Normalitet gjerman: presidenti duke pritur për të votuar

Frank-Walter Steinmeier duke pritur në vendvotim. Foto: DPA



Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier e ka quajtur pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare si njërën prej «obligimeve më fisnike të qytetarëve». Dhe si qytetar i vendit Steinmeier ka votuar të dielën në orën 12:35 në një shkollë fillore në Berlin. Steinmeier erdhi në vendvotim bashkë me gruan e tij Elke Büdenbender, e cila me zgjedhjen e burrit të saj president e ka pezulluar punën e saj si gjykatëse. Në këtë fotografi të agjencisë së lajmeve DPA presidenti dhe zonja e parë gjermane shihen duke pritur me durim në radhë për të votuar. Askund nuk shihet asnjë truprojë kokërruar apo shofer nervoz. Para çiftit presidencial shihet një familje me fëmijë. Steinmeier, i cili ka qenë ministër i Jashtëm nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), tha se është i gëzuar mbi pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në zgjedhje. Vendvotimet do të mbyllen në orën 18:00. Në atë çast do të dalin edhe rezultatet e para. (dp)