«Nuk bën të dorëzohesh»: pejani Nik Myftari tregon si erdhi refugjat në Gjermani dhe si themeloi një firmë me buxhet prej 14,5 milionë dollarë

Si fëmijë Nik Myftari kishte parë si ia kishin vrarë fqinjin policët. Ai iku nga Kosova, depërtoi duke luftuar nëpër sistemin shkollor gjerman, studioi dhe themeloi një aplikacion për njohje («Dating») – me katër milionë shfrytëzues. Kjo është historia e tij e suksesit, e treguar nga portali SPIEGEL ONLINE.




Ata lënë gjithçka pas dhe rrezikojnë jetën e tyre për të ikur nga atdheu. Ata përfundojnë në kampe të ngushta dhe në qendra refugjatësh dhe presin me vite të tëra: për azil, për punë apo dëbim? Nik Myftari sot është 30-vjeçar. Ai e di pasigurinë, e cila i torturon njerëzit që duan të mbesin në Gjermani. Ai ka jetuar dy vite e gjysmë në një qendër refugjatësh në Mannheim, pasi bashkë me prindërit dhe dy vëllezër kishte ikur nga Kosova për shkak të luftës. Ai nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht, vijoi shkollën fillore, por Myftari kishte një synim: ai dëshironte të studionte. Kjo është historia e tij:

«Nuk ka qorrsokakë në jetë, përherë disi ec. Problemet që unë kam pasur këtu janë qesharake në krahasim me atë që kam përjetuar në Kosovë. Jam rritur në qytetin e Pejës. Banonim në shtëpinë e parafundit të rrugës dhe policët me gjasë na harruan kur në një ditë vere të vitit 1999 i nxorën në rrugë fqinjët tanë dhe i vranë. Ne u fshehëm në shtëpi, unë i kam parë kufomat nga dritarja. Mëngjesin tjetër ishim të detyruar të kalojmë mbi kufoma për të ikur në këmbë në Mal të Zi.

Trafikantët na sollën në Gjermani. Përfunduam në një kamp në Karlsruhe dhe pastaj në një qendër refugjatësh në Mannheim, me rojtar dhe tel gjemborë. Jetonim pesë veta në një dhomë e gjysmë. Nuk bëhesha merak për këtë. Isha 14-vjeçar dhe i lumtur që gjatë natës nuk dëgjoja bomba dhe të shtëna.

Nisa të vijoj shkollën fillore, nuk dija gjermanisht dhe nuk e kuptoja tërë këtë sistem. Kur i mbusha 15 vjet shkuam me klasën në një qendër profesionale. Unë i thashë mësueses sime se dua të bëhem mjek. <Mbase po mendon teknik i dhëmbëve>, tha ajo. Të gjithë mendojnë se refugjatët duan të kryejnë një zanat, jo më shumë. Por unë doja të studioja, ashtu si prindërit e mi.

Kisha nota të mira, andaj pas shkollës fillore shkova në ciklin tjetër (Realschule) dhe pastaj në gjimnaz. Por shpesh nuk e dija se a do të rrijë mjaft gjatë këtu për ta mbaruar vitin shkollor. Rregullisht dëgjonim klithmat e refugjatëve të tjerë që dëboheshin. Policia vinte përherë mes orës 11 dhe 12 të natës. Njëherë isha me një shok në një klub dhe kur u kthyem në mëngjes në orën dy në qendrën e azilantëve, tërë familja e tij ishte dëbuar.

Ndërkohë të gjithë kemi pasaporta gjermane. Unë kam studiuar ekonomi në Heidelberg dhe politikë dhe krahas kësaj krijova një fanpage të universitetit në Facebook. Aty studentët mund të postonin lajme nëse, për shembull, kishin parë dikë në bibliotekë, por nuk kishin pasur guxim t’i flisnin.

Ky ishte fillimi i aplikacionit tonë për njohje (<Dating>) <Spotted>, e cila filloi të funksionojë në vitin 2013. Aty mund të gjesh përsëri njerëzit të cilët në jetën reale të kanë kaluar para syve. Mund t’ua bësh me sy apo të lësh mesazhe anonime flirtimi dhe të shpresosh se personi, i cili të ka mbet në mendje, do të përgjigjet. Ndërkohë kemi tre investitorë, një buxhet prej 14,5 milionë dollarë dhe dhjetë punëtorë. Një milion njerëz e përdorin këtë aplikacion.

Jemi pesë themelues, unë jam i vetmi me histori refugjati. Besoj se për këtë arsye jam edhe më gatshëm për të rrezikuar. Kam përjetuar luftën, dorëzimi nuk është opsion. Kam mësuar të jetoj me kujtimet e mia. Vetëm gjatë natës së Vitit të Ri, kur ndizen fishekzjarrët, e kam një ndjenjë jo aq të mirë». -lli

 

Foto: Facebook