«Nuk ka kthim te shteti nacional»

Bashkimi Europian për një kohë të gjatë ka lëvizur në një lloj parajse gjeopolitike. Tani BE po përballet me një botë, në të cilën ka edhe armiq. Por, a është Europa në gjendje të trajtojë problemet e kohës sonë? Një bisedë e gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» me historianin amerikan Timothy Snyder.

Timothy Snyder (1969) është historian amerikan dhe profesor në Yale University, i specializuar për Europën Lindore dhe hulumtimin e Holocaustit.



Së fundi, gjatë një vizite në Varshavë, ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini paralajmëroi bashkë me qeveritarët polakë një «pranverë europiane» dhe fundin e dominimit gjermano-francez. A ekziston rreziku i një aleance të forcave populliste brenda BE-së? Sa duhet të shqetësohemi?

Timothy Snyder: Unë e shoh këtë më ndryshe: italianët dhe polakët duhet të jenë të brengosur. Nuk është e mundshme që Italia dhe Polonia të marrin drejtimin e Bashkimit Europian. Por, çfarë mund të ndodhë është që Bashkimi Europian të zhvillohet në drejtim të një shoqërie dyklasore. Atëherë të dy vendet, Italia dhe Polonia, do t’i takojnë grupit të dytë. Po të isha votues në Itali apo Poloni, do të brengosesha që politikanët e mi tani po e festojnë zhvlerësimin e statusit të tyre – dhe këtë po e bëjnë vetë.

Në Europën Lindore ekzistojnë një sërë qeverish populliste, jo vetëm në Poloni e Hungari, por edhe në Rumani, Bullgari apo në Sllovaki. A po rrezikon BE që të përçahet nga dy anë: në Perëndim nga Brexiti britanik dhe në Lindje nga popullizmi i pafrenuar? Edhe sa do të qëndrojë qendra?

Timothy Snyder: Nga njëra anë: Bashkimi Europian për një kohë të gjatë ka lëvizur në një lloj parajse gjeopolitike. Tani BE po përballet me një botë, në të cilën ka edhe armiq. Kjo është risi. Konstantë e përhershme ka qenë kjo: nuk ka fuqi të madhe në kufijtë e tij, që do të mund të shtynte mënjanë BE-në. Por, pastaj ndodhi ndryshimi vendimtar gjeopolitik.

E keni fjalën për aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen ruse në Donbas…

Timothy Snyder: Po. Që nga atëherë politika e jashtme ruse e ka klasifikuar Bashkimin Europian si kundërshtar, si armik. Kësisoj qendra e Europës tani ka një kundërshtar. Nga ana tjetër ekziston popullizmi. Për këtë sfidë BE duhet të gjejë një gjuhë për të ardhmen. Kjo është ironike: BE është njësia e vetme politike në botë, e cila është e pajisur mirë për t’iu qasur problemeve të shekullit ’21. Por, njëkohësisht ajo është tërësisht e paaftë t’i artikulojë këto cilësi…

…dhe duhet tani t’i rezistojë rilindjes së shtetit nacional.

Timothy Snyder: Popullistët po fitojnë duke folur për një të kaluar nacionale, e cila nuk ka ekzistuar kurrë. Polonia, Hungaria dhe çdo shtet tjetër europian në shekullin ’21 mund të fitojë vetëm nëse bashkohet me të tjerët në një njësi më të madhe. Vetëm kështu mund të zgjidhen problemet që gjenden para tyre.

Në librin tuaj më të ri me titullin «Rruga drejt jolirisë» ju thoni: shteti kombëtar të cilit i referohen popullistët nuk ka ekzistuar kurrë.

Timothy Snyder: Europianët kryesisht jetojnë me një mit, në të vërtetë me një mit të dyfishtë. Njëri mit thotë: dikur kemi qenë shtete kombëtare. Miti tjetër është ky: shtetet kombëtare e kanë mësuar leksionin nga e kaluara dhe për këtë arsye kanë filluar të bashkëpunojnë. Nuk është kjo çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Çfarë ka ndodhur ishte diçka tjetër: një sërë perandorish europiane janë shkatërruar në rrjedhën e shekullit ’20 – pa marrë parasysh nëse bëhej fjalë për perandori territoriale apo detare, për «Rajhun e Tretë» të nazistëve apo Bashkimin Sovjetik. Çfarë ka mbetur nga këto perandori e ka gjetur rrugën fillimisht në zona tregtare dhe pastaj në institucione politike europiane.

Europa si zëvendësim për perandorinë?

Timothy Snyder: Në njëfarë mënyre po. Është e rëndësishme që të gjithë ne të kujtojmë zanafillat historike. Po nuk e bëmë këtë, atëherë vërtet mendojmë se mund të kthehemi te shteti nacional. Por, ne nuk mund të kthehemi te diçka që nuk ka ekzistuar kurrë. Ta marrim shembullin e Britanisë së Madhe: në kohën moderne nuk ka pasur kurrë shtet nacional. Ka ekzisuar vetëm perandoria – dhe projekti i integrimit në Europë. Në rastin e Polonisë dhe Hungarisë në të vërtetë ka ekzistuar shteti nacional, por ky shtet nacional ka ekzistuar vetëm për një kohë shumë të shkurtër – dhe, përndryshe, nuk ka pasur ndikim inkurajues. Metoda që përdoret këtu funksionon duke iu thënë europianëve: hajde të kthehemi te e kaluara e rehatshme. Të braktisësh BE-në në të vërtetë domethënë të nisesh drejt një ardhmëria krejtësisht të paqartë.

Për krijimin e BE-së tregohet një arsye tjetër: që ne kemi mësuar nga traumat e luftërave. Ju tani thoni: kjo nuk është e vërtetë.

Timothy Snyder: A mund ta shpjegoni seriozisht hyrjen e Portugalisë apo Spanjës në BE me Luftën e Dytë Botërore? Të dyja këto shtete në atë luftë kanë qenë neutrale. A mund ta shpjegoni hyrjen e Britanisë së Madhe në BE më 1973, një gjeneratë pas Luftës së Dyte Botërore?

…por unë mund të shpjegojë me këtë afrimin mes Gjermanisë dhe Francës…

Timothy Snyder: Po. Por, njëkohësisht ky afrim mes Gjermanisë dhe Francës, sado i rëndësishëm që është, për historinë e BE-së mbivlerësohet tej mase. Ekziston një arsye për këtë – dhe ajo është: thjeshtë është një rrëfim shumë i mirë. Ai u mundëson gjermanëve dhe francezëve të thonë: Kemi mësuar se luftërat janë një gjë e keqe. Por, çfarë vërtet ka ndodhur ka qenë kjo: gjermanët humbën një luftë kolonialiste në Lindje dhe Franca, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të ishte më perandori. Pra, arsyeja për afrimin gjermano-francez ka më pak të bëjë me luftën dhe më shumë me faktin se këtu dy fuqi kontinentale e panë se më nuk do të jetë i mundshëm krijimi i perandorive.

Ju shihni vetëm një alternativë: integrim ose perandori.

Timothy Snyder: Po. Gjithashtu nuk ka aq shumë europianë që do të thoshin: perandoritë janë diçka e mirë. Shtetet në Europë kanë lulëzuar përherë kur janë bashkuar në konstrukte më të mëdha politike, siç është rasti me BE-në. Domethënë, për të shmangur perandoritë dhe përkrahur shtetet, BE është instrumenti i duhur në bazë të madhësisë së saj. BE është në gjendje t’i qaset problemeve të mëdha të kohës sonë. Si shembuj këtu po përmendim: të drejtat njerëzore digjitale, ndryshimet klimatike, monopolet apo evazioin fiskal.

Ju e quani BE-në një formë të përshtatshme për sfidat e sotme. Ndërkohë kryeministri hungarez Viktor Orban pikërisht këtë BE e ka krahasuar me Bashkimin Sovjetik. Si e shpjegoni këtë?

Timothy Snyder: Më lejoni të fillojë me krahasimin e zotit Orban. Natyrisht ne medojmë: kjo është absurde. Por, të shikojmë sa absurde është me të vërtetë një deklaratë e tillë. Sikur deklarata e tij të ishte e vërtetë, ai nuk do të ishte në gjendje të thotë diçka të tillë. Merreni me mend po të thoshte një komunist hungarez: Bashkimi Sovjetik është i krahasueshëm me BE-në. Kjo nuk mund të imagjinohet. Por, pasi zoti Orban është njeri i lirë në Europën e lirë, ai mund të thotë çdo absurditet – pa pasur frikë nga konsekuencat. Hungaria iu ka bashkuar BE-së në bazë të një vendimi sovran të vendit dhe në mënyrë po aq sovrane mund të largohet. Sall për këtë këto llafe janë aq të papërgjegjshme. Është e papërgjegjshme të thuash se BE është si Bashkimi Sovjetik – dhe pastaj të qëndrosh pikërisht në këtë BE.

Nëse sot udhëtoni, ta zëmë, nëpër Poloni, pothuaj githkund shihni posterë të kaltër-të verdhë në të cilët shkruan se ky apo ai projekt infrastrukture është financuar nga BE. Në të njëjtën kohë partitë e djathta populliste si partia polake PiS apo Fidesz-i hungarez gëzojnë përkrahje shumë të madhe. Pra, të mirat e BE-së pranohen dhe zgjedhen parti, të cilat bëjnë fushatë me strategji kundër BE-së.

Timothy Snyder: Po, keni të drejtë. Njëkohësisht kjo është situatë krejtësisht normale. Rrugët, urat, stacionet e trenit – në Poloni ndërtohen bash aty ku njerëzit e zgjedhin partinë PiS. Por, kjo domethënë po ashtu se njerëzit nuk veprojnë në mënyrë racionale dhe nuk janë automatikisht për BE-në. SHBA-të funksionojnë njëjtë. Në SHBA bujqit që masivisht përfitojnë nga subvencionet shtetërore, votojnë kundër qeverisë. Ata votojnë kundër atyre që e kanë bërë të mundshme jetën e tyre. Unë nuk e shoh këtë si befasi të madhe. As nuk pres sjellje racionale. Sikur të ishte aq e thjeshtë ndërlidhja e argumenteve ekonomike me sjelljen politike, atëherë punët do të ecnin më thjeshtë në këtë botë.

A ka të bëjë çarja brenda BE-së me faktin se është zgjeruar shumë shpejt?

Timothy Snyder: Ne përherë po flasim për zgjerimin e BE-së në Lindje. Por, në fillim të viteve ’90 BE pothuaj nuk kishte interes t’i pranojë shtetet europianelindore. Kjo u bë e qartë edhe në marrëveshjet për asociim, të cilat BE i lidhi fillimisht me këto shtete. Nga këto marrëveshje nuk rezultonte automatikisht një anëtarësim i mëvonshëm.

Por, europianolindorët ngulmonin për të hyrë në BE…

Timothy Snyder: …sepse ishte një gjeneratë e politikanëve prijës europianolindorë, të cilëve u kujtohej mirë komunizmi dhe e cila ishte e vetëdijshme se ç’domethënie kishte periudha mes dy luftërave botërore. Ata e kishin të qartë se do të kishin një shans vetëm atëherë kur i përkasin Europës. Tani kemi të bëjmë me një gjeneratë tjetër. Një gjeneratë që tashmë gjendet në BE dhe merr favoret duke e ditur se nuk mund të dëbohet aq lehtë nga BE.

Megjithatë, BE mund të shpërbëhet në një Europë thelbësore dhe në shtete përreth kësaj Europe thelbësore.

Timothy Snyder: Kjo është gjithsesi e mundshme, por nuk është e dëshirueshme. Pse? Sepse magjia e BE-së ka të bëjë me Gjermaninë. Çfarë kontribuon Europa është kjo: ajo i mundëson Gjermanisë të jetë e fuqishme dhe e sukseshme në atë mënyrë që pak a shumë të jetë e pranueshme për vendet e tjera europiane. Në çdo lloj ridefinimi të Bashkimit Europian që mund të merret me mend, Gjermania do të kishte relativisht më shumë pushtet ndaj vendeve të tjera europiane. Në përgjithësi Europa si tërësi do të kishte më pak pushtet, ndërsa Gjermania do të kishte më shumë pushtet.

Gjë që jo patjetër do të ishte mirë për Gjermaninë…

Timothy Snyder: Jo, sepse në atë çast që BE zhvillohet në njëfarë bashkimi dyklasor, kjo për të gjithë do të jetë më pak e kënaqshme. Përfshirë gjermanët. BE do të humbte qartë fuqinë tërheqëse. Ta marrim si shembull Ukrainën: momentalisht ky vend mund të përfytyrojë se dikur do të jetë vend anëtar i BE-së dhe këtë do ta arrijë si partner i barabartë. Por, po qe se BE ndahet në dy klasë, atëherë Ukraina nuk do të shikojë më drejt Europës.

Timothy Snyder (1969) është historian amerikan dhe profesor në Yale University, i specializuar për Europën Lindore dhe hulumtimin e Holocaustit. Më 2010 ai botoi librin «Bloodlands», një panoramë të politikës naziste dhe staliniste të shfarosjes. Libri i tij më i ri «Rruga drejt jolirisë: Rusia, Europa, Amerika» (2018) është botuar në gjermanisht nga C. H. Beck Verlag në München.