Nobelisti zviceran: «Si fëmijë vuaja nga disleksia, kam qenë nxënës i dobët»

Jacques Dubochet nuk kishte pritur se do ta marrë çmimin Nobel për Kimi. Edhe si 75-vjeçar ai është shpirttrazuar – dhe natyrisht socialdemokrat.

Si fëmijë Jacques Dubochet kishte frikë nga terri. Andaj filloi të interesohet mbi sekretin e dritës dhe territ.



«Si fëmijë kam vuajtur nga disleksia dhe kam qenë nxënës shumë i dobët. Kur po merrja tatëpjetën gjithnjë e më shumë prindërit më dërguan në internat në Trogen (një qytet në Zvicrën lindore). Pastaj u përmirësova dhe tani e fitova çmimin Nobel (për Kimi). A keni pyetje të tjera?» Me këto fjalë i bëri për të qeshur gazetarët zviceranë profesori Jacques Dubochet, i cili të mërkurën u nderua me mirënjohjen më të rëndësishme në fushën e kimisë.

Dubochet është 75-vjeçar, nuk ndihet si plak, por si njeri me përvojë. Ai vazhdon të jetë profesor me honorar në Universitetin e Lausannes, por si i pasionuar pas politikës Dubochet angazhohet në komunën e tij Morges në Zvicrën franceze. Në kuvendin komunal të Morges ai është asambleist nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Një majtist i betuar që angazhohet për një botë më të mirë. Pas bisedës me gazetarë, pas pranimit të shumë urimeve nga kolegët e Universitetit të Lausannes Dubochet u largua për të marrë pjesë në një mbledhje të kuvendit komunal, ku do të diskutohej për rregulloren e kanalizimit dhe për planin urbanistik.

Dubochet filloi të interesohej për politikë në vitin epokal 1968, kur rinia në mbarë Europën perëndimore dhe në disa vende matanë Perdes së Hekurt ëndërronte një planet më të mirë, paqësor dhe solidar. Dubochet i shpalli luftë veturave. Atëbotë si student në Universitetin e Gjenevës ai protestoi dhe ngjiti posterë kundër sallonit të veturave në Gjenevë. «Atëbotë bënim revolucion», thotë tani nobelisti i ri.

Si fëmijë Jacques Dubochet kishte frikë nga terri. Andaj filloi të interesohet mbi sekretin e dritës dhe territ. Dhe konstatoi se pas territ përherë vjen drita. «Shkencëtari është dikush që e pranon natyrën si mjeshtër», citohet Dubochet nga mediat zvicerane. Njëherë ai pa diellin duke u zhdukur në horizont dhe shkoi në bibliotekë për të zbuluar se ku mbeti dielli. Kështu brenda tij lindi kureshtja e pashuar për shkencën – një kureshtje që s’e braktisi kurrë, as sot me 75 vjet. Krahas shkencës dhe politikës (majtiste) Dubochet çmon kodrat dhe natyrën. Zviceran tipik. Zoti Dubochet është edhe feminist. Ishte ndër të parët profesorë që në Universitetin e Lausannes kërkoi që të standardizohet forma feminine kur i drejtoheni burrave dhe grave. Pra, jo vetëm të nderuar zotërinj, por edhe të nderuara zonja. «Prindërit e mi ishin optimistë kur vendosën të më ngjizin», ka thënë Dubochet. Me të drejtë. Ishte viti 1941 dhe Europa e përfshirë nga flakët e Luftës së Dytë. Për ata që nuk e dinë: disleksia është një e metë e njerëzve për të lexuar dhe shkruar.
E.R.