Nuk rrezikon të dështojë projekti për privatizimin e Brezovicës

Projekti për privatizimin e Brezovicës, duket se nuk rrezikohet të dështojë, pasi që në momentin e fundit, konsorciumi francez, «MDP Consulting-Compagnie des Alpes», i ka dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë, dokumentet që kërkohen me kontratë.




Në njoftimin për media të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thuhet se Komiteti Drejtues Ndërministror do të vazhdojë të vlerësojë me kujdes dokumentet e dorëzuara, raporton KTV.

«Pas shqyrtimit të plotë nga ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm, dhe pasi që Komiteti Drejtues Ndërministror të ketë finalizuar diskutimet e tij, një vendim për dokumentet e dorëzuara do t’i komunikohet publikut të gjerë», thuhet në këtë njoftim për media të MTI-së.

Në njoftimin e shkurtër të MTI-së nuk precizohet nëse në kuadër të këtyre dokumenteve është edhe garancioni prej 163 milionë eurosh.

MTI thotë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe institucionet e saj do të veprojnë me përgjegjësi në vlerësimin e dokumenteve të dorëzuara nga Partneri Privat.