Numrat dhe delet

Si trajtohen deputetët në Kosovë nga koalicioni i territ? Një parodi.



  1. Kur nisej në bjeshkë çobani i numëronte delet. Zgjohej herët në mëngjes, lante fytyrën në krua dhe me sy të kthjellët fillonte të numëronte: një, dy, tre… Mbërrinte në 120 dhe merrte udhën. Në kullotat malore mund ta prisnin ujqit, këta armiq të përhershëm të bariut, i cili duhej të ishte vigjilent gjatë tre apo katër muajve sa do të rrinte atje lart në alpe.

Mbante pushkën përherë afër vetes, ndizte zjarrin, shikonte rreth e rrotull, fishkëllente, thërriste me zë të lartë, pastaj zëri i tij kumbonte nga kodra në kodër. Ujqit e dinin se dikush ishte zot i këtyre kodrave e kreshtave, andaj ngurronin t’i afroheshin kopesë. Bariu i mirë e ka gjumin e lehtë. Një fëshfërimë gjethi duhet të mjaftojë që atij t’i dalë gjumi dhe të jetë, siç thuhet, në nivel të detyrës. Dyfekun afër, municionin me bollëk, gishtin në këmbëz – për çdo rast. Kështu e kalon verën bariu.

Në fund të stinës verore, kur kullotat rrallohen dhe moti nisë të ftohet, bariu i numëron edhe njëherë delet, siç ka bërë shpesh dhe merr udhën e kthimit, i gëzuar që edhe sivjet i shpëtoi të gjitha delet. Në sokakët e fshatit e presin ata që kanë kaluar verën «atje poshtë», në fshat, duke punuar arat, duke u marrë me punët e verës.

Kjo është pak a shumë jeta baritore. A nuk ju duket edhe jeta politike në Kosovë e ngjashme me një stan të mbushur me dele? A nuk ngjan në diçka të tillë parlamenti i ri, siç kanë ngjarë edhe jo pak parlamente të mëhershme? Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni i territ shikohen si dele. A janë të gjitha delet këtu? Sa kushton një? Sa kushtojnë dy? Sa kushtojnë të gjitha? Ku bëhet pazari më mirë: në qymez apo në banesa private? Në vila me arkitekturë bizare apo diku «jashtë vendit»? Në Divjakë apo në Skrapar? Në Dhërmi apo në Durrës? Apo ndoshta në Vjenë? Barinjtë politikë të Kosovës do t’i gjesh kudo, sepse e kanë hallin e vendit, duan ta përparojnë, ta bëjnë funksional, të luftojnë korrupsionin, të sjellin investitorë, të heqin vizat, të përshpejtojnë integrimet europiane. Kështu thonë, por kjo është aq e bindshme sa kur thotë bariu: «I kam mësuar delet të flasin», ndërsa vitin tjetër zotohet se do t’i ushtrojë të citojnë Jean-Paul Sartre-in kur të kthehen nga stani.

A i kemi numrat, a i kemi delet? Kjo është njëra ndër pyetjet më të dëgjuara që nga 11 qershori, prej se qytetarët e Kosovës me të drejtë vote i dhanë një përgjigje historike partive plaçkitëse. Mesazhi, me sa duket, u ka lënë përshtypje edhe krerëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, saqë propozojnë që partia e tyre të kalojë në opozitë.

Delet janë, por ende nuk janë boll. Shitja dhe blerja e ka një rend. Duhet të përgatitet terreni. Të zhvillohen sa më shumë takime. Të prodhohet sa më shumë mjegull. Fabrikat e «Fake News» duhet të shpikin dezinformata, të hutojnë sa më shumë opinionin, në mënyrë që në fund – kjo është shpresa – të mos merret vesh kush u shit e kush u ble, kush refuzoi e kush pranoi të bëjë pazare me votën e popullit, kush ishte kumbara e kush korrier. Punë delesh.

Kush e shikon demokracinë si pazar delesh, nuk e ka parasysh fatin e Kosovës, as të ardhmen e saj, as të demokracisë. Të tillët e kanë parasysh vetëm interesin e vet krejtësisht personal.

Nuk është me rëndësi se si, për çka dhe në emër të cilave vlera dhe cilës parti deputetët i kanë marrë votat. Secili shikohet si dele. Sa të kushton lëkura, zotëri? Sa leshi? Kjo është demokracia e leshit, viti 2017, versioni kosovar.