«Nuk do ta shesim shpirtin»

Rruga shkon përmes brendisë pulsive të Shkupit, përbri «Parkut të gazetarëve» (bukur dhe njëkohësisht hutues, fakti që në botë ka vende, madje parqe që pagëzohen sipas një grupi profesional të gjithpranishëm dhe të padëshiruar), mbanë spitalit «Nënë Tereza», deri te një dyzim, ku lakon në të djathtë. Shumë shpejt arrin në një lagje të gjelbërt vilash, e cila shtrihet te këmbët e malit Vodno në jugperëndim të kryeqytetit maqedonas.
Në mes të një parku të gjatë dhe fort të mirëmbajtur shtrihet rezidenca e presidentit Gjorge Ivanov. Që nga 2009-ta juristi dhe profesori 56-vjeçar i politologjisë, i cili zgjidhet direkt nga populli, e ushtron këtu detyrën e tij zyrtare. Por kurrë nuk është varur kaq shumë nga ai çështja se çfarë do të bëhet me Maqedoninë. Prej më shumë se dy vjetësh vendin e ri po e trondit një krizë e rëndë politike, e cila ka avansuar në një krizë konkrete kushtetuse. Përshëndetja e Ivanovit është miqësore, këtë ditë të hëne me diell, të vakët, ai ndanë kohë në kabinetin e tij të punës për një intervistë ekskluzive me «Wiener Zeitung» – deri sa sekretaresha e tij hyn për të dytën herë për ta përkujtuar atë duke buzëqeshur, por sigurt, në terminin e tij të radhës.

Gjorge Ivanov. Foto: Truba7113 / Shutterstock



Wiener Zeitung: Zoti president, në fillim të mandatit tuaj më 2009 keni thënë se Balkani është «një zonë tërmetesh politike dhe istabile me shtetet e krijuara rishtazi.» A është vetëm Maqedonia kjo fuçi ogurzezë baroti?

Gjorge Ivanov: Ballkani është një fuçi baroti, por fitili është jashta tij. Fuqitë e mëdha janë përzier gjithmonë, edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ne jemi viktimat e gabimeve të të tjerëve. Në këtë vorbull, ne mjerisht fungojmë edhe si mënyra e tyre e lojës për eksperimente.

Pa rrotlla, te problemi: Maqedonia tanimë prej dy vjetësh gjindet në një krizë të rëndë që po ashpërsohet. Edhe zgjedhjet më të reja më 11 dhjetor deri më tani nuk kanë kontribuuar në tejkalimin e krizës. Përkundrazi: Ju po akuzoheni se së fundmi i keni hedhur benzinë zjarrit, sepse socialdemokratit (LSDM) që ka dalë i dyti nuk ia keni dhënë mandatin për formimin e qeverisë në fillim të marsit – dhe kjo pavarësisht se LSDM-ja ka fituar 37 përqind të votave dhe 49 mandate nga 120 ulëse në parlamentin e Shkupit e me partitë e shqiptarëve të Maqedonisë ka mundur ta provojë një shumicë komode prej 67 ulësesh.

Që nga pavarësia e vendit tonë mandatin për formimin e qeverisë e ka fituar gjithmonë partia që është plasuar e para në zgjedhje. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit e kam bërë atë që unë dhe paraardhësit e mi e kanë bërë gjithmonë: Mandatin për formimin e qeverisë ia kam dhënë fituesit të zgjedhjeve.

Pra nacionalkonservatives VMRO-DPMNE me 38 për qind të votave dhe 51 mandate.

Kështu është. VMRO-DPMNE-së nuk i eci që, sikurse është e rregulluar me kushtetutë, brenda 20 ditëve të formojë një koalicion me partitë e shqiptarëve të Maqedonisë. Për të qenë më i saktë: Koalicioni në të vërtetë u arrit. Por, në orën e fundit erdhi një telefonatë – dhe koalicioni plasi.

Kush ishte thirrësi?

(qeshet) Ju jeni gazetar. Mund ta gjeni vetë. Përdallim prej kushtetutave të tjera, kushtetuta jonë nuk e parashesh se çfarë duhet të ndodhë pastaj. Këtu ka një zbrazëtirë kushtetuese.

Për ta shmangur një vakum politik, i kam ftuar të gjitha partitë dhe i jam referuar një precendenti të vitit 1992. Atëbotë presidenti Gligorov ia ka dhënë shansin për të formuar qeveri të dytit – edhe atë brenda 10 ditëve, konform kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Unë në një takim i kam ftuar të gjitha partitë t’më provojnë se mund të krijojnë një shumicë – edhe atë përsëri brenda dhjetë ditëve, sikur më 1992. Nuk ka lidhje se cili, i plasuar i pari, i dyti apo parti e vogël: Unë ua kam ofruar të gjithëve këtë mundësi.

Kam pritur dhjetë ditë. Nuk ndodhi asgjë. 20 ditë kanë kaluar. Nuk ndodhi asgjë. Në ditën e 27-të shefi i LSDM-së, Zoran Zaev, më dorëzoi një listë me 67 nënshkrime. Pra, me vonesë. Afati kishte kaluar prej kohësh. Këtë ma kanë konfirmuar të gjithë juristët. Vetëm për arsye juridike ky koalicion do të ishte i kontestueshëm.

Tani nga fundi i marsit po vazhdon mbledhja konstitutive e parlamentit të ri. Shumë deputetë mbajnë fjalime të gjata. Ata po e zvarritin zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Por, vetëm nëse ai zgjidhet juve mund t’u bëhet një propozim për formimin e qeverisë nga parlamenti. Sa mund, më mirë: a guxon të zgjasë e gjithë kjo?

Teoretikisht nuk ka kufi kohor.

A do të mund ta votonte parlamenti një qeveri duke iu shmangur juve? A shkon kjo?

Ky është vetëm një iluzion. Kjo nuk është e mbështetur juridikisht. Një qeveri e tillë nuk do të ishte legjitime. Këtë e parashikon qartë kushtetuta jonë. Sipas artikullit të 90-të të kushtetutës, mandatin mund ta japë vetëm presidenti. Atëherë do të kishte dy qeveri. Aktualja, që është një qeveri teknike, dhe një qeveri pa legjitimitet të presidentit, gjegjësisht pa bazë kushtetuese. Kjo do të thoshte që ne po hyjmë në një krizë akoma më të madhe.

Çfarë do të ndodhë nëse dikur zgjidhet një kryetar parlamenti dhe shefi i LSDM-së dakordohet sërish me partitë e shqiptarëve të Maqedonisë si «Kingmaker» dhe dëshiron të formojë një qeveri? Dhe, si do të vendosnit ju?

Një koalicioni të tillë nuk do ia kisha dhënë mandatin – edhe atë për arsye politike. Sikurse e kam bërë para disa javësh, pavarësisht nga arsyet juridike, të cilat i shpjegova.

Cilat janë këto arsye politike?

Për shkak të së ashtuquajturës «Platformë të Tiranës».

Ju i keni parasysh rrethanat që liderët e partive të shqiptarëve të Maqedonisë në fund të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve në Maqedoni, janë takuar me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, dhe atje e kanë prezentuar një platformë, e cila duhet të jetë një kusht për formimin e qeverisë në Maqedoni. Në fotot e prezentimit të kësaj të ashtuquajture Platformë të Tiranës, Rama duket me liderët e partive shqiptare të Maqedonisë.

Pikërisht. Kjo është një përzierje direkte, dhe më shumë: Rrezikim i pavarësisë së shtetit të Maqedonisë. Vetëm fakti i parrëfyer që pozicionet e Platformës së Tiranës janë përpunuar në një vend tjetër dhe janë prezentuar solemnisht nga kryeministri i këtij vendi fqinj, është absolutisht i papranueshëm. Vetëm kjo tek ne është një vepër penale. Për më tepër, kërkesat e Platformës së Tiranës nuk janë vetëm politikisht të rrezikshme, por edhe antikushtetuese.

Konkretisht?

Në Platformën e Tiranës kërkohet që shqipja të bëhet përkrah maqedonishtes gjuhë amtare në të gjithë vendin. Kundër kësaj këtu ngrihen turqit, serbët, vllahët apo romët e Maqedonisë, pra përveç shqiptarëve të Maqedonisë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të cilët nuk janë maqedonas etnikë.

Sepse, sipas ligjit të gjuhëve që e kemi bërë më 2008-tën dhe më 2011-tën, në të gjitha komunat, në të cilat ato lokalisht përbëjnë më shumë se 20 për qind, gjuha e tyre vlen si gjuhë zyrtare. Në shkolla, në ente, në të gjitha institucionet, gjithandej.

Në Maqedoni ka komuna, në të cilat gjuha rome është zyrtare. Apo turqishtja. Dhe, natyrisht shqipja. Kjo nuk i plotëson vetë të gjitha udhëzimet dhe kriteret ndërkombëtare, si ato të Këshillit të Evropës, por madje i tejkalon ato.

Shqiptarët e Maqedonisë ndërkohë përbëjnë rreth 25 për qind të popullatës së përgjithshme. Të gjitha pakicat tjera janë larg poshtë kësaj.

Ne madje e kemi fshirë konceptin «pakicë» nga kushtetuta dhe e kemi zëvendësuar me fjalën «komunitet», pra komuniteti shqiptar, komuniteti turk dhe kështu me radhë.

Në Platformën e Tiranës tani kërkohet që ky rregullim i 20-përqindshit të hiqet në të gjithë vendin. Faktikisht, kjo atëherë do të thoshte se mbanë maqedonishtes vetëm shqipja në të gjithë vendin do të bëhej gjuhë e dytë zyrtare dhe jo më turqishtja, serbishtja, vllahishtja, apo gjuha e romëve së paku në rrafsh lokal.

Kjo do të thoshte që në Gjevgjeli shqipja do të futej detyrimisht si gjuhë e dytë zyrtare, edhe pse atje nuk jetojnë aspak shqiptarë!

Shqiptarët e Maqedonisë ankohen se janë të diskriminuar me kushtetutë. Ata i referohen preambulës së kushtetutës së Maqedonisë , sipas së cilës «Maqedonia» është formuar «si shtet kombëtar i maqedonasve», i cili nominalisht komuniteteve të shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve apo romëve vërtet iu ofron «barazi të plotë» dhe një «koegzistencë permanente» me maqedonasit etnikë. Shqiptarët e Maqedonisë duan ashiqare më shumë: Ata duan të jenë një popull konstitutiv i Maqedonisë. A mund ta paramendoni një Maqedoni federale? Edi Rama para ca kohe lidhur me çështjen e gjuhës i është referuar Zvicrës si model për Maqedoninë.

Ne nuk jemi Zvicra, apo Austria. Dhe, Maqedonia është ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit. Ne kemi një model të integrimit pa asimilim. Secili ngel ai që është. Ne jemi një demokraci multietnike, në të cilën askush nuk është i përjashtuar për shkak të përkatësisë së tij popullore. Në kishim në qeveri shqiptarë të maqedonisë si ministër të Mbrojtjes, edhe si ministër të Integrimit. Ne jemi një shtet i qytetarëve të Maqedonisë.

Por, maqedonasit etnikë janë një popull më vete, sepse ata këtu e kanë realizuar të drejtën për shtetin e tyre. Turqit të drejtën për shtetin e tyre e kanë realizuar në Turqi, serbët në Serbi.

Kjo vlen edhe për shqiptarët. Ata të drejtën për një shtet të tyrin e kanë realizar në vendin tonë fqinj, Shqipërinë. Tani madje në Kosovë. Nëse shqiptarët e Maqedonisë duan të bëhen një popull konstitutiv në Maqedoni, atëherë duan ta realizojnë të drejtën e tyre për një shtet të vetin edhe këtu – pa i konsideruar kufinjt e Maqedonisë! Këtë e parashikon Platfoma e Tiranës.

Atëherë, Maqedonia, pas Shqipërisë dhe Kosovës, do të ishte tanimë shteti i tretë shqiptar. A është e mundur një Greqi federative, duke qenë se edhe atje jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve?

Çfarë doni ju?

Ne duam një integrim, jo getoizim. Është për të të ardhur mjaft keq që disa shqiptarë të rinj nuk flasin maqedonisht dhe orientohen më shumë nga Prishtina dhe Tirana, sesa nga Shkupi.

Zoti president, a i kanoset Maqedonisë megjithatë një luftë qytetare? Tanimë më 2001 kishte një gati-luftë qytetare, në maj të 2015-tës në një lagje shqiptare në Kumanovë gjatë trazirave kishte dhjetëra të vdekur.

Jo.

Zoran Zaev, një maqedonas etnik, do të koalicionojë me partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, duke përfshirë Platformën e Tiranës. Në sytë tuaj, është çmendur ai krejtësisht?

Zaev dëshiron vetëm të vijë në pushtet. Por zjedhjet në dhjetor i ka humbur. Unë besoj se ai nuk e din se në çfarë lojërash është futur. Ai ishte i verbër nga dëshira për të ardhur në pushtet. Tani ama gjindet në një situatë delikate. Nëse nuk ia del të vijë në pushtet, mud të përfunojë në burg.

A i kërcënoheni Zaevit?

Jo, nuk kërcënohem. Institucionet maqedonase dikur do të veprojnë kundër tij, do t’i ndjekin të gjitha gjërat. Për shembull, interesante mund të ishte çështja se kush ia ka dhënë atij përgjimet.

Ju e keni fjalën për dokumentat, të cilat janë publikuar në fillim të 2015-tës në Youtube nga opozita. Dëgjohen biseda të anëtarëve të qeverisë dhe shërbimit sekret. Ato e ngarkojnë ashiqare rëndë partinë qeveritare VMRO dhe ish kryeministrin Nikola Gruevski. Flitet për shpërdorim pushteti, korrupsion, dhunë kundër personave të padëshiruar dhe manipulime të mediave. Një gjykatë speciale e ngritur në Shkup po heton në këtë çështje me presionin e UE-së dhe SHBA-ve. Ajo ka kohë deri në qershor të ngrejë akuza. Përndryshe, hetimet duhet të pushojnë.

Dhe, deri më tani nuk ka dalë asgjë nga kjo.

Po, mu këtu është çështja: Zaevi dhe Brukseli, nominalisht komisioneri përkatës i UE-së, Johannes Hahn, po ju shtyjnë juve ta njihni më në fund rezultatin e zgjedhjeve, të lëshoni pe dhe t’ia mundësoni Zaevit dhe partive shqiptare rrotacionin, me qëllim që të mos duhet që këtu të hetojë drejtësia dhe ndoshta të ngrejë edhe akuza penale.

Zaev nuk është i pjekur për këtë rol që i është vënë. Nuk e ka mbiçmuar vetëm ai veten e tij, por është mbiçmuar edhe nga ata të cilët ia kanë bartur këtë rol. Në politikë duhet të ketë dialog dhe kompromis, dhe ai nuk dëshiron të flasë. Çdo koalicion i shantazhuar është jostabil. Kushtetuta ndërrohet me një shumicë prej dy të tretave. Por, Zav do të insistojë që këto ligje të miratohen në parlament, ashtu që unë të vë veto kundër dhe gjyqi kushtetues të marrë iniciativën dhe t’i anulojë këto ligje. Këtë Zaev do ta bëjë që t’më akuzojë mua pastaj si antishqiptar. Ae kuptoni se çfarë loje perfide po luan ai?

Fakt është: VMRO nuk mund të krijojë koalicion. Ky ishte opsioni i parë. Mbi opsionin e dytë, një koalicion të socialdemokratëve me partitë shqiptare, tanimë folëm. Opsioni i tretë është koalicioni i gjërë. Çfarë mendoni për këtë?

E kishim në vitin 2001. Gjithçka u bllokua. Megjithatë: Ky është gjithsesi një opsion.

Ngel opsioni i zgjedhjeve të reja. Çfarë mendoni për këtë?

Në fund do të ketë zgjedhje të reja, dikur. Kjo është gjithmonë kështu në demokraci. Përherë kur ka një bllokadë, gjithçka përfundon me zgjedhje. Por, atyre të cilët e kanë krijuar Zaevin tani nuk iu pëlqejnë zgjedhjet, sepse kanë investuar shumë para, shumë autoritet në të dhe duhet ta ruajnë fytyrën. Ata janë të qartë për atë se ky ishte një investim i huqur. Sepse, me platformën të cilën e ka pranuar ai, besimi te Zaevi po bie përditë.

A jeni i zhgënjyer nga UE-ja?

Po, fort.

Përse?

Sepse, ajo është impotente dhe e papushtet. Ata i kanë prirë të gjithë procesit dhe disenjuar Marrëveshjen e Përzhinos së 2015-tës, me të cilën duhej të dilnim nga kriza.

Por, Platforma e Tiranës çoi në një krizë institucionale, një bllokadë për qeverinë, dështimin e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit. EU dhe Amerika ishin të përfshirë me qëllim zgjidhjen e krizës politike. Por, ata nuk i dënuan ata që e penguan zgjidhjen e krizës politike dhe prodhuan një krizë institucionale. Dhe, këta janë Edi Rama dhe politikanët shqiptarë, të cilët e zhbënë gjithë mundin e tyre të këtyre dy vjetëve. Platforma e Tiranës me një goditje e prishi marrëveshjen. Tani gjindemi në një krizë institucionale, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me Marrëveshjen e Përzhinos.

Statusin e vendit kandidat ju e keni marrë që në vitin 2005. A i qëndoni akama fort qëllimit të integrimit në UE?

Absolutisht! Prioritet parësor është edhe integrimi në NATO. Maqedonia nuk ka qëllim tjetër strategjik, përveç integrimit në UE dhe në NATO.

Integrimi në NATO dështoi në prill të 2008-tës pas një vetoje të Greqisë për shkak të kontestit të emrit.

Mirëpo, ne i qëndrojmë pandyshim këtij qëllimi.

A do të duhej që SHBA të marrë një rol prijetar në Ballkan? A e dëshironi një Amerikë të fortë këtu?

Amerika nuk është më ajo Amerika që ka qenë njëherë. Mendoj që kohërat e Pax Amerikas kanë mbaruar. Këtu kishim një Pax Romana, një Pax Ottomana, një Pax Americana. Ngaherë e presim një Pax Europa. Por, kot.

Si e shihni administratën e re amerikane nën presidentin e ri, Donald Trump?

Ne duhet t’i japim kohë Trumpit.

A është përzier Rusia në kauzën e Maqedonisë? Para pak kohësh Rusia paralajmëroi për rolin e Shqipërisë, të UE-së dhe të NATO-s në të gjithë rajonin.

Rusia nuk është përzier kurrë në Maqedoni. Ajo e ka shprehur mendimin e saj. Kjo është legjitime.

A mund të ndikojë OSBE-ja më fort në rajon? Nga 1 janari kryesinë e OSBE-së e ka Austria.

Austria është një mike e madhe e Maqedonisë, por OSBE-ja është e papushtet. Ajo ka ngelur në shekullin e 20-të. Ndërsa ne jemi prej kohësh në shekullin e 21-të.

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, e ka lavdëruar zëshëm qeverinë në Shkup për rolin e saj në krizën e refugjatëve. Kujto: Mbyllja e Itinerarit të Ballkanit. A prisni një kompensim për këtë?

Jo.

A jeni i sigurt për të ardhmen e Maqedonisë

Jam. Gjyshja ime jetoi gjithë jetën në të njëjtin fshat në Maqedoni. Në jetën e saj ajo ishte qytetare e shtatë shteteve. Babai im në jetën e tij kishte katër nështetësi, unë dy: jugosllaven dhe maqedonen.

Ne duam që fëmijët tanë të jetojnë në një, në vendin e tyre Republika e Maqedonisë. Ata janë gjenerata e parë me një identitet të pastër maqedon. Ata janë krenarë që janë maqedonas. Ne e kemi vetëm këtë vend! Të jini të sigurt: Nuk do ta shesim shpirtin.

(Wiener Zeitung) ks