për shëndetin e fëmijëve të tyre dhe njëkohësisht të ndërtohet një relacion në mes institucioneve shëndetësore dhe komunitetit», ka thënë Haziri. Ai ka thënë se brenda këtij viti do të lansojnë sistemin e kontrollit apo të kontaktit elektronik në mes familjes dhe mjekut personal.

«Ne jemi në gjendje që për tri vite të kemi kartën mjekësore për çdo nxënës të shkollës fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit. Për gjendjen e tyre shëndetësore për të gjitha nevojat ka nevojë të dijë një familje për fëmijën e vet.

Në mënyrë që të përcillet historia mjekësore për çdo individ do të bëjmë integrimin në një sistem që shumë shpejt do të lansojmë gjatë këtij viti i cili është sistem i kontrolles apo i kontaktit elektronik në mes familjes dhe mjekut personal», ka thënë Haziri, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.