Nuk mjaftojnë 2 automjete për bartjen e pacientëve nga Vitia në Gjilan

Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti po përballet me numrin e pamjaftueshëm të veturave për bartjen e personave në hemodializë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.




Dy automjete shfrytëzohen edhe për nevoja të stafit mjekësor për vaksinim në terren. Sipas autoriteteve komunale në Viti janë 16 persona të cilët gjenden në hemodializë, shkruan sot «Koha Ditore».

Xhemajl Arapi, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare, ka thënë se Qendra e Mjekësisë Familjare ka 7 vetura, mirëpo janë të pamjaftueshme.

«Ne kemi vetëm 2 automjete për bartjen e personave në hemodializë në qendrën e Gjilanit. Por numri i automjeteve nuk është i mjaftueshëm pasi që këto automjete po duhet që t’i shfrytëzojmë edhe për bartjen e stafit për vaksinim në terren. Qendra e Mjekësisë Familjare në Viti aktualisht ka gjithsej 7 automjete ne dispozicion dhe nuk mundemi që t’i plotësojmë nevojat e pacientëve. Ne kemi deponuar një kërkesë tek një organizatë japoneze për pajisje me 2 automjete, por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje përfundimtare. Në mungesë të automjeteve për rastet urgjente përdorim një automjet tejet të amortizuar», ka thënë ai

Sipas tij, institucionet komunale e shohin si të nevojshme hapjen e një reparti të hemodializës në Viti.

Në bazë të të dhënave të organizatave ndërkombëtare, Komuna e Vitisë del më e prekura nga sëmundjet e veshkave, si pasojë e ujit gëlqeror që del nga puset. Në bazë të statistikave të regjistrimit të fundit të popullsisë, aktualisht numri i personave që kanë nevojë për hemodializë është 14-16 persona në 40 mijë banorë, sa llogaritet t`i ketë Vitia.