Nobelistja Aleksijeviq: Pas komunizmit njerëzit s’e kuptojnë lirinë

Laureatja e çmimit më prestigjioz në letërsi flet për presionin e madh nën regjimin e Vladimir Putinit, përderisa po ribotohet libri i saj bestseller për heroizmin e grave ruse në kohë lufte, shkruan Shaun Walker i gazetës britanike «Guardian».

Svetlana Aleksijeviq. Foto: Wikipedia



Në diskutimet me Svetlana Aleksijeviqin menjëherë merret vesh se ajo më fort preferon të dëgjojë se të flasë. Dhe kjo nuk është befasuese: shkrimtarja bjelloruse ka për dekada të tëra duke ia vënë veshin çdo gjëje. Aleksijeviq, tani 69 vjeçe, ka incizuar me diktafon mijëra orë rrëfime njerëzish të rëndomtë. Dhe ato rrëfime mahnitëse i ka hedhur në veprat e saj të mrekullueshme me aq stil dhe fuqi, saqë më 2015 u shpërblye me çmimin Nobel për Letërsi.

Në Rusinë e sotme, krijimtaria e Aleksijeviqit është një test i madh psikologjik për bindjet politike: në mesin e opozitës së shtypur liberale, shihet shpesh si shkrimtarja që prek ndërgjegjen e kombit, një komentuese unike e vendosur e dëshpërimeve dhe situatave të ndërlikuara të jetës pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Opinionistët oborrtarë e shohin atë si njeri që ka ndërruar gëzofin dhe në veprat e së cilës degradohen rusët dhe Rusia.

Kur e takova në një kafene të rehatshme bodrumi në qytetin e lindjes, Minsk, hyrja ngjasonte me një amfiteatër blloqesh imponuese banimi. Ajo porsa ishte kthyer prej një turneu letrar nëpër Korenë Jugore dhe priste një udhëtim të radhës në Moskë. «Është rraskapitëse të jesh në qendër të vëmendjes; më vjen të mbyllem diku dhe t’i kthehem shkrimit», thekson ajo, me çehren që ia vërteton përnjëmend fjalët për lodhjen prej udhëtimeve dhe të qenmit në qendër të vëmendjes. Aleksijeviq mezi është pajtuar të flasë për një vepër të shkruar para më shumë se tri dekadash, «Fytyra jofemërore e luftës», që është ribotuar këtë muaj me përkthim të ri anglisht. U shkrua në fillim të viteve tetëdhjetë, dhe për vite me radhë, nuk po gjente botues, por gjatë zhbirimit të brendshëm në periudhën e fundit të Perestrojkës sovjetike, u shndërrua në gjakim refleksioni dhe mendimi kritik, dhe iu botuan dy milionë kopje, duke kthyer Aleksijeviqin papritmas në emër të patundshëm. Më vonë,  duke u treguar e pashpirt me zhveshjen e përvojës së luftës sovjetike, nuk po mirëpritej në Rusi si më parë. Prej se fitoi Nobelin, krijimtaria e saj po kërkohej nga audienca e re ndërkombëtare, duke ia kthyer përsëdytshëm famën pas tridhjetë vitesh.

Frymëzimi fillestar për librin ishte një shkrim që Aleksijeviq e kishte lexuar në një gazetë lokale në Minsk gjatë viteve shtatëdhjetë për një ndejë pensionimi për një llogaritare në një fabrikë lokale makinash, snajperiste të dekoruar për vrasjen e 75 gjermanëve në luftë. Pas intervistës së parë, nisi të kërkonte veterane lufte anembanë Bashkimit Sovjetik. Një milion gra sovjetike kishin shërbyer në front, por ishin hequr qëllimshëm prej narracionit zyrtar për luftën. «Para se të botohej ky libër, karakteri i vetëm në letërsinë tonë për luftën ishte një infermiere që u kujdes për jetën e një koloneli heroik», thekson ajo. «Por, këto gra ishin zhytur në baltën e luftës po aq sa edhe burrat».

Dhe Aleksijeviq e pranon se u desh kohë e gjatë që t’ua priste fjalën grave që flisnin për zhvillime të kota. «Ato më thoshin: në rregull, do të tregojmë, por duhet ta ndryshosh kur ta shkruash, ta shkruash me tone më heroike». Pas një bisede miqësore me një grua që kishte shërbyer në një batalion tankesh si asistente e mjekut, kujton Aleksijeviq, ia çoi dorëshkrimin qysh ia kishte dhënë fjalën dhe mori një pako me postë si kundërpërgjigje. Ishte plot shkrime të prera gazetash për jetën e luftës dhe shumica e intervistës ishte shkarravitur sipër me laps. «Më ka rastisur shpesh të përballem me këto dy të vërteta që jetonin brenda shpirtit të së njëjtës qenieje njerëzore», shkruan Aleksijeviq. «Njëra e vërtetë, që shtypet thellë, dhe tjetra, e zakonshmja, mbushur me shpirtin e kohës».

Vepra prek tema që ishin tabu gjatë periudhës sovjetike dhe përsëri po shtypen prej Rusisë së Vladimir Putinit: Pakti Molotov-Ribbentrop, me të cilin Stalini dhe Hitlerin copëtuan Europën, ekzekutimi i dezertorëve dhe efektet psikologjike të luftës për vite me radhë. Temat e saj kujtojnë ankthet e pafundme, shtrëngimin e dhëmbëve, momentet e rralla të qejfit dhe frikën për t’i shikuar pyjet pa menduar për trupat e copëtuar nëpër varreza të hapura.

Në Rusinë moderne, Putini e ka kthyer luftën e fituar në shtyllë kombëtare pothuajse të rëndësisë fetare, dhe kushdo që guxon ta kontestojë historinë bardhezi, me automatizëm anatemohet si heretik. Kjo e bën dëshminë e grave në veprën e Aleksijeviqit, shumica prej të cilave tani të vdekura, të ndihen edhe më të rëndësishme sot.

Nuk ka mungesë heroizmi në vepër; veprimet heroike, guximi dhe barra e madhe me të cilën ishin ngarkuar mbi shpatulla këto gra prarojnë secilën faqe. Në fund, vepra është testament larg më i fuqishëm se çmimi i jashtëzakonshëm paguar prej popullit sovjetik për mposhtjen e Gjermanisë naziste se kostoja e raketave ndërkontinentale që u ekspozuan bujshëm në parakalimin nëpër Sheshin e Kuq më 9 maj, ose se filmat e pafund bombastikë për luftën të emetuar në televizionin rus.

Pas «Fytyra jofemërore e luftës», Aleksijeviq shkroi vepra që trajtonin katastrofën bërthamore në Çernobil dhe pushtimin sovjetik në Afganistan, dy tragjeditë që shoqëruan grahmat e fundit të Bashkimit Sovjetik, të dyja shkaqe dhe simptome të kolapsit sovjetik në horizont.

Aleksijeviq ka botuar së fundi «Second-Hand Time» («Kohë e dorës së dytë»), që është rekuiem për kohën sovjetike. Është kronikë e tronditjes dhe boshllëkut qenësor që karakterizoi vitet nëntëdhjetë pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, dhe ndihmon të shpjegojë orvatjet e premtimeve të Putinit për t’ia kthyer krenarinë një shteti të plagosur postperandorak.

«Askush nuk e kishte menduar rënien e Bashkimit Sovjetik, ishte tronditje për të gjithë», thekson ajo. Secili duhej të përshtatej me realitetin e ri dhe të dhimbshëm, derisa rregullat, kodet e sjelljes dhe gjuha e përditshme e jetës sovjetike u shkërmoq sa hap e mbyll sytë. Shkurt e shqip, veprat e Aleksijeviqit mbesin mbase dokumenti i vetëm më impresiv i viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik dhe ankthit të pastajmë. Aleksijeviq u bë kritike e pakompromis e Aleksander Lukashenkos, presidentit autoritar të Bjellorusisë të porsa pavarësuar. U largua nga vendi në shenjë «proteste», dhe jetoi njëmbëdhjetë vite në ekzil në shtete të ndryshme europiane, duke u kthyer në atdhe vetëm para disa vitesh. «Kur je në barrikada, krejt çfarë të sheh syri është shenja, jo qenia humane, çka është ajo që duhet ta shohë shkrimtari. Prej prizmit të artit, kasapi dhe viktima janë të barabartë si njerëz. Duhet ta shihni popullin».

Lukashenko e ka bërë të qartë se nuk është admirues i krijimtarisë së Aleksijeviqit, megjithëse çmimi Nobel i ka dhënë asaj njëfarë sigurie, veprat nuk i janë botuar në Bjellorusi, dhe asaj në fakt i ndalohet të shfaqet publikisht. Si shkrimtare me rrënjë ukrainase dhe bjelloruse, por që shkruan në thelb për tërë hapësirën postsovjetike, është e hutuar për Rusinë moderne. Nuk është e sigurt të thotë «ne» apo «ata» kur flet për rusët. Por më e sigurt është kur flet për Putinin dhe klimën e fundit politike. «Na e merrte mendja se do t’ia kthenim shpinën komunizmit dhe gjithçka do të shkonte fjollë. Por u pa se nuk mund t’ia kthesh shpinën dhe të lirohesh, sepse këta njerëz nuk e dinë çka është liria».

Vazhdimisht ka kritikuar aneksimin rus të Krimesë dhe ndërhyrjen në lindje të Ukrainës, gjë që e ka vënë në pozicion të kundërt me shumë miq rusë, thekson ajo. Kujton si gjatë një vizite së fundi një mikeshe të vjetër, ia pranoi se kishte të drejtë. «Porsa e hapa derën dhe po e hiqja pallton prej krahëve, më fton të ulem dhe tha: <Svetoçka, le ta bëjë menjëherë gjithçka të qartë, më lejo të them se Krimeja nuk është e jona>. Është si fjalëkalim! <Falë Zotit>, ia ktheva».

Gjatë udhëtimit në Moskë, mban ligjëratë në Qendrën Gogol, hapësirë e vogël teatrore e njohur për shkak të drejtorit të zëshëm dhe produksioneve kundërthënëse. Ligjërimi është njëfarë bredhje dhe shpesh jokoherent, por duartrokitet shpesh prej audiencës së etur për ta shprehur liberalizmin dhe pakënaqësinë kundrejt militarizmit të Putinit. Pyetjet shpesh janë lavde të papërmbajtura për krijimtarinë e saj.

Pas pak jep një intervistë për një agjenci ruse lajmesh. Kësaj here, pyetjet janë të ashpra dhe provokative, dhe Aleksijeviq gjakftohtë lë të kuptohet se i di motivet e vrasësve të një gazetari pro-Kremlin në Kiev, dhe vihet në siklet dhe e pasigurt për sigurinë e saj. Interneti në gjuhën ruse eksplodon me debate për skandalin.

Ka dy projekte të reja që pret t’i përfundojë: një për dashurinë, që do të merret me 100 lidhje dashurie nga perspektiva e një burri dhe gruaje të përfshirë në të, dhe një vepër tjetër për procesin e plakjes. Është diçka që ka nisur të mendojë së fundi, përderisa po i afrohet ditëlindjes së shtatëdhjetë.

«Në rini, nuk mendojmë për plakjen dhe pastaj krejt papritmas shfaqet», thekson ajo. Pas më shumë se një orë diskutimi, zëri i saj i ulët pothuajse nuk dëgjohet fare, dhe duket e lodhur. «Cili ishte qëllimi i jetës, pse ndodhën gjithë ato gjëra?»

Duke mos dashur ta teproj në kurriz të mikpritjes së saj, e ndal diktafonin dhe e falënderoj për intervistën, duke pritur një margaritar pas intervistës. «Shkëlqyeshëm», thekson ajo pastaj me çehren plot nur. «A do të drekojmë?» I habitur, por e pranoj ftesën, dhe e vazhdojmë diskutimin edhe një orë. Tani është radha që ajo të shtrojë një mal me pyetje: për pikëpamjet e mia për Rusinë, por edhe për Donald Trumpin, të djathtën ekstreme europiane dhe Mbretëreshën Elizabeth. Përherë e gatshme për të dëgjuar, Aleksijeviq ndihet më rehat të shtrojë pyetje se t’u përgjigjet.