Nurkollari në organin e Qendrës Kinematografike – konflikt interesi

Midis pozitës së drejtorit artistik të «DokuFestit» dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Veton Nurkollari ka zgjedhur të parën.




Ai ka ofruar dorëheqjen nga organi i QKK-së. Por këtë e ka bërë pas konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, se rasti i tij paraqet konflikt interesi. Nurkollari ka qenë kryetar i Këshillit, shkruan sot «Koha Ditore».

«Sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, kjo situatë paraqet kufizim në ushtrimin e funksionit publik e që mund të sjellë konflikt të interesit…», shkruhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Vetë Nurkollari ka thënë se ka ofruar dorëheqjen, sepse ligji është interpretuar asisoj që ai nuk mund të jetë edhe anëtar i Këshillit Drejtues të QKK-së, edhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër «DokuFest». Anëtar i Këshillit Drejtues të QKK-së është emëruar në mars të këtij viti.

«Për të thënë më troç, ligji është interpretuar ashtu sikurse anëtarët e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të jenë zyrtarë të lartë publikë dhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka interpretuar se është konflikt interesi dhe kam dhënë dorëheqje. Dorëheqjen e kam ofruar në fund të muajit të kaluar», ka thënë Nurkollari. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se ende nuk e ka marrë me shkrim njoftimin për dorëheqjen e Nurkollarit.