«Nuk është faji im»

Intervistë ekskluzive me vitin 2016, i cili mallkohet e përbuzet prej të gjithëve.

Foto: Shutterstock



I dashur vit 2016, si jeni?

Viti 2016: E dini si ndihet njeriu në fund të mandatit? Keq, shumë keq. Nesër do t’ia dorëzojë stafetën vitit të ri. Jam duke mbledhur plaçkat.

Juve ju mallkojnë të gjithë, sepse ishit një vit i keq.

Viti 2016: Nuk është faji im për këtë. Janë njerëzit që e bëjnë vitin e keq, tragjik. Unë vetëm i vë ditët në dispozicion.

Megjithatë, a nuk ju duket se sivjet kishte tepër dhunë?

Viti 2016: Ndoshta. Kishte ngjarje që lënduan shpirtrat e shumë njerëzve sivjet. Sulmet terroriste në Francë tronditën jo vetëm këtë republikë, e cila është truall i të drejtave të njeriut. Terroristët atakuan edhe Gjermaninë, një vend që vetëm në vitin tim paraardhës, 2015, pranoi gati një milion refugjatë nga Siria dhe vatrat e tjera të krizës. Qyteti i Halepit «u çlirua» nga forcat e diktatorit Bashar al-Asad, duke lënë pas një pellg me gjak viktimash të pafajshme dhe gërmadha. Me rënien e Halepit varrosen edhe kujtimet më të bukura për botën orientale. Pastaj bëri vaki diçka e papritur në Amerikë…

Meqë ra fjala: çka mendoni për atë burrin me flokët bionde?

Viti 2016: Nuk jam ekspert për floktari, nuk marrë vesh gjë nga zanati i berberit, nuk e di nëse ngjyra e verdhë e flokëve të tij është e natyrshme apo Donald Trumpi është pronar i një fabrike për prodhimin e ngjyrave për lyerjen e flokëve. Por di të them diçka për Trumpin si njeri e politikan. Do të shprehem në mënyrë sa më diplomatike. Amerika ka pasur presidentë më seriozë. Ky zotëria është tallur me invalidë dhe me prindër, djali i të cilëve ka rënë në luftë. Trump është prezantuar në telefon si «zëdhënës i Trumpit» dhe u ka treguar gazetarëve për aferat e Trumpit me Carla Brunin dhe shumë gra të tjera të bukura. Asgjë nga kjo krekosje nuk është e vërtetë. Sidoqoftë, duket se njerëzve po u pëlqen gënjeshtra. Në Twitter Trump ka 18 milionë ndjekës («Follower»), në Facebook 17 milionë. Me Vladimir Putinin në krye të Rusisë dhe Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dy superfuqitë drejtohen prej burrave që potencën seksuale e kanë obsesion. Ju kujtohet para disa vitesh, kur Putin i sugjeroi një gazetari francez të bëhet synet? I shkreti gazetar vetëm e kishte pyetur për gjendjen në Çeçeni.

Ditë më parë vdiq këngëtari George Michael dhe shumë njerëz bërtitën: «Boll më! Ky vit duhet të zhduket se më shpejtë».

Viti 2016: Më vjen keq që vdiqën George Micheal, Sharon Jones me zërin e saj madhështor, poeti këngëtar Leonard Cohen, Prince, David Bovie. Nuk janë në mesin tonë më as shkrimtarët Umberto Eco, Imre Kertész, Dario Fo, Péter Esterházy, Harper Lee. Sivjet vdiqën edhe Fidel Castro dhe Margot Honecker, gruaja e shefit të Gjermanisë Lindore Erich Honecker, ish-ministrja e ashpër e arsimit e Gjermanisë komuniste. Vdiq në ekzil në Kili, pa kërkuar kurrë falje për viktimat e regjimit represiv të prirë nga burri i saj. Një kryeneçe. E ngjashme me Nexhmije Hoxhën, e cila, fatmirësisht, ende është gjallë dhe ka mundësi të kërkojë falje për mizoritë e saj dhe të burrit të saj. Ndoshta shoqja Nexhmije me syzet e saj të stilit të viteve ’50 do ta shoh botën pak më qartë në vitin tim pasardhës.

Harruat të përmendni Cassius Clayn.

Viti 2016: Jo, por desha ta ndaj nga të tjerët. Mohamed Ali ose Cassius Clay, siç quhej para se të përqafonte fenë islame, ishte një gjigant – jo vetëm në ring. Kampion i boksit, luftëtar për të drejtat e njeriut, personalitet që u linte përshtypje shumë njerëzve anekënd rruzullit.

Keni qenë vit i keq, e shihni. Po flisni qe sa kohë vetëm për njerëz që i fshiu nga faqja e dheut kosa e vdekjes. A keni mirëkuptim për këngëtaren Madonna, e cila para disa ditësh tha se viti 2016 duhet të shkojë në dreq të mallkuar.

Viti 2016: Nuk dua të flasë për këtë këngëtare, nuk më pëlqen muzika e saj. Punë e shijes. I kam edhe unë shijet e mia, më duhet të bëj një seleksionim se çfarë dëgjoj gjatë 12 muajve. Ju nuk mund ta merrni me mend sa shpejt ikin 12 muaj. 365 ditë. 8760 orë. Nuk do të flas më për të vdekurit, vetëm një grua dua ta përmend në veçanti: Zaha Hadid. Vdiq sivjet, në moshën 65-vjeçare. Arkitekte e madhe që depërtoi në një botë të dominuar nga burrat. Veprën e parë të njohur arkitektonike e realizoi tek në moshën 43-vjeçare: një ndërtesë zjarrfikësish në Gjermani. Më vonë ndërtoi muze e biblioteka, madje edhe një kërcimore skish.

Të kërcejmë dhe ne tani pak në botën shqiptare. Si duket bilanci juaj?

Viti 2016: Për mua ngjarja më pozitive ishte pjesëmarrja e përfaqësueses së Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit. Fansat shqiptarë festuan me zjarr në zemër dhe u shndërruan në bartës të simpative. Vetëm një gjë nuk më pëlqeu: gjatë kampionatit u bë e popullarizuar një fotografi e dy vajzave, të cilat duket se i kishin harruar gati të gjitha rrobat në shtëpi, këtu s’ka gjë të keqe, por ku në dreq e gjetën njërën prej tyre që të pozojë para botës me herpes në buzë? Shenjëtrimi i Nënë Terezës është një ngjarje tjetër e paharrueshme. Majlinda Kelmendi e artë në Brazil dhe e përjetshme në Kosovë me suksesin e saj do të zë një vend të rëndësishëm në kujtesën e shoqërisë kosovare. Për zhvillimet politike s’dua të flasë. Edi Rama ka shije për zgjedhjen e ngjyrës së kravatave. Në Kosovë parfumi më i njohur politik sivjet ishte gazi lotsjellës. Ky është një përparim. Në vitet paraprake, ta zëmë 1999, 2000, 2004 parfumit politik i vinte era barut. Rrjedhimisht, të tillë e kemi edhe pushtetin. Prodhim i politikave me barut.

Duket se nuk jeni mirë me disponim kur flisni për shqiptarët.

Viti 2016: Jo, nuk ka të bëjë me shqiptarët disponimi im i keq. Shqiptarët janë bërë imunë ndaj të këqijave, andaj nuk kanë ndonjë pritje të madhe as nga politikanët, as nga unë. Do të doja që viti të përfundonte gjatë verës. Nga shtatori, kur bie mjegulla e parë e vjeshtës, deri në mars njerëzit janë me disponim të keq. Ditët janë të shkurtra dhe errësira prish disponimin e secilit. Natën e mirë. Kam edhe ca punë… Mbeta pa thënë diçka edhe për Rexhep Taip Efendi Erdoanin. Më mirë po ia lë këtë detyrë pasardhësit tim, vitit 2017. Një gjë mos e harroni: ka pasur vite edhe më të tmerrshme. Pushtimi i Shkodrës nga osmanët, për shembull. Më 1479. Tërmeti në Lisbonë më 1755. Në krahasim me këto zgjedhja e një dijetari të shquar për kryetar të Drenasit ditë më parë është një fatkeqësi e vogël – natyrore dhe e natyrshme. Për Kosovën. Natën e mirë. Ditën e mirë.