Nobeli për Paqe i jepet Fushatës për Çarmatosje Bërthamore

Fushata Ndërkombëtare për Çarmatosje Bërthamore (ICAN) me seli në Gjenevë është laureate e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2017. Këtë e bëri të ditur Komiteti i Nobelit në Olso të premten.

Foto: Shutterstock



Vlera e mirënjohjes është nëntë milionë kruna suedeze (rreth 1 milion euro). Juria sivjet vendosi mes 318 kandidatëve për Nobelin për Paqe – 215 persona dhe 103 organizata. Vitin e kaluar Komiteti i Nobelit kishte nderuar presidentin e Kolumbisë, Juan Manuel Santos. Ai e mori Nobelin për përpjekjet e tij këmbëngulëse për t’i dhënë fund luftës civile mbi 50-vjeçare në vendin e tij.

Duke i dhënë çmimin Nobel për Paqe Komiteti i Oslos vlerëson luftën shumëvjeçare të ICAN për një botë pa armë bërthamore. ICAN vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen mbi pasojat katastrofale për njerëzimin nga përdorimi i armëve nukleare. ICAN u nderua edhe për angazhimin që të ndalohen me marrëveshje këto armë.

Zyra e ICAN në Gjenevë përbëhet prej vetëm katër personave, të gjithë nën moshën 35-vjeçare. Por, në mbarë botën janë 450 grupe paqësore që angazhohen për çarmatosje bërthamore. Këto grupe u bashkuan para 10 vitesh me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje mbi armët nukleare. Në korrik 2017 marrëveshja përkatëse u nënshkrua. Ajo ndalon prodhimin, posedimin, përdorimin dhe magazinimim e armëve bërthamore dhe u arrit kundër vullnetit të fuqive atomike dhe shteteve aleate me to.
(dp dhe agjencitë e lajmeve)